Tuesday, April 4, 2017

Supë me kërpudha sipas Ogerta B.

Disa javë më parë ishim për darkë tek miqtë tanë Ilir dhe Ogerta B. Tema e darkës në fakt ishte pispiliti, por dhe supa me kërpudha që Ogerta na serviri ishte shumë e shijshme dhe unë nuk prita ta gatuaj menjëherë në shtëpinë time. Supa me kërpudha mund të quhet një vakt i plotë shoqëruar me sallatë, shumë e shijshme dhe aromatike. Është e përshtatshme sidomos për stinën e dimrit, e shëndetshme për fëmijët, dhe e lehtë në përgatitje. Me përmasat më poshtë serviren 4 persona.

Përbërësit:
1 tas kërpudha
1 kokër qepë
2-3 thelpinjë hudhër
1 filxhan kafe çaj sherebele
1 pana
Leng pule ose viçI (pafka të STAR)
1 e ½ lugë miell
50 gr gjalpë
Përgatitja:
Kërpudhat nuk lahen, ndaj fillojmë pastrimin e tyre siç ma mësoi Ogerta. Heqim një cipë të hollë të kurorës së kërpudhës me majën e thikës si në foto. Pastrojmë fundet e bishtit të kërpudhës nga ndonjë papastërti.
Hedhim gjalpin në tenxheren e nxehur më parë dhe shtojmë kërpudhat e prera në copa. E lëmë për 2-3 minuta në zjarr të fortë, pastaj 10 minuta në zjarr të avashtë. Pasi kërpudha shteron ujin e vet hedhim qepën e grirë në forma rrethore, hudhrat në copa të mëdha dhe skuqim dhe per 3-4 minuta të tjera. 


Shtojmë miellin dhe përziejmë dhe për ndonjë minutë.
Ndërkohë në një xhezve të vogël ziejmë pak çaj sherebele. Ogerta kishte një si rrjet të vogël metalike që mbante çajin dhe e la të ziente gjatë gjithë kohës me supën. Unë nuk e kisha ndaj çajin e zieva veçantë, e lashtë në qetësi për disa minuta dhe e kullova.
Tek tenxherja ku kemi kërpudhat, shtojmë 1,2 litër lëng mishi ose 1 pafkë të vogël Star në shijen që dëshironi. Shtojmë çajin e sherebelës të kulluar, rregullojmë me kripë e piper dhe e lëmë te ziejë për të paktën 30 minuta, me zjarr të mesëm.


 E heqim nga zjarri, e kalojmë në blender (mikser) dhe shtojmë panën


Servirim menjëherë ashtu të ngrohtë me bukë të thekur :)
Ju bëftë mirë.






Ja dhe supa e Ogertës.

SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig