I
rikthehemi përsëri recetës së preferuar në dimër, por këtë herë sipas versionit
të Ogerta B. Të ftuar në darkën me pispili dhe dhallë tashmë javë më parë,
mezi prisnim të shijonim një version tjetër të pispilitit veç atij të mami Likës.
Vetëm nga pamja e kuptova që do më pëlqente ajo ç‘ka Ogerta kishte gatuar
kastile për ne. Fare mirë mund të pyesni pse quhet darkë një tavolinë me
pispili dhe dhallë? Quhet që ç‘ke me të, kur e zonja e shtëpisë gatuan plot përkujdesje
dhe dashuri për miqtë e ftuar. Ogerta si për të më ardhur në ndihmë kishte
fotografuar dhe momente të gatimit të saj. Pasi u ulëm dhe bëmë gëzuar, mund të
them pa frikë se shija dhe struktura e pispilitit të Ogertës ishte për notën 10
me yll. Sekreti ishte disa jeshillëqe bashkë dhe mielli i misrit që nuk është
mielli ynë i zakonshëm, por mielli i misrit Italian ose polenta. Polenta i
jepte pispilisë atë përtypjen pak kokrizore dhe të lidhur. Sot recetën e sjell
të gatuar në shtëpinë time, shoqëruar me foto nga darka, nga gatimi Ogertës dhe
nga pija që shoqëroi lojën tonë të famshme me letra 😍. Shijoni më poshtë:
Përbërësit:
1 tufë spinaq
2-3 trupa preshi
5-6 qepë të njoma të plota
250 gr miell misri (polenta)
1 e ½ lugë gjelle miell misri
normal
2 lugë gjelle miell gruri
½ gotë qumështi
½ gotë vaj ulliri
Nenexhik i freskët
Kripë, piper i zi
Përgatitja:
Pastrojmë dhe lajmë perimet. Në një
tigan të madh kaurdisim sipas radhës, duke i grirë në copa të vogla preshin,
qepën e njomë dhe në fund spinaqin. Pasi perimet ulin volumin shtojmë erëzat.
Në një tas hedhim tre llojet e miellit, kripën
dhe trazojmë. Shtojmë ujë të vakët aq sa masa e krijuar të bëhet kremoze (si
brum petullash).
Shtojmë vajin e ullirit, qumëshin & kripën. Bashkojmë perimet me masën
kremoze të miellit dhe rregullojmë sipas nevojës me pak miell misri (polenta)
apo qumësht shtesë.
Hedhim
në tav të lyer me vaj dhe pjekim në fund të furrës në 220 gradë, derisa pispiliti të
marrë ngjyrë të artë.
E lëmë të ftohet pak përpara se ta
presim për servirje.
Momente nga gatimi i Ogertës.
Tavolina e Ogertës gjatë darkës
tonë (nuk më kujtohet çfarë ëmbëlsire kisha sjellë unë me vete :).
Ky është çaji qetësues i Ogertës
gjatë lojës me letra. Unë nuk jam “tea type” (që pëlqej çajin), por çaji
Ogertës me ginger dhe kanellë më bëri adhuruese të çajit atë natë, dhe sa
shijonte në ato tasat e porcelanit. E tentova çajin disa ditë më vonë në
shtëpinë time, por nuk realizova asgjë ☺.
Më duhet të them që çaji duhet të përgatitet dhe shërbehet vetëm nga persona si
Ogerta që janë “tea lovers” (adhurues të çajit) 🙃.
Nëse më ndihmon Ogerta ta kujtoj,
se as kush e fitoi lojën me letra atë natë nuk e mbaj mend, por me siguri jo
Ilir B. ☺. Ju bëftë
mirë.
No comments
Post a Comment