Pavlova është një ëmbëlsirë që ka pak vite që e ofrojnë disa pastiçeri
në Tiranë. Sa herë është sezoni i luleshtrydhes them do shkoj ta provoj një të
tillë, por dembele siç jam nuk e bëra asnjëherë, derisa më në fund vendos ta
provoj “pavlovën” në shtëpinë time :)
Pavlova kërkon pak vëmendje gjatë përgatitjes së mafishes sic i themi
ne pjekjes së të bardhës së vezës me sheqer. Kujdes duhet treguar gjatë pjekjes
së mafishes duke i dhënë kohën e duhur, në temperaturën e duhur, si dhe ftohjes
së saj. Pjesa tjetër është një lojë fëmijësh :). Pavlova është një ëmbëlsirë
tamam mafishe, të shkrihet në gojë dhe duhet të përtypësh vetëm copat e
luleshtrydhes që ka në krye :). Unë pashë disa receta në internet, por u përqëndrova
tek të dashurat e mija Nigella dhe Laura. Provojeni si recetë, është fiks koha
e përshtatshme për ta bërë.
Përbërësit:
7 kokrra vezë
200 ml pana e ëmbël
7 lugë sheqer të plota
2 lugë çaji niseshte
1 lugë çaji uthull molle e bardhë
Luleshtrydhe
Përgatitja:
Ndajmë të bardhat nga të verdhat. Fillojmë t’i rrahim të bardhat dhe
kur masa të jetë thuajse gati, shtojmë një ngë një lugët me sheqer duke rrahur
për disa minuta, derisa sheqeri të jetë tretur dhe masa e mafishes të duket e
bardhë e shndritshme.
Shtojmë niseshten dhe uthullën dhe trazojmë lehtësisht në të gjithë
masën.
Ja dhe mami Lika në #bonbonkitchen :)
Në një tepsi të sheshtë, shtrojmë letër gatimi duke i ngjitur cepat e
saj që mos të lëvizi me të bardhën e vezës si në foto :).
Hedhim
masën duke e rregulluar me një lugë të sheshtë në formë rrethore. Sobën e kemi
ngrohur më pare në temperaturë maksimale. E ulim temperaturën në 140 gradë përpara
se të fusim mafishen për të pjekur.
Vendosim tavën në mes të furrës dhe e lëmë të piqet për gati 50 minuta
në 140 gradë. Mafishja merr një ngjyrë të artë, fikim furrën, hapim gjysëm derën
e furrës dhe e lëmë të ftohet tërësisht mafishen në furrën me derë gjysëm të
hapur.
Rrahim
kremin e qumështit për 1 apo 2 minuta sa të krijoj pak qëndrueshmëri. Me një
shpatull e përhapim kremin mbi mafishen e ftohur.
Zbukurojmë sipër me luleshtrydhe dhe servirim menjëherë. Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment