Pulë me pilaf

by - November 09, 2016

Pulë me pilaf është pjata më tradicionale, tipike e jona. Receta bazë mund të gatuhet në disa mënyra, me erëza ose jo, me qep ose jo, me copa mishi të kuq apo pançetë, përveç atij të pulës për një shije më të fortë, por unë sot do ju tregoj recetën vetëm oriz dhe pulë, me absolutisht të njëjtën shije siç e provojmë në restorantet e fshatrave në Tiranë :)
Dy janë elemëntët që tregojnë suksesin e kësaj pjate, orizi i shkrifët dhe shija e pulës së fshatit. Meqënëse të gjesh një pulë të vërtetë fshati sot nuk është aq e lehtë dhe e lirë në çmim, do ju vij në ndihmë me një sugjerim të super provuar si goc Fieri që jam :). Kur doni të gatuani pjata me mish pule, ku gjithë shija varet nga lëngu pulës blini vetëm pulat e Radostinës. Kjo tavë dhe “pulë me rosnica” që do e postoj një herë tjetër, duan vetëm pulë Radostine, në mungesë të një pule fshati të vërtetë :). Shija e pulës së Radostinës është më afër shijës së pulës së vërtetë të fshatit që rritet në kotecin e gjyshes :). Unë furnizohem në Fier me këto pula, por edhe në Tiranë i kam gjetur tek supermarket Joena, pranë shtëpisë time tek 21 Dhjetori, edhe tek pazari ri e kam rastisur në një nga dyqanet e mishit aty. Për më poshtë receta

Përbërësit
1 pulë Radostine
500 gr oriz
50 gr gjalp
Kripë, piper

Përgatitja

Lajmë dhe presim pulën në racione. Pastrojmë nga lëkurat e tepërta. E vëm në një tenxherë pa vaj, pa gjalp, pa asnjë gjë. Pula duhet të thaj lëngjet e veta dhe do fillojë të marrë ngjyrë duke u kaurdisur në yndyrën që lëshon lëkura e saj.

Në një tepsi me garuzhde, për facilitet hedhim orizin. Them për facilitet meqë orizi përgatitet në 1 masë oriz e 2 masa ujë, lëngun e pulës që do e përgatisim në tenxhere nuk kemi nevojë ta masim me gota, por direkt me garuzhde kur ta hedhim në tavë.
Pasi mishi pulës merr ngjyrë të artë e heqim dhe e vëm mbi orizin që kemi shtruar në tavë.
Tek e njëjta tenxhere hedhim dyfishin e ujit të masave të orizit, që kemi matur me garuzhde :). Aty shtojmë gjalpin, kripën dhe piperin. Derisa masa të marrë valë, ngrohim furrën në temperaturë maksimale.
Hedhim lëngun që pregatitëm në tavë, e vëm për të pjekur në fund të furrës, 220 gradë për 20-25 minuta ose derisa lëngu të jetë shteruar. Tava është gati.
Kujdes: mos ja jepni fëmijëve menjëherë, por pasi të kenë përlarë më parë një supë me perime jeshile, ofrojani pulën me pilaf aq të preferuar si bonus 😍
Jo nuk u bëra me 3 çuna :), djali në mes është shok i ngushtë i çunave të mi :)……Ju bëftë mirë


You May Also Like

1 comments