Tuesday, January 24, 2017

Kek sfungjeri (sponge cake)



A keni provuar ndonjëherë të bëni recetën e kekut që është prapa paketimit të “miellit që fryhet vet”? Mielli që fryhet vet, ka shumë vite që ka hyrë në përdorimin tonë, por unë e blej vetëm kur ndaj mendjen të bëj këtë recetë.
Kjo recetë duhet bërë fiks me ato përbërës dhe sasi që thuhen në paketim. Maksimumi që ndryshoj unë këtu është aroma (herë portokall, limon, vanilje, esencë bajamesh etj).
Përgatiteni masën e kekut në një tas më të madh sesa tasi i zakonshëm, nëse doni që masa mos t’ju derdhet kur e përzjeni 😍.
Ky kek nuk zhgënjen asnjëherë. Del mafishe, i shkrifët, fryhet realisht shumë aq sa copa e kekut duhet të rri shtrirë në pjatë që të ruaj ekuilibrin 😍.
Mund të them pa frikë se shija dhe përbërja e këtij keku, ngjan shumë me panetonen Pandora.
Kujdes: Prisni derisa keku të ftohet plotësisht përpara sesa ta ktheni përmbys nga forma, nëse nuk doni që keku t’ju shkërmoqet i tëri mbi pjatancën e servirjes 😍.

Përbërësit:
500 gr miell që fryhet vet
250 gr gjalpë
250 gr sheqer
4-5 vezë
260 ml qumësht
Vanilje ose lëkurë portokalli

Përgatitja
Rrahim gjalpin me sheqerin, duke shtuar vezët një nga një për rreth 3 minuta.

Shtojmë qumështin dhe pak nga pak sasinë e miellit. Miksojmë dhe pasi masa të jetë bërë e njëtrajtshme grijmë sipër saj lëkurë portokalli. 


Lyejmë formën e kekut me gjalp, hedhim masën dhe sheshojmë sipërfaqen me një lugë. E pjekim në 180 gradë, në furrë të nxehur më parë, për 1 orë.

Lërë të ftohet të paktën për 20 minuta përpara se ta kthesh në pjatancën e servirjes. Servirni dhe ju bëftë mirë.













SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig