Byrek me qumësht sipas Nikoletës

by - October 25, 2016

Jo vetëm tani që kam vendosur të postoj çfarë gatuaj në shtëpi, por edhe më përpara kam qenë shumë vigjilente ndaj recetave të reja që dëgjoja në biseda me mikeshat e mija. Byrekun me qumësht, që mamaja ime tradicionalisht e gatuan në ditën e pashkëve, ne e quajmë yshmer dhe pregatitet me petë të pjekura, 7-8 vezë fshati, mundësisht qumësht kulloshtër (qumësht nga lopa që sapo ka sjell në jetë viçin) dhe po ishe me fat të gjeje dhe pak djathë “nape’ si mozzarella italiane :). Me pak fjalë gjatë gjithë jetës time unë kam ngrënë këtë byrek me qumësht “yshmer” të përshkruar më lart.
Dje në punë, gjatë orarit të pushimit, kolegja ime Nikoleta, më tregoi për byrekun me qumësht dhe sa shumë ja pëlqejnë fëmijët. Këtu antenat e mija e kapin sinjalin shumë mirë :). Sa herë që unë dëgjoj receta që më ngjalin interesin ose “nepsin”, nuk pres dy ditë për ta provuar vet. Kështu që mbrëmë, me gjithë aktivitetet që kisha pas pune, në orën 11 të natës byreku u fut për proçes pjekje :).

Këshillë: ky byrek do vetëm vezë fshati. Gjithë shija e tij janë qumështi dhe veza.

Përbërësit për kremin
5 vezë fshati
1,5 ml qumësht
3 - 4 lugë miell
2 lugë gjelle gjalp
Vaj ulluri

Përbërësit për brumin
300 gr miell për brumin
Kripë, ujë

Përgatitja

Fillimisht zëm brumin për të hapur petët e byrekut. E lëm të vij dhe fillojmë me përgatitjen e kremit.
Hedhim gjalpin dhe pak vaj ulliri në tenxhere dhe e vëm në zjarr derisa gjalpi të shkrijë. Këshillë që beshameli mos t’ju dalë me kokriza: e heqim tenxheren nga zjarri, presim një minutë, pastaj shtojmë miellin dhe trazojmë. E vëm përsëri në zjarr duke trazuar për 2-3 minuta. Përpara se të fillojmë të hedhim qumështin e ftohtë e shuajmë flakën ose heqim përsëri tenxheren nga zjarri për ndonjë minutë sa të bjer pak nxehtësia. Fillojmë shtojmë qumështin e ftohtë avash avash duke trazuar pa vënë në zjarr. Pasi kemi përzier dhe masa fillon të marrë formën e kremit vëm në zjarr dhe shtojmë qumështin e mbetur. Kremi është gati pasi ka arritur trashësinë në pikën e vlimit. Në një enë tjetër rrazim vezët me kripë dhe ja shtojmë masës së kremit jo shumë të nxehtë ose përvëlim siç i themi :). Unë i shtova dhe arrë moskat, meqë beshameli e pranon, por kjo është opsionale.



Në fotot më poshtë ju shpjegoj sesi hap unë petët e byrekut. Ky demostrim do jetë gjithmonë sa herë që unë do postoj receten e ndonjë byreku :). Në recetën në fjalë, hapen 6-7 petë, të cilat happen 3 e nga 3 si kulaçka të vogla, lyhen me vaj si në foto dhe një TIP që e kam mësuar nga kuzhinjerja e Farma Sotira në Ersekë për lakrorët e mrekullueshëm që pregatisin aty, është pasi i ke hapur kuleçkat në peta të vogal dhe i ke lyer me vaj, pluhurosi pak me niseshte përpara se ti ngjisësh me njera tjetrën. Në këtë mënyrë petët do ndahen mjaft mirë gjatë pjekjes. Unë e kam ilustruar me foto gjithë proçesin.



Dhe si për të më nderuar mua, peta e parë e cila duhet të hapet më shumë se madhësia e tepsisë, doli e përkryer :)))
Peta e dytë hidhet brenda tepsisë :).
Pasi kemi shtruar petët, hedhim kremin dhe palosim anët si në foto. Me një furcë lyejmë anët me pak vaj. E pjekim në fund të sobës në 220 gradë, derisa byreku të ketë marrë pamjen si në foto. Kjo pamje do tundonte shumë familjen dhe miqtë tuaj që ftoni herë pas here. Ju bëftë mirë.





You May Also Like

0 comments