Friday, October 20, 2017

Një vit si Blogere

 
13 tetori 2016, qëlloi rastësisht të jetë dita kur ju prezantova blog-un tim BonBon Taste. Emrin, hashtag #bonbontaste dhe adresën në blogspot i kisha krijuar muaj më parë.
Por vetëm në 13 tetor, pasdite guxoj të bëj “publish” postimin tim të parë “Mirëseerdhët në BonBon Taste”, shoqëruar me recetën e parë “Cheesecake”. Nuk dija asgjë nga përdorimi i blog-ut, as si duheshin bërë postimet, dhe as si duhet ta trajtoje foton, ndaj dhe postimi i parë doli jo me foton më të bukur. Përgjatë udhëtimit tonë 1 vjeçar, blogu ka patur kuratoren e vet, miken time Nastila e cila e solli blog-un në formën më të mirë që është sot.


Eksperienca e këtij viti ka qenë shumë e bukur. Muaji i parë ka qenë plot me receta, po ashtu dhe muaji i dytë aq sa filloi të më kapte paniku se mos shteroja 😉. Por gjithmonë kam diçka për të thënë e për të gatuar. Kur ulem e shkruaj një recetë është sikur ju kam të gjithëve përballë dhe filloj e ju shpjegoj recetën ashtu siç do doja ta dëgjoja vet. Kush më njeh, e di që unë bëj shumë pyetje kur dua të di më shumë rreth diçkaje dhe dua që ta qartësoj mirë tjetrin 😊. Ndaj dhe recetat e mia fillojnë gjithmonë më një histori, me kujtimet që kam për gatimin në fjalë dhe me këshilla nga eksperienca ime. Fotot janë aq të detajuara që mos t’ju lind asnjë pyetje apo paqartësi kur të më lexoni 😉.
I gjithë ky proçes më “lodh” mua, por ju kënaq juve dhe ky është qëllimi kryesor i #bonbontaste

Ndërsa prisja 1 vjetorin më lindi dëshira për t’ju prezantuar me logon e BonBon Taste, e cila më parë duhej ideuar ☺. Pasi testova disa ide me ju, vlerësimin më pozitiv e mori logo që është në krye të postimit. Logos i është shtuar dhe një moto “slogan” “It’s good comfort food”. Duke ju kërkuar ndjesë që moto është në anglisht, shqipërimi i saj është "Bonbon Taste është ushqimi që ju sjell ndërmend shijet e mamit, gjyshes, shtëpisë apo momenteve më të bukura në jetën tuaj". 
Dhe BonBon Taste nuk është gjë tjetër veçse ato gatime që unë kam shijuar gjatë fëmijërisë time, çdo gjë e gatuar nga mami dhe gatimet që unë si mama e dy djemve sot ja u gatuaj atyre për t’i kënaqur dhe për t’i krijuar atyre kujtime që çdo gjë e mirë haet vetëm në shtëpi, gatuar nga dhe për njerëzit që duam.  Logo e re dhe e parë u krijua në pak ditë, ndoshta nuk është më e mira, por unë i besoj opinionit të njerëzve që kam pyetur, më pëlqen shumë dhe vet 😍.
Nuk mund të lë pa përmendur ndjesitë nga komentet që kam marrë këtë vit dhe miqësitë që janë krijuar me blogere të tjera. Miranda në Suedi, Arta në Zvicër, Elona në Tiranê, Juli në Kanada nuk lënë postim pa lexuar dhe mezi presin postimin e radhës. 
Pardje më nisën këtë bisedë që bëhej rreth Bonbon Taste.
Ndërsa shoqja ime Ana, me shaka i tregon shoqeve të punës një gatim të #bonbontaste duke thënë se është i saj dhe një nga koleget i thotë, që kjo foto është e blog-ut BonBon Taste 😍. Momente si këto janë të çmuara.

Por çfarë kemi bërë në një vit?
123 receta ose 1 recetë në 3 ditë.
123 histori të treguara
532 ndjekës në Instagram
144 postime në Instagram
120 postime në Pinterest
1871 ndjekës në facebook https://www.facebook.com/BonBonTaste/
Ndjekësit në facebook janë 79% femra, 21 % meshkuj
95,579 kanë parë faqen gjatë një viti.
Shtrirja gjeografike në të gjithë kontinentet 😍
1 logo
Të gjitha këto shifra janë bio dhe organike, si vet blogu 🤗.








Meqë mendoja se nuk do isha dot gati me një logo 😊, i ribëra përsëri ca foto vendit tim më të preferuar në shtëpi që të prezantoja këtë post. Por logo u bë në kohë, ndaj po ju sjell disa foto të hapësirës ku krijohen recetat #bonbon 🤗



Faleminderit për gjithë kohën që më kushtoni, për gjithë sugjerimet tuaja, për miqësinë tuaj, disa nga ju mezi presin të lexojnë historinë e radhës që shoqëron një recetë,  Më duket sikur ju njoh të gjithëve, kaq rehat ndihem mes jush. JU DUA.

Valbona
❤❤❤
SHARE:

Saturday, October 7, 2017

Kek i thjeshtë i mami Likës

Nëse doni një aromë dhe shije të njohur, provoni kekun e mamit, atë që keni ngrënë gjatë gjithë fëmijërisë tuaj ku nuk kishte as pluhur pjekës, as copa çokollate 🤗.
Më besoni kur ju them që ndonëse ky kek ka përbërës shumë të thjeshtë, në fillimet e mija mua më ka dështuar në pjekje disa herë 😀. Ky kek do mbi 40 minuta të piqet dhe duhet të siguroheni mirë që ka kulluar më një “toothpick”. Tashmë ja kam marrë dorës dhe të gjithë përbërësit e lëngshëm apo pluhur i hedh me sy. Këtu do mundohem t’i përafroj sasitë. Keku i mamit ka një të mirë shumë të madhe se pranon çdo lloj frute të freskët, të thatë apo aroma brenda. Unë e provova me të pandashmen esencën e portokallit Bonbon, lajthi, arra dhe rrush të thatë të stinës.

Përbërësit:
50 gr gjalp + 50 ml vaj vegjetal
150 gr sheqer
4 vezë
120 ml kos ose sa masa e një kosi frutash
250-300 gr miell
1 lugë çaji e prerë sodë buke
2 lugë gjelle lëkura portokalli
Lajthi, arra, rrush të thatë sipas dëshirës

Përgatitja:
Ky kek shkon shumë me vezë fshati, por kur nuk keni të tilla në shtëpi vezët “koko ve”, mund t’ju bëjnë punë.
Shkrijmë gjalpin, shtojmë vajin dhe sheqerin dhe i rrahim për 2 minuta. Hedhim vezët një nga një, kosin, miellin bashke me sodën e bukës. Kur përbërësit të jenë njëtrajtësuar në masën e brumit të kekut, filloni hidhni aromat dhe frutat që dëshironi. Unë shtova përbërësit që kam përmendur më sipër meqë sapo jam furnizuar për dimrin. 

Tavën ose visheni me letër gatimi ose lyheni me gjalp. Futeni kekun në furrë dhe piqeni për 40-50 minuta derisa thika të dalë e pastër.
Pluhuroseni kekun sipër me pluhur sheqeri dhe të nesërmen në mëngjës shkoni të pini një kafe tek Le Bon me kekun e mamit 😀. Ju bëftë mirë.



  








SHARE:

Friday, October 6, 2017

Byrek me kungull të ëmbël sipas BonBon


Meqë e premë kungullin, le ta përdorim duke bërë një byrek që është hera e parë që e bej vet, dhe si për herë të parë nuk pyeta askënd, as mami Likën. E bera totalisht me intuitën BonBon Taste.
Byrekun me kungull të ëmbël dhe yshmerin e ëmbël si kam ngrënë asnjëherë, megjithëse mamaja ime bënte dy një të ëmbël e një të kripur, meqë vëllai im preferonte të ëmblat. Sivjet në Orikum, provova byrek me kungull të ëmbël dhe më ka pëlqyer aq shumë sa pyesja veten përse nuk e kam ngrënë gjithë këto vite :).
Kur bën byrek me kungull me sheqer, duhet ta bësh vetëm me kungull të verdhë, pasi ka aromën dhe ngjyrën e duhur. Ditën e shtunë që e gatova kisha miq për darkë dhe byreku ishte surpriza. Jo vetëm që u shijua, por u morr dhe me vete :). “Lodhja” më e madhe ishte të qëroje dhe grije kungullin, pjesa tjetër ishte siç bën një byrek të zakonshëm. Shfrytëzoni kungujt në këtë stinë plot ngjyra për të provuar receta të shijshme dhe të shëndetshme.

Përbërësit:
700 gr kungull
4 – 5 lugë gjelle sheqer pluhur
100 ml qumësht, ose gjysëm gote uji
3 vezë
2 lugë miell
1 lugë çaji kanellë, ½ lugë çaji xhinxher pluhur, ¼ lugë çaji arrë moskat
400 gr miell për petët e byrekut
Vaj vegjetal
2 lugë gjelle gjalp brumë

Përgatitja:
Fillojmë me brumin e byrekut pasi është mirë që të rrijë në qetësi për 30 minuta, i mbledhur me qese gatimi, përpara se të hapim petët.
Qërojmë dhe presim kungullin në copa të mëdha dhe më pas e grijmë atë në një rende. Shtojmë sasinë e sheqerit tek kungulli (sasinë e sheqerit e shtojmë ose pakësojmë po të duam në varësi të shijes personale). E lëmë kungullin në qetësi për 10 minuta.
Shtojmë me radhë  vezët, qumështin, 2 lugë miell dhe erëzat (kanellën, xhinxher dhe arrë moskat), Masa është gati. Miellin e shtojmë tek masa me kungull sepse thith lëngjet e tepërta që lëshon kungulli i grirë.



Fillojmë me hapjen e petëve dhe shtrimin e byrekut si zakonisht, duke pikuar vajë në petët që shtrojmë. Kur kemi mbaruar me byrekun, shkrijmë 2 lugët e gjalpit dhe lyejmë sipërfaqen e byrekut.


E vendosim për të pjekur në furrë në 220 gradë.
Pluhurosim sheqer pluhur mbi byrekun e pjekur dhe e lëmë të ftohet pak përpara sesa ta servirim. Ju bëftë mirë.


Kjo copë byreku e prerë pa formë është padurimi im për të provuar byrekun që përvëlonte :).








SHARE:
Blogger Template Created by pipdig