Byrek me gjizë dhe djathë

by - January 22, 2017

Kjo recetë i dedikohet shoqes time Ledi (Enkelejda) e cila jeton në Australi dhe lexon çdo gjë që postoj :). Aty ku jeton Ledi, nuk është e kollajtë të gjesh gjizë Shqipërie, ndaj dhe Ledi më kërkoi të postoja recetën e byrekut me djathë. Unë e bëra sot byrekun dhe përdora produktet e bulmetit që kisha në frigorifer, por duke qenë se nuk kisha djathë mjaftueshëm për ta bërë gjithë byrekun i shtova edhe gjizë pa kripë. Ledi, për të bërë zemrën e këtij byreku do përdorësh gjithë përbërësit që unë do listoj dhe meqë nuk ke gjizë, do i shtosh 250 gr djathë të bardhë, të cilin do e thërrmosh.
Sot vendosa që byrekun ta shtroj si dredhanik, të lodh dhe të ha kohë më shumë, por kalamajtë e kanë më qejf kështu. Shumë receta byreku ju kam prezantuar këtë javë, ndaj do bëjmë pak pushim pas këtij postimi :))

Përbërësit
500 gr miell
4 vezë
150 gr gjizë pa kripë
150 gr djath dhie
1 lugë gjelle miell
100 ml kos
2 lugë gjelle gjalp të shkrirë
Vaj, kripë

Përgatitja
Zëmë brumin e byrekut dhe lëmë mënjanë për të paktën gjysëm ore, pasi e mbështjellim me qese gatimi. Në një tas rrahim vezët me kripë, shtojmë përbërësit e tjerë me radhë, djathin, gjizën, kosin dhe një lugë gjelle me miell. Rregullojmë me kripë. 


Meqë më gjendej, brenda kësaj harxhe unë thërrmova dhe një lugë gjalp dele.

Në një tas hedhim dy lugë gjelle gjalp të shkrirë, e zbusim në mikrovalë, shtojmë vajin dhe e lëmë mënjanë për të lyer petët.

Lyejmë fundin e tepsisë ku do shtrojmë byrekun. Hapim petët një nga një. Pikojmë me yndyrë gjysmën e petës si në foto. Palosim gjysmën tjetër  mbi të. Hedhim harxhën, palosim anët anësore, rrotullojmë. Përpara se ta shtrojmë në tepsi, e përdredhim petën e mbushur. 





Kështu vazhdojmë me çdo petë. Pasi e kemi shtruar gjithë byrekun, lyejme sipër me yndyrë dhe e fusim për të pjekur në 200 gradë derisa të marrë ngjyrë të artë.
 Ju bëftë mirë.






You May Also Like

0 comments