Byrek me mollë

by - December 01, 2016

Siç edhe e kam thënë ëmbëlsirat me mollë janë ndër më të preferuarat e gjysmës time :), kështu që gjatë stinës së dimrit gjej rastin t’i gatuaj receta të ndryshme. Byreku me mollë është një ëmbëlsirë që e preferojnë shumë dhe fëmijët, e cilësoj këtë fakt sepse çunave të mi copat e frutave në një kek, u duken si copat e perimeve në një supë :). I heqin mënjanë. Por tek kjo recetë e thjeshtë në përbërës, por shumë e mirë në shije ata i përlajnë copat e mollës :).
Mollët dhe limoni, përbërës kryesor të kësaj recete gjenden në çdo shtëpi në këtë stinë, kështu që mos përtoni dhe bëjeni. Kësaj ëmbëlsirë për një figurë më të mirë kur ju vijnë miq, i shkon shumë dhe pak akullore me vanilje sipër :).

Përbërësit
3 mollë mesatare
1 kokër limon
2 lugë gjelle sheqer kaf
1 lugë çaji kanellë
1 lugë gjelle gjalp

1 petë sfoliatë
Përgatitja
Qërojmë mollët dhe i presim në kubikë. Në një tenxhere apo tigan hedhim një lugë gjalpë, shtojmë mollët, lëngun e një limoni, sheqerin. Trazojmë dhë lëmë në zjarr 3-4 minuta derisa mollët të zbuten. Shtojmë kanellën dhe heqim mënjanë.
Në një tepsi shtrojmë letër gatimi. Mbi të vendosim petën sfoliat e cila ka arritur një zbutje në temperaturë normale (kur e blëjmë petën sfoliatë ajo është e ngrirë pasi rri në frigorifer. Mjaft ta blini petën 1 apo 2 orë përpara gatimit, në mënyrë që peta të zbutet, jo qulloset, në temperaturë ambjenti). Pluhurosim shtratin e petës me pak miell.
Presim anët e petës si në foto, nga të dyja anët në shirita 2 cm të trashë.
Hedhim masën me mollë në shtratin e petës dhe mbulojmë me shiritat nga të dyja anët.

Pjekim në 180 gradë, në mes të furrës për 25-30 minuta derisa peta të marrë ngjyrë të artë.
Pluhurosim me sheqer pluhur dhe presim pak përpara se ta servirim, pasi peta shumë e nxehtë mund të shkërmoqet. Ju bëftë mirë.





You May Also Like

0 comments