Sallatë me kunguj

by - January 10, 2017

Këtë sallatë ka shumë vite që e kam mësuar. Nuk e mbaj mend burimin, por është nga ato receta që ndonëse nuk e bëj shpesh, nuk e harroj asnjëherë. E thjeshtë, e shpejtë, e shëndetshme, e bukur në pamje, me këtë sallatë e keni darkën, pse jo dhe një drekë të shpejtë gati për 10 minuta. Dhe për mamat që si unë marrin bukë me vete në punë, kur përton të përgatisësh një ushqim që kërkon më shumë kohë, kjo sallatë do ishte mjaftueshëm për t’u marrë me vete.
Mjafton të keni 2 kunguj në shtëpi, pasi përbërësit e tjerë janë buka dhe djathi i bardhë. Buka sa më e vjetër të jetë aq më mirë sepse do kaloj në proçes thekje.

Përbërësit
2 kunguj
2-3 feta bukë të zezë
5 lugë vaj ulliri
Djath i bardhë
Krip, rigon

Përgatitja
Lajmë kungujt dhe i presim në feta të holla me qëruesen e patates. Gjatë kësaj kohe tiganin ku do kaurdisim kungujt e kemi vendosur të nxehet pa vaj. Pasi bëjmë gati kungujt, shtojmë dy lugë vaj në tigan dhe i lëmë kungujt për 2-3 minuta duke i trazuar herë pas herë. Shtojmë kripë dhe heqim kungujt mënjanë.
Në po të njëjtin tigan, hedhim vajin e mbetur të ullirit, bukën e prerë në kubik, pak kripë dhe rigon. Kaurdisim derisa buka të thekërohet.
Shtojmë bukën e thekur tek kungujt. 
Hedhim djath të bardhë, trazojmë dhe servirim menjëherë. Ju bëftë mirë.






You May Also Like

0 comments