Makaronat e skuqura të mamit

by - November 24, 2016

Këtë herë nuk e kam quajtur recetë të mami Likës sepse të gjitha mamatë na i kanë gatuar në fëmijërinë tonë. Me makaronat e skuqura nuk bën dot “shpikje”, receta gatuhet në çdo shtëpi njëlloj :). Deri para disa vitesh, kur mamaja ime ma solli ndërmend, netëve të dimrit, kur përtoj të gatuaj për darkë, makaronat e skuqura janë një bekim për gjithë familjen. Shoqëruar me djath të bardhë, të 3 çunat e mi vihen në radhë për ta ngrënë me dëshirë të madhe :).
I vetmi truk që unë përdor për një shije më të mirë, janë paketat STAR me çfarëdolloj shije mishi apo perime që më gjendet në frigorifer.

Përbërësit
500 gr makaronë e vogël
1 paketë Star
1 filxhan kafe vaj
1 lugë gjelle gjalp
Ujë, kripë

Përgatitja

Hedhim vajin në tenxhere, në zjarr mesatar. Kur vaji ngrohet hedhim makaronat dhe trazojmë me lugë druri herë pas here që makaronat të marrin ngjyrën e skuqjes.
Ngrohim ujë në një tenxhere, aq sa masa e makaronave. Dmth masa ujë – makarona, për këtë recetë është 1 me 1. Unë përdora këtë gotë për të matur makaronat, po aq ujë të nxehtë i shtova makaronave për të zierë.
Pasi hedhim ujin, shtojmë paketën Star, kripë dhe lëmë të ziejnë derisa makaronat të kenë shteruar gjithë ujin. Në këtë moment i shtojmë dhe gjalpin dhe përziejmë. Servirim. Ju bëftë mirë.



You May Also Like

3 comments