Monday, October 31, 2016

Qoftet sipas Ritës

Kjo është hera e parë që unë përgatis qofte me mish të grirë, por që në përzjerjen e saj të ketë dhe një patate të zjerë. Me aq sa mund të më thërrase memorja ime, dikur i shtonin dhe patate qofteve për të plotësuar nevojat e mangta me mish. Gjithsesi nëse ky sugjerim më vjen nga Rita, unë nuk e vë në dyshim asnjëherë cilësinë e gatimit dhe shijen e mrekullueshme. Rita është një mama me tre djem (një më shumë se unë), sipërmarëse dhe me gjithë mundësitë që ka, çdo gatim në shtëpinë e saj e bën vet. Dhe nuk po flasim për gatime të thjeshta, kuzhina e Ritës është si një restorant i vogël Italian :). Vetëm pasi kam filluar të ndaja receta të ditës me Ritën, rashë ne paqe me veten për sa ëmbëlsira gatuaj gjatë javës, kek e biskota, por që fëmijët i duan dhe i kanë si shpërblim për balancat e tjera ushqimore fruta e perime që marrin gjatë ditës. Recetat e Ritës do jenë të shpeshta në blog, pasi familjet tona me çuna, ndajn thuajse të njëjtat shije gastronomike :)

Përbërësit
500 gr mish viçI i grirë
1 patate mesatare e zjerë
1 kokër vezë
1 qepë mesatare
3-4 thelpinj hudhër
Një majë luge sod buke
½ filxhan kafe vaj ulliri
Erëza (piper, rigon, majdanos)
Një filxhan kafe galetë (thërrime buke)
Kripë

Përgatitja

Në një mikser grijmë qepën dhe hudhrat. Në tasin ku do përgatisim masën e qofteve shtojmë pataten e zjerë, vezën, erzat, kripën, vajin dhe galetën aq sa masa të mblidhet dhe të mos ngjisë. E lëm brumin e qofteve mënjane të mbuluar me qese për të paktën 30 minuta.



 Me pas i shtrojmë në tavë duke I dhënë forma dhe i pjekim në 200 gradë 20 minuta në fund të furrës dhe 20 minuta në mes të saj. (minutazhi në varësi dhe të furrës që keni në shtëpi). Qoftet duken qartazi kur arrijnë pjekjen e tyre
Siç e shihni dhe në foto, një nga qoftet është ekzekutuar menjëherë :). Super të buta, super të shijshme :)


SHARE:

Krepat e Bledit

Në shtëpinë tonë ka disa gatime që i përgatit vetëm bashkëshorti im. Një nga këto gatime janë krepat. Bledi bën vet të gjithë proçesin, përgatitje, gatim, mbushje dhe servirje sipas kërkesave :). Unë nuk kam tentuar ta mësoj asnjëherë hapjen e krepave në tigan, pasi jam në duar të sigurta me ato që Bledi na servir. Krepat e Bledit janë një recetë e çertifikuar :), pasi është ajo qe bëjnë kreperitë në Tiranë :). Fëmijët preferojnë vetëm dy shije, të famshmen nutela, si dhe shijen e kripur me proshut, djath pice dhe krem djathi. Krepat dhe waffles (recetën e waffles do e postoj kur t’i përgatisim për këtë sezon) janë gatimet e mëngjeseve të fundjavës, ditëve të ftohta të dimrit. Sezoni sapo ka filluar :).

Përbërësit
3 vezë
400 gr miell
600 ml qumësht
1 lugë çaji kripë
1 lugë çaji sheqer
2 lugë gjelle vaj
Vanilje

Përgatitja

Përpara se të fillojmë përgatijen e brumit të krepave, vëm tiganin e posaçëm në flakë mesatare sepse duhet të jetë i nxehtë. Përgatisim brumin, duke filluar me rrahjen e vezëve, shtimin e qumështit, vajit, sheqer, kripë, vanilje dhe në fund miellin. Rrahim për disa minuta. Mirë do ishte që brumi i krepave të rrinte të paktën 30 minuta në qetësi përpara se ti përgatisnim.
Fillojmë me pjekjen e krepave dhe mbushjen e tyre sipas dëshirës. Ju bëftë mirë.








SHARE:

Saturday, October 29, 2016

Byrek me kungull i mami Likës


Byreku i mamit nuk krahasohet me asnjë ushqim tjetër, sidomos kur të vjen surprizë në shtëpi. Mamaja ime jeton në Fier dhe gati çdo fundjavë sjell gatimet e saj, sot me pretekstin për nipërit :). Por mua më duket sikur gjithë “nepset” e babit tim, meqë prej moshës ruhet të hajë ushqime kalorike gatuhen për të na ardhur ne surprizë :). Nuk vlen të theksohet këtu se nuk ka si byreku i bërë në shtëpi me petë te hapura vet. Unë nuk kam ditur të hap petë deri dy vite më parë. Më në fund vendosa ti afrohem “pecit” “okllaisë” të porositur dhe ky në Fier nga mami dhe të mësojë ;). Nuk mund të them që është e lehtë apo e vështirë, por vetëm ideja se po përgatis një byrek 100% shtëpie më jep hov ta bëj shpesh. Ka raste kur peta të shkrin në gojë, ka raste kur peta del e trashë dhe e fortë, ka raste që edhe më janë grisur, por pas kaq kohësh dhe unë kam fituar një stil timin të hollimit të petëve që hera herës i afrohet petëve që hap mami im, si byreku që do ju prezantoj sot. Nga gjithë burrat e familjes bashkëshorti, vëllai im dhe çunat kam marrë konfirmim që byrekun me kunguj e bëj thuajse si nëna Lika, madje madje ka qëlluar që ndonjëherë dhe ja kam kaluar nëna Likës :). Dhe kur ndodh që unë t’ja kaloj nëna Likës në një gatim specifik, këtë lajm do e marrin vesh gjithë gratë e familjes, tezet, kunata, kushurira të para që për mua janë motrat e mija. Nuk mund ta lë këtë rast të më iki :))). Shijoni byrekun e mamit më poshtë.

Përbërësit
1 kg kunguj të vegjël për skuqje
4 vëzë
1 gotë qumësht
2 lugë gjelle gjalp
2 lugë gjelle miell
Kripë, vaj 
400 gr miell për brumin e petëve


 
Përgatitja
Zëm brumin e byrekut dhe e lëm dhe këtë 30 minuta të vijë. Lajm kungujt, i pastrojmë nga maja dhe i grijmë në rende. I hedhim kripë dhe i lëm 10 minuta në qetësi. Kripa bën që kungulli të nxjerr gjithë ujin e tepërt. E shtrydhim të gjithë kungullin pjesë pjesë dhe e kalojmë në një tas tjetër.
Rrahim vezët, shtojmë dy luge miell dhe gotën e qumështit. Përziejmë këtë masë me kungujt e shtrydhur.



Fillojmë hapjen e petëve siç ja u kam shpjeguar tek byreku me qumësht. Krijojmë dy zemra për byrekun. Kur hedhim zemrën e dytë shtojmë dy lugë gjalp të shkrirë (po ta hedhim gjalpin mbi petë e forcon atë gjatë pjekjes). Shtojmë petën e fundit mbi byrek dhe me një furçë lyejm me vaj. 



 


Pjekim në fund të furrës, në 220 gradë, derisa byreku të marrë ngjyrë të artë. 


E nxjerrim byrekun kur të jetë pjekur dhe ky është moment që siç thotë nëna Lika, duhet ta kthejmë byrekun përmbys në një tavë tjetër të së njëjtës masë.
 Në këtë mënyra peta e sipërme që forcohet pak gjatë pjekjes zbutet dhe byreku merr një pamje të rregullt prej petëve të poshtme. E lëm për 10 minuta mbuluar me tepsi, pastaj e servirim. Ju bëftë mirë.





SHARE:
Blogger Template Created by pipdig