Sushi night dhe quiche (kish) me spinaq sipas Arbana O.

by - January 14, 2017

Kur Ilir B. vjen për darkë, mund ta presësh e ta kënaqësh dhe me bukë altamura (bukë që përdoret për brusketa) dhe gjalp dele, por Bledi e ka merak që unë të gatuaj gjithmonë diçka të re për të, meqë ne shkojmë shpesh tek njëri tjetri për darka. Iliri nuk është shumë fans i mishit, ndaj një pjatë e gatuar me perime e djathë i shkon shumë mirë tavolinës.  Unë sonte si pjatë të kripur zgjodha të gatuaj quiche me spinaq sipas Arbana Osmanit dhe për ëmbëlsirë një kek që është pak ta quash si brumi panetones Pandora (recetën herë tjetër).
Iliri nga ana e vet e kishte ndarë mendjen që të hanim sushi, të cilat i solli me vete, ndaj dhe quiche e provoi vetëm një copë për të më bërë qejfin mua :). Përndyrshe të katërt u përqëndruam tek sushi, vera e bardhë dhe keku :).



Sikur mos të ishte sushi, nga quiche nuk do kishte mbetur thërrime, por sushit nuk i thotë askush JO nga ne të katërt. Keku me verën e bardhë vazhdoi të ishte shoqërues mjaft i mirë i dy orëve të tjera që kaluan në shoqërinë e lojës me letra, ku fituese jam gjithmonë unë :).
Quiche (kish) për të gjithë ju që më lexoni është një lloj byreku që bëhet ose me petë sfoliatë (si në këtë rast) ose me një petë të vetme krokante “pie crust”. Zemra (harxha) i hidhet në mes dhe rri e zbuluar. Përbërësit për quiche me spinaq sipas Arbanës janë si më poshtë:

Përbërësit
500 gr spinaq
Një petë sfoliatë
100 gr djath i bardhë
50 gr djath gorgonzola (djathi me myk)
4 lugë gjelle ricotta (gjizë pa kripë)
3 vezë (një të bardhë e heqim mënjanë)
2 lugë gjelle vaj ulliri
Kripë, piper
 Përgatitja
Lajmë spinaqin, e grijmë dhe e hedhim në nje tenxhere ku shtojmë dy lugë vaj ulliri. 
E vendosim spinaqin në zjarr, derisa të uli volumin. E heqim nga zjarri dhe shtojmë menjëherë djathin gorgonzola që të shkrijë. Djathin gorgonzola unë e mora tw hapur aq sa më duhej për recetën, ndaj dhe më është thërrmuar. Më pas shtojmë rikotën, djathin e bardhë në thërrime, 3 vezët, pasi kemi hequr një të bardhë mënjanë. Rregullojmë me kripë.
Shtrojmë petën sfoliatë në tepsi me diametër 22 cm, ku më parë kemi vendosur letër për pjekje dhe presim anët e tepërta të petës. Me këto teprica petësh për 4 kalamajtë 2 tanët, e dy të Ilirit dhe Ogertës sajova diçka fantastike që fëmijët e përpinë. (recetat në vazhdim gjatë janarit :).
E çpojmë petën me pirun, i ngjisim mirë anët pas letrës për pjekje dhe e fusim petën në furrë, në 200 gradë për 5 minuta. E nxjerrim, shtojmë harxhën me spinaq, palosim anët dhe me një furcë i lyejme me të bardhën e vezës. Në këtë mënyrë peta sfoliatë nuk do të digjet.
E pjekim tavën, në 180 gradë për 35-40 minuta. Përpara se ta servirim e lëmë 10-15 minuta të ftohet, në mënyrë që ta presim me lehtësi. Ju bëftë mirë dhe shyqyr që kalamajtë na fillojnë shkollën të hënën :).






You May Also Like

0 comments