Friday, April 27, 2018

Kek me copa çokollate


Për këtë recetë duhet të falenderoj Xhesin e foodies.al e cila bën postime dhe video që unë i adhuroj. Postimi i fundit i saj ishte ky kek, kaq i thjeshtë, por shumë i shijshëm. Ashtu siç thotë dhe foodies.al ky kek bëhet në darkë, për të shijuar kafen e mëngjesit ditën e nesërme. Del aq i shkrifët sa duhet ftohur tërësisht që të pritet. Masat e këtij keku maten me një gotë të thjeshtë plastike, por që unë për dreq nuk po i gjeja mbrëmë në shtëpi se ku i kisha lënë 🤔.
Për këtë arsye perdora një masë tjetër që i afrohej masës së gotës plastike në foto.
Unë i kam zvogëluar lehtësisht përmasën e vajit dhe sheqerit (sepse ashtu mu dukën në video) 😍 dhe përsëri keku doli super. Për këtë kek blini vetëm 100 gr copa të vogla çokollate të zezë ose 100 gr çokollatë që e ndani në copa të vogla. Gjithë përbërësit e tjerë i keni aty, mjaft të shkoni në dollapin e kuzhinës tuaj 🤗.

Përbërësit:
•1 gotë kos
•3/4 gotë vaj
•3/4 gotë sheqer
•3 vezë
•3 gota miell
•1 bustinë pluhur pjekës
•pakëz kripë
•100gr çokollatë në copa
•vanilje

Kjo është masa e gotës që duhet të përdorni për këtë kek.

Përgatitja:
I hidhni të gjithë përbërësit, fillimisht ato të lëngshëm, pastaj përbërësit e ngurtë në një enë dhe i përzjeni për 2 minuta. Shtoni copat e çokollatës. 



Masën e përftuar e hedhim në tavën në formë drejtkëndëshe.
Unë e kam tavë silikoni ndaj nuk ka nevojë ta lyej me gjalpë. Nëse tava juaj nuk është silikoni, shtroni në të letër gatimi.

Piqeni kekun në 180 gradë për 50 minuta derisa të kullojë tërësisht. Priteni të ftohtë. Ju bëftë mirë.




Ja dhe duke pirë kafen LeBon me kekun Bonbon 🤗, në oborrin e shtëpisë. Këtë kek e bëra 2 herë brenda javës aq i mirë del. Paçi një fundjavë të bukur e të gjatë meqë kemi dhe 1 Majin para 😍❤.



SHARE:

Friday, April 20, 2018

Pllaqi në furrë sipas Bonbon


Këtë dimër që sapo kaluam regjimin e gatimit të groshës (fasules) në shtëpi e vura kusht ta bëja çdo javë. Familja jonë nuk ka qënë dhe nuk vazhdon të jetë ajo tipikja që çdo të hënë e ka grosh, jo se nuk i duam, por përtojmë t’i bëjmë të dielën në darkë 😀, nga që gatuajme shumë të dielën në drekë. Të hënën e kemi pothuajse me ç‘mbetet nga e djela, po mbeti 😛.
U zgjatëm pak shumë tek grosha dhe po harrojmë pllaqitë, të cilat janë motrat e mëdha të groshës dhe që këtë vit i kam gatuar vërtet shumë shpesh. Fëmijët mi hanë shumë dhe përfitoj nga rasti t’ja u gatuaj pllaqitë më shpesh dhe se groshët meqë perimet që i shtoj brenda janë të shumëllojshme.
Gatimin e pllaqive nuk e kam lexuar diku dhe as nuk kam pyetur dikë. As sesi i gatuan mami Lika nuk e di hahaha. Më vjen kështu “alla pelle” kur i thonë italianët, e bëj siç ma ka ënda dhe del një gatim i veçantë që i ndihet dedikimi dhe dashuria e gatimit.
Dje tek e gatuaja për ju sot, Rudina ime qëlloi në shtëpinë time dhe më tha të vjen shtëpia si aromë fshati anglez. Meqë ra fjala të dyja kemi qënë ca kohë andej kështu që e kuptova shumë mirë. Mua ndërkohë mu duk vetja si Jamie dhe Nigella 😍. Ndiqni recetën më poshtë, "Pllaqi me aromë britanike" 🤗.

Përbërësit – Perime
500 gr pllaqi
3 speca
3 degë selino
3 karrota
2 trupa preshi
1 kokër qepë e thatë
3 qepë të njoma me gjithë bishtat
3 hudhra të njoma me gjithë bishtat
3 thelpinj hudhër të shtypur

Përbërësit – Erëza
1 lugë çaji spec i kuq
Piper i zi
Rigon
Dafinë

Përbërës të tjerë
100 gr pançetë
Salcë worçester (opsionale)
Tabasco e detyrueshme 🙃


Përgatitja:
Fillojmë me pastrimin e perimeve. Ndërkohë që marrim kohë për të grirë perimet në një tigan shtojmë pançetën. Në vend të pançetës mund të përdorim çfarëdolloj sallami të preferuar. Pasi pançeta lëshon yndyrën e saj shtojmë të gjitha perimet e grira, 2 lugë vaj ulliri dhe i lëmë te kaurdisen në zjarr të avashtë me kapak.


Pllaqitë duhet ti keni zjerë më parë. Do ishte mirë sikur t’i fusni në ujë një natë më parë se ti gatuani. Mua nuk më ndodh ta bëj shpesh këtë proçes se harroj, ndaj i vë direkt për zierje në tenxheren e presionit.

Marrim pak nga uji i pllaqve, ja shtojmë perimeve dhe i lëmë të zbuten në tigan me kapak. Pas 15-20 minutash që ziejnë u hedhim erëzat siç i kam listuar, por mund të shtoni dhe erëza të tjera nëse doni.
Rregullojmë me kripë, hedhim salcën ëorçester (nëse nuk e keni në shtëpi, mjaft të shtoni një lugë açeto balsamike) dhe tabasco e cila është një salcë djegëse. Nëse nuk keni tabasco zëvendësojeni me pak spec djegës.
Shtojmë harxhën në tenxheren ku janë pllaqitë, i trazojmë. Gjella nuk duhet të ketë shumë lëng se në furrë do rri jo më shumë se 30-40 minuta sa të marrë një faqe.
E hedhim masën me pllaqi ose në një tavë të madhe ose në tasa të vegjël balte për pjekje. Unë e servira këtu. Bëra dhe një tavë të vogël porcion individual, por atë ma mori Rudina me vete 😜.
Vendoseni tavën në furrë të nxehur më parë në 200 grade dhë lëreni për 30-40 minuta sa tavë të zërë një cipë sipër. 




Lëreni të ftohet pak përpara se ta servirni. Ju bëftë mirë.







SHARE:

Tuesday, April 17, 2018

Shëndetli sipas mami Likës

Doja të ndëroja "faqe" për ca kohë, jo më ëmbëlsira, por tek pastroja celularin nga fotot e tepërta, më dolën përpara fotot e shëndetlisë që e kisha gatuar kastile për blog.
Ka shumë versione të shëndetlisë, ku ajo që dallon më së shumti është sasia e mjaltit. Që thoni ju, shëndetlia do mjaltë, po mjaltë tamam, përndryshe mos e merr mundimin ta bësh.
Këtë recetë mami Lika e ka nga pastiçieri aq i njohur në Fier, Halit Rustemi, i cili nuk jeton më, por pasionin dhe talentin ja u ka trashëguar fëmijëve të vet. Kush është nga Fieri ose ka kaluar ato anë, nuk mund të mos ketë dëgjuar për pastiçerinë e njohur “Rustemi”.
Nga gjithë shëndetlitë që kam provuar, kjo e mami Likës është më e mira, bombë, por më e mira 😍. Kur keni raste gëzimi, festash apo doni të nderoheni me një gatim tradicional, ky është rasti.
Mami Lika e ka gatuar çdo Vit të Ri, Krishtlindje dhe Pashkë. Tashmë e ka të ndaluar. E gatuan vetëm kur ja kërkojmë ne.
Shëndetlija që gatova për blog, mund të jetë e dyta ose e treta që gatuaj vet (sepse nuk të lë radhë mami Lika 😛), këtë herë i përgjysmova përmasat dhe bëra një tavë të vogël.
Ruajeni këtë recetë, se është nga ato të pakta që i ka mbetur kohës, siç bëhej dikur. Unë e kam të ruajtur për vete, në blog-un tim 🤗.

Përbërësit:
250 gr mjaltë
250 gr sheqer
250 gr arra
500 gr miell
2 vezë
1 lugë kafe e prerë sodë buke
1 filxhan kafe me gjalp të tretur
1 e ½ filxhan kafe me ujë

Përbërësit për shërbetin
Për këto përmasa të shëndetlisë, duhet 1 kg e gjysëm sheqer në total sipas pastiçierit, që do të thotë:
nëse në këtë recetë tek brumi do të hedhim 250 gr sheqer (si më lart), për shërbetin do përdorim 1 kg e 250 gr të mbetur. Për këtë sasi sheqeri na duhet 1 litër ujë që të bëjmë shërbetin.

Unë përdora 1 kg sheqer në total, që do të thotë 250 gr ja shtova brenda masës së brumit, dhe 750 gr e bëra shërbet. Për 750 gr sheqer na nevojiten 550 ml ujë për shërbetin.
Sasia e shërbetit që bëra thithet e gjitha nga shëndetlia dhe kjo e fundit nuk “noton” në shërbet 🙃.
Shërbeti lihet të ziejë 15 minuta nga pika e vlimit. Pas këtij intervali kohe shërbeti është gati.

Përgatitja:
Në një enë tresim gjalpin dhe përpara se të shtojmë përbërësit e tjerë në të, me anë të një furçe lyejmë tavën ku do pjekim shëndetlinë.
Më pas shtojmë mjaltin, sheqerin, ujin dhe trazojmë derisa masa të bëhet si krem. Hedhim vezët një nga një dhe përziejmë.



Shtojmë miellin, sodën dhe arrën. Nëse mendoni se brumi ka dalë pak i trashë, në këtë fazë mund t’i shtoni pakëz ujë.


Proçesi i pjekjes së shëndetëlisë është pak delikat, ndaj ndiqni instruksionet me vëmendje.
E hedhim masën e brumit mbi tavë dhe e vendosim në furrë të nxehur më parë në 220 gradë. Sapo fusim tavën e ulim temperaturën në 180 gradë. Kur sipërfaqja e shëndetlisë fillon e merr ngjyrë si të pjekur e ulim temperaturën në 150 gradë, për rreth 1 orë ose derisa shëndetlija të kullojë (bëjmë testin me majën e thikës).
Kur shëndetlia është pjekur, e presim në copa pastaj e shërbetosim. Rregulli i sherbetosjes është që ose shëndetlija duhet të jetë e ftohtë dhe shërbeti i nxehtë, ose e kundërta. Asnjëherë të dy të nxehta. Shërbetoseni dhe lëreni në qetësi për 30 minuta të mbuluar, sa ëmbëlsira të thithë shërbetin.
Nëse jeni nepsqare si unë, provojeni menjëherë pas 30 minutave ashtu të vakët 🤗, përndryshe servireni kur shëndetlija është tërësisht e ftohur. Ju bëftë mirë. ❤












SHARE:
Blogger Template Created by pipdig