Monday, February 27, 2017

Jufkat sipas Denisës


Në postimet e mija të hershme ja u kam përmendur Denisën, pikërisht tek “Patëllxhanë të mbushur”. Denisa ka drejtuar kuzhinën e restorantit të saj për shumë vite, kështu që çdo këshillë e Denisës vlen dhe duhet provuar menjëherë. Këtë të shtunë tek pinim kafenë tek shtëpia ime meqë jemi komshije dhe çunat shokë ☺, muhabeti do shtrihej patjetër tek gatimi. Denisa është njohëse shumë e mirë e kuzhinës greke meqë ka jetuar andej për shumë vite, por receta që ndau me mua këtë herë ishte 100% shqiptare, Jufkat e Dibrës me pulë Radostine ☺. Një recetë padyshim shumë e përshtatshme për ditën e dielë, që qëlloi të ishte një ditë e ngrohtë dhe që ne na gjeti duke ngrënë përjashta në oborr. Jufkat ashtu dhe si disa gjellë tipike shqiptare, gatuhen dhe haen në moment, nuk është nga ato pjata që mund t’i gatuash në darkë, për t’i ngrënë të nesërmen në drekë siç bëjmë ne mamatë nga e Hëna në të Premte ☺. Receta më poshtë.

Përbërësit:
1 pulë Radostine
1 pako jufka dibre
1 kokërr qepë
2 degë rozmarinë e freskët (e tharë përndryshe)
Kripë, pipër, spec i kuq pluhur
2-3 lugë vaj ulliri
1 lugë gjalp i shkrirë në copëza

Përgatitja:
Pastrojmë pulën nga lëkurat e tepërta dhe ndajmë në thela. Lyejmë thelat e pulës me kripë, piper të kuq dhe pipër të zi.


Vendosim tenxherën në zjarr me 2 lugë vaj ulliri dhe kaurdisim derisa pula të thajë lëngjet e veta. 

Më pas hedhim ujë derisa mishi të mbulohet (ujë duhet mjaftueshëm sa të mbulojë jufkat, ndaj nëse ka nevojë ja shtoni më vonë), një kokër qepë të pagrirë dhe rozmarinën. Ziejmë për 25-30 minuta derisa pula të zbutet.
Ndërkohë shtrojmë jufkat në tavë, spërkasim sipër me pak gjalpë të shkrirë (një lugë) dhe vendosim për të pjekur në furrë me ventilim në 150 gradë për rreth 30 minuta duke i trazuar herë pas here. 

Kur jufkat marrin ngjyrë u shtojmë sipër racionet e pulës, hedhim lëngun të cilin e kemi rregulluar me kripë (kemi hequr qepën nga lëngu) dhe sigurohemi që jufkat mbulohen me ujë. 
Fusim tavën në fund të furrës në 180 gradë për 10 minuta, duke e trazuar një herë në mes të pjekjes. Jufkat zbuten menjëherë dhe nuk ka problem nëse mbetet pak lëng në tavë. Pasi keni fikur sobën, mbulojeni tavën tuaj me letër alumini dhe lëreni dhe për 5 minuta të tjera në furrën e nxehtë, por të fikur.
Servirni menjëherë. Ju bëftë mirë.



SHARE:

Wednesday, February 22, 2017

Antipasta me djathë

Këto antipasta i përgatita gjatë natës së Vitit të Ri, por mund t’i përgatisni në çdo kohë kur ju vijnë miq për një gotë verë apo dhe thjesht për qejfin tuaj dhe të partnerit. Baza është djathi i bardhe feta dhe ai kaçkavall që shoqërohen me rrush, ullinj dhe domate qershi. Kombinimi i gjithë këtyre përbërësve i jep tavolinës shumë hijeshi, por ajo që kuptova unë nga nata e Vitit të Ri është që gjithë të ftuarit mbaruan pjatancat e djathit dhe nuk prekën me dorë gjysmat e pjatave të tjera, përveç përsheshit me kaposh deti kuptohet :). Ndaj kur ndani mendjen të servirni antipasta me djath, çdo gatim tjetër sallatë apo pjata të dyta do jetë i tepërt.  Kjo është një recetë që nuk ka përmasa, por vetëm përbërës :)

Përbërësit:
Djath i bardhë feta
Djath kaçkavall
Djath mozzarella
Rrush i kuq
Rrush i bardhë
Ullinjë të zinj
Domate qershi

Përgatitja:
Presim djathrat në kubikë. Lajmë  rrushin, domatet dhe fillojmë kompozimet si në foto. Tek domatet qershi mund të përdorim djath mozzarella në vend të djathit të bardhë. Pranë jush duhet të keni dhe një pako me “toothpick” ose “stuzzicadenti”, po e le pa përkthim këtë të fundit se më duket jo shumë higjenike fjala në gjuhën shqipe :), por do e kuptoni nga fotot përse bëhet fjalë :). Shijoni fotot dhe ju bëftë mirë.












SHARE:

Monday, February 20, 2017

Sultjashi Bonbon

Ndonëse sultjashi është ëmbëlsira më tradicionale dhe e kahershme, amvisat qoftë këto mamatë tona apo vet ne kemi stilin tonë të gatimit të tij. Këtë besoj unë që e bëj sultjashin me instikt :), më tepër sesa me recetën e mamit.
Nëse recetat e mamave tona e trashin sultjashin me niseshte, unë preferoj ta gatuaj pa këtë të fundit, duke ju përkushtuar zierjes së avashtë të orizit, duke siguruar kështu dhe trashjen e vet gatimit. Padyshim që ka patur raste që e kam gatuar duke i hedhur niseshte në fund dhe ½ lugë miell (sekret nga teze Eli, që sultjashi mos të nxjerrë si ujë, kur e ke ngacmuar gjysmën e tasit, për ta ngrënë më vonë gjysmën tjetër). Kur përtoj e trash me niseshte, por kur jam në humor të mirë e bej sipas stilit tim Bonbon :), një “rice pudding” të vërtetë.

Përbërësit
250 gr oriz
1200 ml qumësht
300 ml ujë
5-6 lugë sheqer
1 pana për gatim (opsionale)
1 majë luge kripë
Kanellë

Përgatitja:
Në një tas vendosim orizin me gjysmën e sasisë së ujit (ujë i ftohtë) dhe e lëmë në këtë gjendje për të paktën 1 orë. 
E shtojmë më vonë këtë masë në tenxhere dhe e lëmë të ziejë me zjarr të ulët shtojmë dhe masën tjetër të ujit pa e hequr nga flaka. 

Kur uji pothuajse përthithet, hidhni qumështin pjesë pjesë, duke i lënë kohë të shterojë përpara se t’i shtojmë pjesën tjetër. Hidhni kripën në këtë moment. Ky lloj gatimi i sultjashit të do pak në këmbë, por ja vlen :). 


Mbani parasysh që flaka të jetë e ulët, gjatë gjithë kohës. Kaq qumësht ka mbetur nga shishja 1,5 litër që përdora.
Do shikoni sesi orizi duke u zjerë në këtë mënyrë do e trashë masën, pa qenë nevoja e trashjes me niseshte. Shtojmë sheqerin lugë lugë duke provuar që të arrini ëmbëlsinë e dëshiruar. Shtojmë kanellën dhe trazojmë. 
Përpara se ta hedh ne tasa unë i shtoj një pana për gatim. Kjo është opsionale, por në mendimin tim e bën më kremoze dhe e shton më shumë shijen e kremit të qumështit. Ndajmë nëpër tasa dhe servirim pasi të jenë ftohur. Ju bëftë mirë.






 
SHARE:

Saturday, February 18, 2017

Petulla jo tradicionale


to nuk janë petullat tona tradicionale, as ato tipike amerikane, por pamjen e kanë të tillë. Në fakt petullat tona tradicionale nuk i kam gatuar ndonjëherë vet. Arsyeja është se nuk më pëlqejnë dhe aq shumë. Kur shkojmë tek mami Lika dhe kemi neps për pëtulla na i përgatit ajo. Petullat që do ju tregoj sot bëhen shumë kollaj dhe nuk thithin fare vaj. Nga jashtë bëhen mjaft krokante dhe brenda të buta. Mund t'i shoqëroni me sheqer pluhur, mjaltë, reçel, djathra.


Përbërësit:

50gr gjalp

120 ml qumësht

50 gr sheqer

250 gr miell

Baking powder

Vaj per skuqje



Përgatitja:
Shkrijmë vajin në mikrovalë, shtojmë qumështin, sheqerin dhe trazojmë me një lugë druri. Hedhim miellin bashkë me sodën për pjekje, përziejmë sa mielli të njomet i tëri nga përbërësit e lëngshëm. Masa është gati.

Me duar bëjmë forma rrethore si për biskotë dhe me gisht krijojmë vrimën në mes. Është e shpejtë dhe e kollajtë. Ndërkohë vajin për skuqje duhet ta kemi vënë të nxehet në zjarr mesatar. Kur filloni ti skuqni këto petulla mos u largoni nga këndi juaj i punës pasi marrin ngjyrë shpejt dhe kërkojnë të kthehen nga ana tjetër, me pak fjalë skuqja e tyre është një proçes që nuk të lodh. 



I shërbeni të ngrohta sipas dëshirës. Ju bëftë mirë.






SHARE:
Blogger Template Created by pipdig