Krem djathi dhe antipasta festive

by - December 24, 2016

Kremi i djathit qëndron aq mirë vetëm, sa mund ta lësh dhe pa antipastë :). Po ti shtosh dhe një dorë të mirë arra të grira? Po ti shtosh dhe 3-4 lugë krem të thartuar “sour cream”? Po ja lë përgjigjen imagjinatës tuaj :).
Antipastat me krem djathi unë sot i sjell me tre lloje perimesh, selino, domate të vogla dhe panxhar. Dy pjata që do ju kënaqin syrin dhe shijen.
Përgatitja e këtyre pjatave është me vështirësi zero. Kremi i djathit është një produkt që nuk na gjendet në çdo moment në frigorifer, edhe për shkak të kostos së tij. Për këtë recetë unë nuk do ju sugjeroj markën më të shtrenjtë, keni plot marka të tjera në supermarket me të njëjtën shije. Produkti që unë përdora për këtë recetë kushton 160 lek (gjendet dhe në versionin light) dhe shija është e njëjtë me Philadelphia që njohim të gjithë.
Në përgatijen e kremit të djathit me arra, unë shtoj dhe 3-4 lugë krem të thartuar sepse ndihmon në kremozitetin e tij.

Përbërësit për kremin
1 pako krem djathi
3-4 lugë gjelle krem i thartuar
70 gr arra të grira (një grusht :)

Perime për 4 persona
10 kokrra domate të vogla
2-3 trupa selino
2 panxharë
Grijmë arrat dhe i hedhim në një tas. Mbi to shtojmë djathin dhe kremin e thartuar. Trazojmë dhe është gati. Mund ta testoni shijen me provën e lëpirjes së gishtit :)))

Bëjmë perimet gati. Lajmë dhe thajmë domatet e vogla. Pastrojmë selinonë nga fije me qëruesen e patates. Ziejmë panxharët si zakonisht, i qërojmë dhe grijmë në forma rrethore. I marinojmë për 1 orë me vaj ulliri, kripë, açeto.
Selinon e vendosim në pjatancën e servirjes nga ana harkore e degës së saj dhe e mbushim me kremin e djathit. Zbukurojmë me domatet e vogla. Në fotot më poshtë shikoni dhe si kemi servirur panxharin. Ju bëftë mirë.










You May Also Like

0 comments