Kulaçi i mami Likës dhe mami Lidës

by - January 07, 2017

Vazhdojmë ende me rehabilitimin e pas darkës së Vitit të Ri :). Veçanërisht kur në shtëpi ke kushuririn nga Italia me nusen shtatëzanë, duhet të sigurohesh që kulaçi të dalë i shkëlqyer. Për këtë arsye marrim në telefon edhe mami Likën, edhe mami Lidën (mamin e nuses shtatëzanë) që të ruanim standartet e kulaçit :).
Meqë të dy mamat na dhanë të njëjtën recetë, vendosa ta quaj kulaçin sipas tyre. Ky kulaç duhet të nderonte dhe prezencën e gjalpit të deles ardhur posaçërisht nga Dukati Vlorës për ne :). Pjesa tjetër shoqëruese e kulaçit ishte djath, ullinj, domate, kastravec e speca. Receta më poshtë.

Përbërësit
1 kg  miell
500 ml kos
1 lugë kafe e prerë sodë buke
Kripë
5 lugë vaj ulliri

Përgatitja

Hollojmë kosin, pak më të trashë se dhalla e zakonshme. Hapim miellin, hedhim kripën, sodën, vajin dhe zëmë brumin me kos si brumë byreku. Punojmë për disa minuta me dorë. Lyejmë me vaj ulliri tavën ku do pjekim kulaçin dhe e mbulojmë brumin me qese gatimi. Mbushim një tenxhere me ujë të nxehtë dhe  mbi të vendosim tavën ku kemi vendosur brumin e kulaçit. Mbulojmë me një pecetë dhe e lëmë brumin të vijë për të paktën një orë. Kjo proçedurë që mban brumin e ngrohtë në këto ditë të ftohta dimri është mjaft e nevojshme.

Pasi brumi vjen, hapim me dorë dhe bëjmë sipër forma sipas dëshirës me pirun.
Pjekim në 180 gradë në fund të furrës, për rreth 40 minuta. Pas pjekjes e mbështjellim kulaçin menjëherë me një pecetë dhe ashtu e mbajmë mbuluar dhe gjatë servirjes. Ju bëftë mirë.



You May Also Like

0 comments