Friday, December 30, 2016

Bakllava “qëmoti” sipas mami Likës

Është hera e parë që kur kam hyrë në derën e burrit :))), që në shtëpinë time bëhet një bakllava si prej qëmoti, petë më petë, të shpërndara në çdo cep të shtëpisë :). Dhe nuk kishte si të mos i fotografoja shpërndarjen e petëve, që duhen tharë përpara se të shtrohen në tepsi.
Ka shumë vite, që për kollajllik të gjithë bëjmë bakllavanë me recetën turke, ndaj nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të përjetosh momentet e fëmijërisë, bashkë me fëmijët e tu.
Unë mendoj, por këtë e mendon dhe mami Lika, që nuk ka një recetë të vetme, të sigurtë që qarkullon për bakllavanë, edhe për modelin që hapet petë më petë. Të gjithë kemi një element, apo një përbërës që i shtojmë më shumë apo më pak. Vetëm në shënimet e mija në dy vjet që bëj bakllanë vet (atë turke), kam mbi 10 receta bakllavaje nga bisedat që ndaj me miq, ku diku ka më shumë vezë, diku ka vetëm të verdha vezësh, diku lëng limoni, e diku tjetër pak uthull. Thënë sa më lart, edhe bakllavaja e mami Likës, është një nga ato shumë receta që mamat apo gjyshet tona kanë përshtatur sipas eksperiencës apo recetave të trashëguara.
Dua të sqaroj këtu, që mami Lika nuk ka fare lidhje me pastiçeri Lika :). Me gjithë respektin, nuk do preferoja asnjëherë një bakllava që nuk është përgatitur në kushtet e shtëpisë, në natën e ndërrimit të viteve.

Përbërësit
1 kg miell
3 të verdha vezë fshati + 1 vezë e plotë
1 filxhan kafe vaj vegjetal
1 majë luge kafe kripë
1 majë luge kafe sheqer
Ujë të vakët aq sa të zihet brumi
Niseshte për të hapur petët
500 gr gjalp të shkrirë + 1 filxhan çaji vaj vegjetal

Shërbeti
2 kg sheqer
1 liter e 600 ml ujë

Përgatitja
Në mes të miellit hedhim gjithë përbërësit dhe ujë të vakët, aq sa të mbledhim brumin. E punojmë brumin për 5 minuta. E mbulojmë me një pecetë pambuku dhe e lëmë të vijë për rreth 2 orë në një ambient të ngrohtë. Bëjmë gati vendin e punës. Presim brumin në toptha, i mbajmë topthat e mbuluar dhe një nga një fillojmë të hapim petët, duke i spërkatur me niseshte. Petët e bakllavasë duhen hapur në një ambient të ngrohtë, ndaj dhe ne i hapëm brenda në sallon :).
I shpërndajmë petët e hapura mbi divanë ose tavolina të tjera të shtëpisë, ku kemi shtruar më përpara peceta të pastra. Në këtë mënyrë petët fillojnë e thahen dhe janë gati për t’u shtruar në tepsi.




Ne na dolën 45 petë dhe i vendosëm 10 e nga 10 duke krijuar 3 zemra me arra.

Presim bakllavanë dhe i hedhim sipër gjalpin të cilin e kemi shkrirë më parë dhe kemi shtuar një filxhan çaji, vaj vegjetal.

  




Fillimisht pjekim në mes të furrës, në 180 gradë, për rreth 35-40 minuta, sa të fillojë yndyra të ziejë në sipërfaqe dhe peta të marrë ngjyrë të artë (kjo mund të variojë në minutazh, në varësi të sobës). Kur peta merr ngjyrën e artë e ulim gradacionin në 150 gradë dhe mbulojmë bakllavanë me letër alumini. E lini në këtë gjendje për të paktën 3 orë. Një orë para pjekjës përfundimtare e heqim letrën e aluminit dhe herë pas here i kontrollojmë petët në mes, derisa ajo të shkërmoqet si biskotë. Kjo tregon pjekjen përfundimtare të bakllavasë dhe i jep një pamje pak të "zhubravitur" :))) qëndrës së bakllavasë, nga kontrolli i vazhduar që i bëjmë petës, për t'u siguruar në pjekjen e plotë. E lëmë bakllavanë të ftohet, ndërkohë që përgatisim sherbetin.


Vendosim ujin dhe sheqerin të ziejë dhe e lëmë në zjarr 15 minuta nga pika e vlimit. Shërbetin e nxehtë e hedhim mbi bakllavanë e ftohtë. E lëmë për tërë natën derisa shërbeti të jetë përthithur nga peta, përpara se ta servirim. 
Ju bëftë mirë dhe GËZUAR VITIN E RI 2017.



SHARE:

Tavë me kukurec sipas mami Likës

Për Vit të Ri, përveç pulave të detit, ka lezet dhe pak mish qingji :). Dhe  kur qingjin e blen vet, të brendshmet e tij, mamaja ime i bën gjithmonë kukurec dhe kukurecin tavë me qepë të njoma. Kukureci është një lidhje e zorrëve të qingjit, ku brenda futen plënci dhe gjëndrat. Ndërkohë që shkruaj, mami Lika rrëfen :). 
Sesi mami Lika lidh vargun e kukurecit, nuk ja u demostroj dot se ma solli gati nga Fieri, por dhe kur jam në Fier, unë nuk i ofroj as gishtin që nevojitet si çengel, në mënyrë që mami Lika të punojë me lidhjen e tij. Premtoj që tek qingj i radhës për Pashkë, ta filmoj proçesin :).
Më duhej të jetoja disa dekada të jetës time, përpara se të lija mendjen pas tavës së kukurecit. Edhe fëmijë, edhe goxha e rritur, siç besoj të gjithë ju, kur shihja të brendshme, largohesha e tmerruar :))). Por sa më shumë rritemi, aq më shumë kthehemi tek ushqimet tona bazë dhe tradicionale.
Mami Lika, e kishte bërë gati “ndërtesën” apo gjellën e tavës, ndërkohë që unë nuk isha në shtëpi, por pa merak se do e shpjegoj shumë qartë :).

Përbërësit
Gjysëm kg qepë të njoma
1 tufë kopër
4 thelpinj hudhër
1 lugë gjelle miell
1 lugë gjelle spec i kuq pluhur
Kripë, piper

Përgatitja

Pastrojmë dhe grijmë qepën e njomë. E kaurdisim për 3-4 minuta në tigan. Shtojmë koprën e grirë, thelpinjtë e hudhrës, dhe lëmë në zjarr për ndonjë minutë. Hedhim specin e kuq dhe miellin, trazojmë derisa masa të bëhet uniformë. Shtojmë ujë avash avash, duke përzjerë. (2 gota ujë). Rregullojmë me kripë.
Kukureci është i zjerë më parë në ujë me kripë, për rreth gjysëm ore. Kësaj tave i shtohet dhe mëlçia e bardhë dhe kjo e zierë bashkë më kukurecin.
E presim kukurecin në copa. Hedhim mbi to gjellën me qepë të njoma. Shtojmë pak ujë tek tigani dhe ja hedhim përsëri tavës. Pjekim në fund të furrës, në 250 gradë, për 40 minuta.


Serviret e nxehtë :). Ju bëftë mirë. 







SHARE:

Tuesday, December 27, 2016

Sallatë me patëllxhanë

Për vit të ri, kur tradita e do që tavolina të ketë disa lloje mishi të servirura (përndryshe nuk quhet), t'i kënaqësh familjarët e tu me sallatra të ndryshme është një sfidë. Unë ju kam bërë disa propozime më përpara, por kjo që ju sjell sot është shumë pranë tradicionales tonë dhe mua ma sugjeroi shoqja ime korçare Nastila. Nastila e përgatiti gjatë drekes më miqtë e saj amerikanë “Cooking and eating tradition” “Të gatuash dhe të hash sipas traditës”, të cilët jo vetëm që e përlanë, por kërkuan të merrnin dhe me vete :).
Sallata ëshë me patëllxhanë dhe djath të bardhë, më tradicionale nuk bëhet :). Faleminderit Nastil.

Përbërësit
5 patëllxhanë
Dajth I bardhë
2-3 thelpinj hudhër
Vaj ulliri
2 lugë açeto balsamik

Përgatitja
Presim patëllxhanin në rripa të hollë si në foto. I shtrojmë në një tavë, ku i hedhim vaj ulliri dhe kripë.
I vendosim në furrë në 250 gradë për 30 minuta, duke i trazuar herë pas here, nëse i keni vendosur në një tepsi të vogël si unë dhe patëllxhanët bien mbi njëra tjetrën :).
I nxjerrim nga furra dhe menjëherë shtojmë hudhrën e grirë, açeton dhe e mbulojmë me qese gatimi për 10 minuta.

Më pas zbulojmë, shtojmë djathin e bardhë dhe servirim duke shtuar pak vaj ulliri sipas dëshirës. Ju bëftë mirë.


SHARE:

Monday, December 26, 2016

Melomakarona

Kjo është një ëmbëlsirë greke me mjalt dhe gatuhet në prag Krishtlindjesh. Ka aromat e duhura të festës dhe prej disa vitesh mami Lika e përgatit gjithmonë në këtë vigjilje. Ndërsa për mua, ky është viti i dytë që e bëj vet dhe prej dy vjetësh përdor recetën e Nadës. Receta është autentike me shkrim dore :), shkruar kushedi se kur :). Nada është kushurira ime e dytë, nga ana e mami Likës :), por është sikur ta ketë lindur mami Lika. Mami Lika mund të presë një turmë miqsh për drekë, pa njoftim fare. Sesi e mbush tavolinën pa u ndjerë, vetëm mami Lika dhe Nada e di :). Nada ka dhe një talent tjetër dekorimin e pjatave, po jo dekorim, art më vete :). Nëse do ketë durim të na bëj ca foto për këtë vit të Ri, do i dedikoj një postim vetëm dekorimit të Nadës që të lë pa mend.
Nada, mos harro që ne këtej jemi në Shqipëri, duam art vetëm me gjëra shqipëtare, jo Amerikane :).
Receta më poshtë, shoqëruar dhe me foton që më ka nisur Nada.

Përbërësit
1 filxhan çaji vaj ulliri
1 filxhan çaji vaj misri
Lëkura e grirë e një portokalli
2 lugë kafe pluhur pjekës
1 lugë kafe sod buke
1 filxhan çaji sheqer
6 filxhan çaji miell 00
1 filxhan çaji miell Semola
1 teke konjak
½ filxhan çaji lëng portokalli
150+100 gr arra të grira
Kanellë, karaifil pluhur

Për shërbetin
2 filxhan çaji sheqer
2 filxhan çaji mjalt
2 filxhan çaji ujë
Lëngu i gjysëm limoni
Lëkura e gjysëm portokalli
Përgatitja
Në një tas të madh hedhim pa ndonjë radhë të përcaktuar të gjithë përbërësit dhe 150 gr arra të grira imët si në foto. Mbani parasysh që të përdorni të njëjtën masë sa herë kemi thënë “filxhan çaji”. Kjo është masa ime.

Me një lugë druri trazoni përzjerjen. Përdorini dhe pak duart për ti bashkuar mirë gjithë përbërësit. Kjo është masa e duhur, si masë brumi biskotash.

Fillojmë t’i japim forma melomakaronave, duke vendosur brum në mes të gishtave dhe duke e punuar për 30 sekonda nga një dorë tek tjetra. Forma që marrin melomakaronit janë si më poshtë.

Pjekim në 180 gradë në mes të furrës për 35-40 minuta, aq sa ato të marrin ngjyrë të artë në pjesën e poshtme. 100 gr arra të grira i ndajmë në dy pjesë. Njërën pjesë e shpërndajmë si në foto mbi pjatancën e servirjes dhe mbi to vendosim melomakaronët e pjekur. Me këto përmasa mua më dolën 42 copë dhe tava u vu dy herë.


Bëjmë shërbetin ndërkohë që melomakaronët ftohen. Shërbeti i kësaj ëmbëlsire nuk është tradicional jo vetëm në përbërës, por edhe në minutazhin e zierjes.
Hedhim sheqerin, mjaltin, lëngun e limonit, lëkurën e portokallit në një tenxhere dhe shtojmë 2 filxhan çaji me ujë të ngrohtë. Vendosim mbi flakë mesatare dhe trazojmë derisa mjalti dhe sheqeri të tretet. Sapo shërbeti fillon të nxjerr bulëzat e para e heqim nga zjarri. Gjithë ky proçes zgjat jo më shumë se 5 minuta.
Menjëherë fillojmë e zhysim melomakaronët e ftohtë 1 minutë nga secila anë dhe me një lugë i vendosim përsëri mbi pjatancë. Veprojmë kështu me të gjithë biskotat. Hedhim shërbetin e mbetur mbi melomakarona (shumë pak mbetet) dhe shpërndajmë mbi to arrat e mbetura të grira.


 Fotot në vijim. Ju bëftë mirë.




SHARE:
Blogger Template Created by pipdig