Kek i përmbysur me mollë

by - December 13, 2016

Kam provuar disa receta të kekut të përmbysur me mollë, por kjo që do ju prezantoj sot është receta më e mirë që kam tentuar. Është e lehtë në përgatitje, ka përbërës që na gjenden të gjithëve në shtëpi dhe teknikë gatimi për fillestarët :). Meqë ëmbëlsirat me mollë, vazhdojnë të jenë më të preferuarat e gjysmës time, tek etiketa “Mollë” do gjeni shpesh receta. Molla me kanellë apo erëza të tjera mbetet gjithmonë IN në shtëpinë tonë. Nëse do ju gjendet dhe pak akullore me vanilje në shtëpi, kjo recetë do ju lëj pa mend :). Unë nuk kisha akullore, por më gjendej një pana e ëmbël që e zëvendësoi disi akulloren :).

Përbërësit
1 e ½ kupë me miell
1/3 kupë me sheqer
2 vezë
1/3 kupë vaj
1/3 kupë qumësht
1 pako pluhur pjekës
3 kokrra mollë jeshile
Vanilje
Kanellë

Për karamelin
4 lugë gjelle gjalp brumë
1 kupë sheqer

Përgatitja
Shpërndajmë gjalp në tepsinë që do pjekim kekun.
Në një tenxhere hedhim gjalpin për përgatitjen e karamelit dhe e lëmë të shkrijë në temperaturë mesatare. Shtojmë sheqerin dhe trazojmë sa sheqeri të njomet i tëri nga gjalpi. Nuk trazojmë me derisa masa të karamelizohet. Herë pas herë bëni rrotullime të enës së gatimit, në mënyrë që masa të karamelizohet njëtrajtësisht. Kjo proçedurë nuk zgjat më shumë se 5 minuta. Karamelin e hedhim menjëherë në tepsinë që kemi lyer me gjalpë.



Qërrojmë mollët dhe presim në feta, të cilat i shtrojmë mbi karamelin. Hedhim kanellë sipër mollëve.


Në një tas përgatisim masën e kekut, ku hedhim të gjithë përbërësit njëherësh dhe më 3 rrotullime masa e kekut është gati :). Përhapim mbi mollë. Kupa në foto është kupa që do i referoheni për përmasat.


Pjekim në 180 gradë, në mes të furrës për 25 minuta ose derisa një majë thikë të dalë e pastër. Nxjerrim tavën nga furra. I vendosim pjatancën ku do e kthejmë përmbys sipër dhe kthejmë menjëherë.
Dhe ja ku është, e bukur sa më nuk bëhet :). Nëse keni akullore servireni menjëherë ashtu të ngrohtë. Ju bëftë mirë.
 





You May Also Like

0 comments