Friday, January 26, 2018

Romstek sipas mami Likës

Romstek apo Ramstek nuk di të them cila është fjala më e saktë, në internet ekzistojnë të dyja, unë gjithë jetën time e kam dëgjuar “romstek” dhe ka qënë ndër gatimet që mezi i prisja në dasma. Filloja me romstekun tim e vazhdoja me të mamit ose kë të kisha pranë meje, duke i ofruar dhe gjithë pjatën e parë të mezes në këmbim 😀. Nuk e di pse i kam pëlqyer kaq shumë, kur për hir të së vërtetës ime më që e njeh mjaft mirë kuzhinën në restorantet që organizojnë dasma thoshte “nuk është gjëja më e mirë që mund të hash” dhe për faktin që kur bëhen në sasi të madha vaji ku i ke skuqur dhe për shkak të vezës me të cilën lyhen romstekët para skuqjes, nxihet më shpejt e duhet ndërruar. Por ato kohë kur romsteku ishte elementi kryesor në pjatën e mezesë në dasma kanë kaluar, ndaj dhe unë për vit të ri i gatova për qejfin tim, sipas stilit të mami Likës për të risjellë një ushqim që nuk e kam gatuar asnjëherë vet dhe për të cilën kisha nostalgji. Romstekët u pëlqyen nga gjithë familja dhe i kam gatuar dhe dy herë të tjera që nga viti i ri. Rrinë shumë të buta dhe është një version më i mirë i qoftes tradicionale. Meqë dolëm tek qoftja tradicionale, romsteku sipas mami Likës nuk do hudhër. Mami Lika ma përmendi këtë fakt si “të detyrueshme”. Dallimi kryesor i romstekut nga qofja më tha, përveç skuqjes me miell, galetë dhe vezë është se romsteku nuk pranon kurrsesi hudhër 🤔. Pa hudhër le të jetë pra 😛.

Përbërësit për qoftet:
500 gr mish viçi i grirë
2 kokrra qepë
1 vezë
Erëza (piper, rigon, spec i kuq, majdanos)
Galetë

Përbërësit për skuqjen:
2 kokrra vezë
Miell
Galetë
Vaj për skuqje
Përgatitja:
Grijmë qepën, me majdanosin derisa qepa të jetë grirë mirë. Shtoni masën e qepës mbi mishin e grirë, hidhni mbi to vezën, kripën, piperin, specin e kuq, rigonin sipas dëshirës dhe një grusht galetë. Mblidheni masën si brumë. E mbështillni me qese gatimi dhe e lini mishin të marinohet për të paktën 1 orë.


Hapi i dytë është skuqja e romstekut. Mbi tavolinën e punës vendosim 3 enë, njërën me vezë të rrahur, me miell dhe e fundit me galetë. Vendosim tiganin për skuqje mbi zjarr mesatar, hedhim vajin dhe e lëmë kohën e mjaftueshme sa vaji të nxehet. Mënyra sesi ta kuptoni kur vaji është gati provohet duke vendosur dorën tuaj sipër tiganit dhe nëse ndjeni ngrohtësi vaji është gati ose më efikase për fillestarët 😁 është: vendosni bishtin e lugës së drurit në vajin e nxehtë. Nëse rreth bishtit vaji fillon të lëshojë bulëza, vaji është gati për skuqje.
Japim forma romstekëve dhe një nga një i lyejmë fillimisht tek mielli. Veprojmë kështu me gjithë masën e qofteve. Më pas i marrim romstekët, i kalojmë në vezën e rrahur dhe në fund tek galeta. I vendosim për skuqje me flakë mesatare, duke i lënë të paktën 3 minuta nga secila anë. Në një pjatë shtroni letër duarsh dhe vendosni romstekët e skuqur.


Ja dhe Zoi që mezi po pret pjesën e saj 🐺🐯😜.




Vijoni kështu me skuqjen e gjithë romstekëve duke vendosur letra duarsh sa herë që hiqni romstekët nga vaji për në pjatancë. Do shikoni vet që romstekët nuk është se do thithin shumë vaj. Vajin e mbetur do ta derdhni.
Servirni të ngrohtë me sallatë ose sipas dëshirës tuaj. Ju bëftë mirë.









SHARE:

Tuesday, January 23, 2018

Trofie me pulë dhe brokoli sipas Ledinës

Ndoshta është shumë që këto dy muaj ju kam bombarduar me receta pastash dhe receta të Ledinës. “I can’t help it” 😍, nuk mund të bëj ndryshe sepse së pari Ledina është pjesë e përditshmërisë time, ndajmë shumë pasione bashkë dhe së dyti unë ushqej 3 meshkuj dhe pasta është një  vakt i plot dhe i sigurtë që e konsumojnë të tre me qejf.
Ok, kjo pastë ka brokoli, por çuditërisht e hëngrën, sidomos Henri e pëlqeu shumë. Zbuloi që brokoli ishte i ngrënshëm 💪😊. Luis pati ca përparime se e la në pjatë nuk e “vërviti” nga pjata me prezantimin e parë. E hoqi mënjanë brokolin dhe vijoi me përbërësit e tjerë 🤑.
Faleminderit Ledina që më sugjeron receta me perime të çuditshme për fëmijët dhe ndjesë nëse fal blogut tim, do fillojnë të të marrin mësysh për vlerat që ke në kuzhinë, ata që nuk të njohin kaq mirë sa unë 😍😎.

Përbërësit për 4 persona:
500 gr trofie (pastë në formë spirale)
250 gr gjoks pule
1 lule brokoli
100 gr mocarela
1 lugë gjelle djath i  mykur
2 lugë gjelle pana për gatim
1 lugë çaji pluhur kerri
2 lugë gjelle salcë soja
Piper
Djath i grirë Grana për servirje
Vaj ulliri

Përgatitja:
Presim fileton e pulës në kubikë dhe e kaurdisim në një tigan ku kemi hedhu r pak vaj për gatim. Shtojmë erëzat, kerrin dhe piperin. E trazojmë pulën disa herë derisa të gatuhet njëtrajtësisht nga të gjitha anët dhe kur të jetë gati shtojmë salcën e sojës.

Ndërkohë që gatuajmë pulën, duhet të kemi vënë tenxheren me ujë të kripur për trofin. Kur uji është gati, shtojmë pastën.
Pasi kemi shtuar sojën tek pula hedhim brokolin e ndarë në lule të vogla dhe një filxhan caji nga uji i makaronave që po ziejnë. Mos i lini shumë brokolit të ziejnë, i lini pak krokante.
Në fund i shtojmë masës mocarela, gorgonzola, pak pana sa ta lidhim përbërjen dhe hedhim mbi to pastën që e kemi kulluar më parë.




Dy këshilla: E para, kur doni që pasta dhe salca që keni përgatitur të bëjnë një lidhje sa më të mirë, hiqeni pastën 2 minuta para kohës së zierjes (sipas shënimit mbi paketim) dhe ato dy minuta gatuajeni bashkë më salcën që keni përgatitur. Në këtë mënyrë do keni një pastë të gatuar si shefa të vërtetë 🤗. Këshilla e dytë që e them sa herë gatuaj me salcë soja dhe djath gorgonzola, tregoni kujdes me kripën, pasi dy përbërësit më lartë i japin shumë shije gatimit dhe nuk ka nevojë për përdorimin e kripës. Gjithsesi sipas shijes tuaj, tregoni kujdes kur i shtoni kripë këtyre gatimeve.  
Pasta është gati. Shtoni pak vaj ulliri dhe djath të grirë dhe servireni menjëherë. Ju bëftë mirë.










SHARE:

Wednesday, January 10, 2018

Pasta e bërë vet në shtëpi

Ditën e dielë isha ngritur e vendosur për të gatuar pasta të përgatitur vet, në kushte shtëpie. Shkas për këtë ishte dhe semolina e mbetur, e blerë për gatimin e melomakaronave. Kisha dëgjuar shpesh nga Elona e Redit, që pasta më e shijshme dhe e kollajtë në kushte shtëpie, ku gjithçka realizohet me dorë është me miell semolina. Nëse receta bazike ju sugjeron një kokër mesatare vezë, për 100 gr miell, Elona ashtu si dhe Mami Lika përdornin 5 kokrra vezë, për 1 kg miell. Këto përmasa rastësisht i dëgjova po atë ditë dhe nga zonjat e Voskopojës në përgatitjen e petkave, ndaj dhe nën këshillimin e Elonës me eksperiencë disa vjeçare në Itali dhe mami Likës që i ka bërë “që në kohët” këto gatime 😛, ju futa gatimit të pastës së bërë në shtëpi, e gjitha “handmade” e gatuar me dorë, me asnjë makineri apo pajisje.
Mos u trembni kur e theksoj fjalën e gatuar e tëra me dorë sepse vështirësia në përgatijen e kësaj paste është mesatare për dikë fillestar në kuzhinë. Për mamat si unë është më lehtë se të hapësh petë për byrekun 😊. I gjithë proçesi ngjall shumë gjallëri dhe kërshëri në familje, ndaj provoni t’i gatuani këto për familjen tuaj në një fundjavë. Kostoja për 4 persona është më pak se një pjata pasta në restorant 🤗.

Përbërësit e pastës për 4-5 persona:
600 gr miell semolina
3 kokrra vezë
Ujë

Për salcën:
700 ml salcë domate e thjeshtë
4 lugë gjelle vaj ulliri
3-4 thelpinj hudhër
2 lugë çaji pesto me borzilok (ose borzilok i freskët)
½ lugë çaji sheqer
Kripë/Piper
Djath parmixhano i grirë

Përgatitja:

Hedhim miellin në një enë, shtojmë vezët dhe punojmë me duar. Filloni shtoni pak ujë derisa brumi të mblidhet i tëri jo i fortë, por si për brumë byreku. Punojmë masën për 3-4 minuta mbi bankon e punës. Mbledhim brumin me membrane dhe e lëmë për të paktën 1 orë të pushojë.




Fillojmë me përgatitjen e salcës. Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit dhe shtojmë thelpinjtë e hudhrës të shtupur me dorë. Kur hudhra lëshon aromën e saj shtojmë peston, salcën, sheqerin, kripë, piper. Ndërkohë që salca zien për 3-4 minuta, shtojmë dhe një filxhan kafe ujë. Rregullojmë shijen me kripë sipas nevojës.
Shënim: Nëse keni borzilok të freskët, nuk keni nevojë të shtoni pesto. Unë përdor pesto sa herë në mungëse të borzilokut të freskët.
Salca është gati.


Fillojmë me përgatitjen e pastës. Në tavolinën e punës mbajmë pak miell semolina që do spërkasim gjatë gjithë kohës që do hapim dhe presim petët. Ndajmë brumin në disa pjesë dhe hapim me to petë pakëz më të trasha se petët e byrekut. I palosim petët si në foto dhe në çdo palosje spërkatim me pak miell semolina. Më pas i presim në rripa sipas trashësisë të dëshiruar. I hapim rripat e prerë dhe ju ku e kemi gati pastën e bërë në shtëpi 🤗. I rregullojmë petët mbi një pecetë.
Kjo pastë konsumohet menjëherë. Nëse do duhet ta ruajmë për përdorim të mëvonshëm do duhet ti thajmë petët sa të bëhen krokante.













  

Pasi mbarojmë më gjithë prerjen e petëve, vendosim një tenxhere me ujë e kripë në zjarr. Pjesë pjesë i hedhim makaronat në tenxhere dhe i lëmë në ujë jo më shumë se 2-3 minuta, do shihni që petët do fryhen pakëz. I nxjerrim me një kullesë dhe i kalojmë direkt tek salca e përgatitur. Pasi kemi kaluar gjithë pastën tek salca, shtojmë një filxhan të vogël nga lëngu ku zjem pastën dhe e vendosim tenxheren në zjarr për 2 minuta derisa pasta të lidhet me salcën.



Servirim menjëherë duke grirë sipër djath sipas dëshirës. Më besoni kur ju them që nuk do pendoheni për gjithë mundin. Shija është e mrekullueshme. Ju bëftë mirë.






SHARE:
Blogger Template Created by pipdig