Monday, November 28, 2016

Mami Lika në kuzhinë

Këtë fundjavë të gjatë, shkuam ne tek mami Lika e cila fillon të përgatitet dy ditë para se çfarë do gatuaj për ne. Unë nuk mund t’i sjellë dot me foto gatimet e saj hap pas hapi se i gjeta të gatuara :). Diten e dielë mami na poqi pulën e detit me dy lloj përsheshesh, atë me bukë misri siç e hamë ne nga Myzeqeja :) dhe atë me miell gruri siç ja ha dhëndri. Se si mami Lika gatuan pulën e detit dhe përsheshet në dy mënyra do ja u tregoj për vit të ri.
Mami Lika dhe kuzhina janë një fjalë e vetme. Kush e njeh dhe ja ka provuar dorën e di mirë se çfarë them. Ajo që vras mendjen është se si i mban mend gjithçka që gatuan? Edhe gjëra që gatuhen rrallë ajo nuk ka nevojë të shfletoj receta. Sot në moshë dhe me diabet, ajo përsëri nuk heq dorë nga gatimet që ne, fëmijët e saj ja kërkojmë për nostalgji.
Nuk mund të harroj kur ishim të vegjël dhe kishte dasma nëpër fis, mami përgatiste në kushte shtëpie me qindra copë çokollata, amareta me çokollatë e deri tek llokumet. Mami ka patur fatin të punoj shefe në ushqimin social dhe në shtëpinë tonë gjendeshin ngjyrosës pastiçerie, esenca të ndryshme, rulona me letër çokollate dhe në prag festash shtëpia jonë kthehej në një pastiçeri të vogël :). Kam shumë nostalgji t'i kthehem me mamin përgatitjes së fondantit për çokollatat, punimin e brumit fondant me shpejtësi shumë të madhe, aq sa të digjnin duart, sepse duhet t’i jepje formë çokollatës sa më parë, pasi forcohej fondanti dhe gjithë lodhja mbi furnela të shkonte dëm. Kujtoj një grep që mami kishte sajuar kur i jepte formën e plotë çokollatave, pasi i zhyste në çokollatën e shkrirë. Kënaqësia më e madhe ishte kur ndihmonim mamin për të veshur çokollatat, se këtu fillonim e hanim fshehurazi unë me vëllain :).
Llokumet me arra siç i bënte mami në kushte shtëpie nuk i kam provuar as në Turqi, në atdheun e llokumeve :). Habiteshim të dy me vëllain sesi transformoj sheqeri me teknika të ndryshme gatimi, majë një furnele….AMAZING!!!!
Po të filloj të flas për kujtimet e vegjëlisë dhe mrekullitë që nxirrte mami Lika nga duart, ekonomiste në profesion, do më duhet të shkruaj libër, po ku i dihet hahaha
Këtë fundjavë nga mami Lika sjell vetëm një video sesi hapen petët e byrekut me një stil jo të zakonshëm :)
Mami që mos të ma prishte qejfin e zuri pak brum sa për demostrim. Meqë kjo ishte teknikë që mami e ka përvetësuar së fundmi, mendova t'ja u tregoj me video proçesin e hollimit të petëve.
Ju kërkoj ndjesë që nuk ka shumë dritë, por na ikën pak dritat në Fier dhe unë s’mund të prisja sa të vinin :).

Përgatitja
Zëmë brumin si zakonisht për byrek. E lëmë brumin të rrijë 30 minuta mbledhur me qese gatimi. E presim në toptha gjithë brumin. Marrin 4 ose 5 toptha dhe i hapim një nga një duke i hedhur sipër niseshte.
I vëmë copat e hapura njëra mbi tjetrën

Tani shijoni videon tek ky link https://youtu.be/NZ7ZwHLm98c
Kur petët i shtroni mbi tepsi do i lyeni me vaj si zakonisht. Rezultati, kur byreku piqet, do jene petët më të holla dhe më të shkrifëta që keni provuar ndonjëherë. 


SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig