Pasta e bërë vet në shtëpi

by - January 10, 2018

Ditën e dielë isha ngritur e vendosur për të gatuar pasta të përgatitur vet, në kushte shtëpie. Shkas për këtë ishte dhe semolina e mbetur, e blerë për gatimin e melomakaronave. Kisha dëgjuar shpesh nga Elona e Redit, që pasta më e shijshme dhe e kollajtë në kushte shtëpie, ku gjithçka realizohet me dorë është me miell semolina. Nëse receta bazike ju sugjeron një kokër mesatare vezë, për 100 gr miell, Elona ashtu si dhe Mami Lika përdornin 5 kokrra vezë, për 1 kg miell. Këto përmasa rastësisht i dëgjova po atë ditë dhe nga zonjat e Voskopojës në përgatitjen e petkave, ndaj dhe nën këshillimin e Elonës me eksperiencë disa vjeçare në Itali dhe mami Likës që i ka bërë “që në kohët” këto gatime 😛, ju futa gatimit të pastës së bërë në shtëpi, e gjitha “handmade” e gatuar me dorë, me asnjë makineri apo pajisje.
Mos u trembni kur e theksoj fjalën e gatuar e tëra me dorë sepse vështirësia në përgatijen e kësaj paste është mesatare për dikë fillestar në kuzhinë. Për mamat si unë është më lehtë se të hapësh petë për byrekun 😊. I gjithë proçesi ngjall shumë gjallëri dhe kërshëri në familje, ndaj provoni t’i gatuani këto për familjen tuaj në një fundjavë. Kostoja për 4 persona është më pak se një pjata pasta në restorant 🤗.

Përbërësit e pastës për 4-5 persona:
600 gr miell semolina
3 kokrra vezë
Ujë

Për salcën:
700 ml salcë domate e thjeshtë
4 lugë gjelle vaj ulliri
3-4 thelpinj hudhër
2 lugë çaji pesto me borzilok (ose borzilok i freskët)
½ lugë çaji sheqer
Kripë/Piper
Djath parmixhano i grirë

Përgatitja:

Hedhim miellin në një enë, shtojmë vezët dhe punojmë me duar. Filloni shtoni pak ujë derisa brumi të mblidhet i tëri jo i fortë, por si për brumë byreku. Punojmë masën për 3-4 minuta mbi bankon e punës. Mbledhim brumin me membrane dhe e lëmë për të paktën 1 orë të pushojë.




Fillojmë me përgatitjen e salcës. Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit dhe shtojmë thelpinjtë e hudhrës të shtupur me dorë. Kur hudhra lëshon aromën e saj shtojmë peston, salcën, sheqerin, kripë, piper. Ndërkohë që salca zien për 3-4 minuta, shtojmë dhe një filxhan kafe ujë. Rregullojmë shijen me kripë sipas nevojës.
Shënim: Nëse keni borzilok të freskët, nuk keni nevojë të shtoni pesto. Unë përdor pesto sa herë në mungëse të borzilokut të freskët.
Salca është gati.


Fillojmë me përgatitjen e pastës. Në tavolinën e punës mbajmë pak miell semolina që do spërkasim gjatë gjithë kohës që do hapim dhe presim petët. Ndajmë brumin në disa pjesë dhe hapim me to petë pakëz më të trasha se petët e byrekut. I palosim petët si në foto dhe në çdo palosje spërkatim me pak miell semolina. Më pas i presim në rripa sipas trashësisë të dëshiruar. I hapim rripat e prerë dhe ju ku e kemi gati pastën e bërë në shtëpi 🤗. I rregullojmë petët mbi një pecetë.
Kjo pastë konsumohet menjëherë. Nëse do duhet ta ruajmë për përdorim të mëvonshëm do duhet ti thajmë petët sa të bëhen krokante.













  

Pasi mbarojmë më gjithë prerjen e petëve, vendosim një tenxhere me ujë e kripë në zjarr. Pjesë pjesë i hedhim makaronat në tenxhere dhe i lëmë në ujë jo më shumë se 2-3 minuta, do shihni që petët do fryhen pakëz. I nxjerrim me një kullesë dhe i kalojmë direkt tek salca e përgatitur. Pasi kemi kaluar gjithë pastën tek salca, shtojmë një filxhan të vogël nga lëngu ku zjem pastën dhe e vendosim tenxheren në zjarr për 2 minuta derisa pasta të lidhet me salcën.



Servirim menjëherë duke grirë sipër djath sipas dëshirës. Më besoni kur ju them që nuk do pendoheni për gjithë mundin. Shija është e mrekullueshme. Ju bëftë mirë.






You May Also Like

0 comments