Byrek me kungull të ëmbël sipas BonBon

by - October 06, 2017


Meqë e premë kungullin, le ta përdorim duke bërë një byrek që është hera e parë që e bej vet, dhe si për herë të parë nuk pyeta askënd, as mami Likën. E bera totalisht me intuitën BonBon Taste.
Byrekun me kungull të ëmbël dhe yshmerin e ëmbël si kam ngrënë asnjëherë, megjithëse mamaja ime bënte dy një të ëmbël e një të kripur, meqë vëllai im preferonte të ëmblat. Sivjet në Orikum, provova byrek me kungull të ëmbël dhe më ka pëlqyer aq shumë sa pyesja veten përse nuk e kam ngrënë gjithë këto vite :).
Kur bën byrek me kungull me sheqer, duhet ta bësh vetëm me kungull të verdhë, pasi ka aromën dhe ngjyrën e duhur. Ditën e shtunë që e gatova kisha miq për darkë dhe byreku ishte surpriza. Jo vetëm që u shijua, por u morr dhe me vete :). “Lodhja” më e madhe ishte të qëroje dhe grije kungullin, pjesa tjetër ishte siç bën një byrek të zakonshëm. Shfrytëzoni kungujt në këtë stinë plot ngjyra për të provuar receta të shijshme dhe të shëndetshme.

Përbërësit:
700 gr kungull
4 – 5 lugë gjelle sheqer pluhur
100 ml qumësht, ose gjysëm gote uji
3 vezë
2 lugë miell
1 lugë çaji kanellë, ½ lugë çaji xhinxher pluhur, ¼ lugë çaji arrë moskat
400 gr miell për petët e byrekut
Vaj vegjetal
2 lugë gjelle gjalp brumë

Përgatitja:
Fillojmë me brumin e byrekut pasi është mirë që të rrijë në qetësi për 30 minuta, i mbledhur me qese gatimi, përpara se të hapim petët.
Qërojmë dhe presim kungullin në copa të mëdha dhe më pas e grijmë atë në një rende. Shtojmë sasinë e sheqerit tek kungulli (sasinë e sheqerit e shtojmë ose pakësojmë po të duam në varësi të shijes personale). E lëmë kungullin në qetësi për 10 minuta.
Shtojmë me radhë  vezët, qumështin, 2 lugë miell dhe erëzat (kanellën, xhinxher dhe arrë moskat), Masa është gati. Miellin e shtojmë tek masa me kungull sepse thith lëngjet e tepërta që lëshon kungulli i grirë.



Fillojmë me hapjen e petëve dhe shtrimin e byrekut si zakonisht, duke pikuar vajë në petët që shtrojmë. Kur kemi mbaruar me byrekun, shkrijmë 2 lugët e gjalpit dhe lyejmë sipërfaqen e byrekut.


E vendosim për të pjekur në furrë në 220 gradë.
Pluhurosim sheqer pluhur mbi byrekun e pjekur dhe e lëmë të ftohet pak përpara sesa ta servirim. Ju bëftë mirë.


Kjo copë byreku e prerë pa formë është padurimi im për të provuar byrekun që përvëlonte :).








You May Also Like

1 comments