Romstek sipas mami Likës

by - January 26, 2018

Romstek apo Ramstek nuk di të them cila është fjala më e saktë, në internet ekzistojnë të dyja, unë gjithë jetën time e kam dëgjuar “romstek” dhe ka qënë ndër gatimet që mezi i prisja në dasma. Filloja me romstekun tim e vazhdoja me të mamit ose kë të kisha pranë meje, duke i ofruar dhe gjithë pjatën e parë të mezes në këmbim 😀. Nuk e di pse i kam pëlqyer kaq shumë, kur për hir të së vërtetës ime më që e njeh mjaft mirë kuzhinën në restorantet që organizojnë dasma thoshte “nuk është gjëja më e mirë që mund të hash” dhe për faktin që kur bëhen në sasi të madha vaji ku i ke skuqur dhe për shkak të vezës me të cilën lyhen romstekët para skuqjes, nxihet më shpejt e duhet ndërruar. Por ato kohë kur romsteku ishte elementi kryesor në pjatën e mezesë në dasma kanë kaluar, ndaj dhe unë për vit të ri i gatova për qejfin tim, sipas stilit të mami Likës për të risjellë një ushqim që nuk e kam gatuar asnjëherë vet dhe për të cilën kisha nostalgji. Romstekët u pëlqyen nga gjithë familja dhe i kam gatuar dhe dy herë të tjera që nga viti i ri. Rrinë shumë të buta dhe është një version më i mirë i qoftes tradicionale. Meqë dolëm tek qoftja tradicionale, romsteku sipas mami Likës nuk do hudhër. Mami Lika ma përmendi këtë fakt si “të detyrueshme”. Dallimi kryesor i romstekut nga qofja më tha, përveç skuqjes me miell, galetë dhe vezë është se romsteku nuk pranon kurrsesi hudhër 🤔. Pa hudhër le të jetë pra 😛.

Përbërësit për qoftet:
500 gr mish viçi i grirë
2 kokrra qepë
1 vezë
Erëza (piper, rigon, spec i kuq, majdanos)
Galetë

Përbërësit për skuqjen:
2 kokrra vezë
Miell
Galetë
Vaj për skuqje
Përgatitja:
Grijmë qepën, me majdanosin derisa qepa të jetë grirë mirë. Shtoni masën e qepës mbi mishin e grirë, hidhni mbi to vezën, kripën, piperin, specin e kuq, rigonin sipas dëshirës dhe një grusht galetë. Mblidheni masën si brumë. E mbështillni me qese gatimi dhe e lini mishin të marinohet për të paktën 1 orë.


Hapi i dytë është skuqja e romstekut. Mbi tavolinën e punës vendosim 3 enë, njërën me vezë të rrahur, me miell dhe e fundit me galetë. Vendosim tiganin për skuqje mbi zjarr mesatar, hedhim vajin dhe e lëmë kohën e mjaftueshme sa vaji të nxehet. Mënyra sesi ta kuptoni kur vaji është gati provohet duke vendosur dorën tuaj sipër tiganit dhe nëse ndjeni ngrohtësi vaji është gati ose më efikase për fillestarët 😁 është: vendosni bishtin e lugës së drurit në vajin e nxehtë. Nëse rreth bishtit vaji fillon të lëshojë bulëza, vaji është gati për skuqje.
Japim forma romstekëve dhe një nga një i lyejmë fillimisht tek mielli. Veprojmë kështu me gjithë masën e qofteve. Më pas i marrim romstekët, i kalojmë në vezën e rrahur dhe në fund tek galeta. I vendosim për skuqje me flakë mesatare, duke i lënë të paktën 3 minuta nga secila anë. Në një pjatë shtroni letër duarsh dhe vendosni romstekët e skuqur.


Ja dhe Zoi që mezi po pret pjesën e saj 🐺🐯😜.




Vijoni kështu me skuqjen e gjithë romstekëve duke vendosur letra duarsh sa herë që hiqni romstekët nga vaji për në pjatancë. Do shikoni vet që romstekët nuk është se do thithin shumë vaj. Vajin e mbetur do ta derdhni.
Servirni të ngrohtë me sallatë ose sipas dëshirës tuaj. Ju bëftë mirë.









You May Also Like

0 comments