Saturday, April 29, 2017

Pispili me jeshillëqe sipas Ogerta B.

I rikthehemi përsëri recetës së preferuar në dimër, por këtë herë sipas versionit të Ogerta B. Të ftuar në darkën me pispili dhe dhallë tashmë javë më parë, mezi prisnim të shijonim një version tjetër të pispilitit veç atij të mami Likës. Vetëm nga pamja e kuptova që do më pëlqente ajo ç‘ka Ogerta kishte gatuar kastile për ne. Fare mirë mund të pyesni pse quhet darkë një tavolinë me pispili dhe dhallë? Quhet që ç‘ke me të, kur e zonja e shtëpisë gatuan plot përkujdesje dhe dashuri për miqtë e ftuar. Ogerta si për të më ardhur në ndihmë kishte fotografuar dhe momente të gatimit të saj. Pasi u ulëm dhe bëmë gëzuar, mund të them pa frikë se shija dhe struktura e pispilitit të Ogertës ishte për notën 10 me yll. Sekreti ishte disa jeshillëqe bashkë dhe mielli i misrit që nuk është mielli ynë i zakonshëm, por mielli i misrit Italian ose polenta. Polenta i jepte pispilisë atë përtypjen pak kokrizore dhe të lidhur. Sot recetën e sjell të gatuar në shtëpinë time, shoqëruar me foto nga darka, nga gatimi Ogertës dhe nga pija që shoqëroi lojën tonë të famshme me letra 😍. Shijoni më poshtë:

Përbërësit:
1 tufë spinaq
2-3 trupa preshi
5-6 qepë të njoma të plota
250 gr miell misri (polenta)
1 e ½ lugë gjelle miell misri normal
2 lugë gjelle miell gruri
½ gotë qumështi
½ gotë vaj ulliri
Nenexhik i freskët
Kripë, piper i zi


Përgatitja:
Pastrojmë dhe lajmë perimet. Në një tigan të madh kaurdisim sipas radhës, duke i grirë në copa të vogla preshin, qepën e njomë dhe në fund spinaqin. Pasi perimet ulin volumin shtojmë erëzat.


Në një tas hedhim tre llojet e miellit, kripën dhe trazojmë. Shtojmë ujë të vakët aq sa masa e krijuar të bëhet kremoze (si brum petullash).
Shtojmë vajin e ullirit, qumëshin & kripën. Bashkojmë perimet me masën kremoze të miellit dhe rregullojmë sipas nevojës me pak miell misri (polenta) apo qumësht shtesë.
Hedhim në tav të lyer me vaj dhe pjekim në fund të furrës në 220 gradë, derisa pispiliti të marrë ngjyrë të artë.


E lëmë të ftohet pak përpara se ta presim për servirje.







 

Momente nga gatimi i Ogertës.




Tavolina e Ogertës gjatë darkës tonë (nuk më kujtohet çfarë ëmbëlsire kisha sjellë unë me vete :)




Ky është çaji qetësues i Ogertës gjatë lojës me letra. Unë nuk jam “tea type” (që pëlqej çajin), por çaji Ogertës me ginger dhe kanellë më bëri adhuruese të çajit atë natë, dhe sa shijonte në ato tasat e porcelanit. E tentova çajin disa ditë më vonë në shtëpinë time, por nuk realizova asgjë ☺. Më duhet të them që çaji duhet të përgatitet dhe shërbehet vetëm nga persona si Ogerta që janë “tea lovers” (adhurues të çajit) 🙃.


Nëse më ndihmon Ogerta ta kujtoj, se as kush e fitoi lojën me letra atë natë nuk e mbaj mend, por me siguri jo Ilir B. ☺. Ju bëftë mirë.

SHARE:

Monday, April 24, 2017

Skuadra BonBon Taste në Pasdite në Top Channel

Gjatë këtyre dy javë e ca që nuk jemi dëgjuar në familjen tonë kanë ndodhur dy ngjarje. Nëna Marjanthi u largua nga kjo jetë, për tu bërë ëngjëlli ynë mbrojtës në qiell. Nëna Marjanthi do u mungojë shumë nipërve dhe fëmijëve të saj.Të qoftë dheu i lehtë nëna Marjanthi.

Ngjarja e dytë është e gëzuar dhe argëtuese, një dhuratë dhe kujtim i paharruar për mami Likën. Redaksia e Pasdite në Top Channel prej disa javësh na kishte kontaktuar të ishim pjesë e emisionit me gatimet tradicionale të Pashkës duke kaluar nga kuzhina e mami Likës, në kuzhinën e BonBon Taste. Personazhi mami Lika, aq i njohur për lexuesin e blog-ut të Bonbon Taste, kishte bërë jehonën e vet dhe Pasdite në Top Channel, përzgjodhi festën aq të dashur për besimtarët ortodoksë dhe mami Likën duke përgatitur yshmerin, një nga gatimet tradicionale të Pashkës.
Një javë para Pashkës, Top Channel udhëtoi në Fier, në kuzhinën e mami Likës, dy dite më pas në kuzhinën Bonbon për bukën e Pashkës. Më poshtë janë links ku mund të shikoni mami Likën dhe Bonbon Taste “in action”

Pjesa e parë :https://www.youtube.com/watch?v=cW41MQvdtFk

Pjesa e dytë: https://www.youtube.com/watch?v=GEkRWXGcA0k

Në pjesën e dytë bashkohen dhe dy ndihmësit e mi në kuzhinë Henri dhe Luis. Shijoni videot, unë shijova çdo pjesë të kësaj aventure tek shihja lumturinë e mami Likës, thjeshtësinë dhe origjinalitetin e saj. Kjo eksperiencë me mamin dhe fëmijët e mi, do mbetet kujtimi ynë më i bukur. Siguria e mami Likës para kamerave më ka lënë pa fjalë mua që isha krahë saj dhe të gjithë që na ndoqën anembanë. Nuk di sa foto kemi marrë nga miqte tanë, sa komente plot dashuri nga të njohur e të panjohur, mijëra klikime në website të Bonbon Taste, dashuri pafund. Më poshtë do sjell disa foto që i kam ndarë në grupime për të shijuar të plotë eksperiencën tonë. Një falenderim shumë të madh nga unë dhe mami LIka për gjithë dashurinë që na falët dhe mesazhet që na dërguat. Ju duam

Fotot gjatë emisionit.







Mami Lika në Kuzhinë








Bonbon Taste në Kuzhinë.






 







Top Channel backstage.











  







Si na panë miqtë tanë nga ekrani.





















 
  

Mesazhe plot dashuri.






SHARE:
Blogger Template Created by pipdig