Pispilit sipas mami Likës

by - November 02, 2016

Ja ku dolëm përsëri tek recetat e mami Likës. Shumicën e pjatave tradicionale unë i bëj vetëm siç mi ka mësuar mami im. Sigurisht që disa prej tyre dhe i përshtas, por me “little touches” :), receta bazë nuk ndryshon. Ky është rasti i pispilitit me spinaq. Ajo që unë dua t’ju tregoj me këtë recet nuk është përbërësit që ka brenda sepse ato i shton dhe i zëvendëson sipas dëshirës si psh spinaqin me lakra të egra, djathin me gjizë të mirë pa kripë, erzat sipas shijeve, por mënyra sesi mami e shtron në tavë pispilinë.

Përbërësit
2 tufa spinaq
200 gr gjizë pa kripë
500 ml kos
200 gr miell misri
Mente e freskët
Kripë
Vaj ulliri
Lajmë spinaqin dhe e grijmë në një enë të madhe. Spinaqin e vrasim me duar pasi i kemi hedhur kripë. I vetmi lehtësim në këtë recetë me spinaq, pasi ke larë gjysëm ore spinaqin është se nuk bën shumë enë për të larë :), e gjith masa përgatitet në enën ku kemi hedhur spinaqin e grirë.
Shtojmë gjizën. Këtu mund të shtojmë dhe djath, por për arsye se djathi i bardhë forcohet gjatë pjekjes unë preferoj gjizë pa kripë, të cilën e marr të një cilësie të mirë ose tek dyqani Gastronomia tek rruga e Kavajës, ose tek Bulmet Kondispoli në fillim të rrugës Myslym Shyri, për ju që jetoni në Tiranë. Me një lugë druri trazojmë gjizën me spinaqin, hedhim dhe menten e freskët.
Shtojmë një gotë kos dhe provojmë për kripë.
 Shtojmë një filxhan kafe vaj ulliri.
Më pas i hedhim përzierjes dhe 100 gr miell misri.
Tepsinë ku do pjekim pispilinë e lyejme me vaj ulliri dhe e pluhurosim me miell misri si në foto, përpara se të shtrojmë harxhën.
Pasi e sheshojmë masën në tavë, pluhurosim përsëri sipër miell misri.
Kosin e hollojmë pakëz derisa të bëhet si masë kremoze dhe lyejmë sipër masën e pispilisë. Kjo do të ndihmojë në ngjyrën e artë gjatë pjekjes. Hedhim sipër disa lug vaji dhe pjekim në mes të furrës në 220 gradë për 50 minuta. Ju bëftë mirë.







You May Also Like

0 comments