Wednesday, May 3, 2017

Biskota të mbushura.

Biskotat e mbushura realizohen me përbërës mjaft bazik që na gjenden në shtëpi në çdo moment. Forma e këtyre biskotave është si mini briosh të vegjël duke i bërë shumë tërheqëse për syrin. Mbushjen mund ta realizoni me çdo reçel që keni në shtëpi. Meqë është sezoni i luleshtrydhes unë nuk përtova ta bëj reçelin vet (gati për 5 minuta). Meqë kisha dhe reçel portokalli mbushjet i bëra dy llojesh. Po të dëshironi për të krijuar varietet në shije, mund të bëni dhe  mbushje me çokollatë në copa në vend të reçelit.
E gjithë proçedura për këto biskota bëhet me dorë, nuk ka nevojë për perfeksion. Biskotat do “zhyten” në pluhur sheqeri dhe ndonjë difekt i vogël do mbulohet☺. Brumi nuk ka nevojë të qëndrojë për disa minuta, ndaj filloni me përgatitjen e reçelit për mbushje dhe futjuni punës bashkë me fëmijët tuaj për të përfituar biskota shumë të shkrifëta me pamje mini brioshi.

Përbërësit për brumin:
1 filxhan gjalp
1 filxhan vaj
1 filxhan kos
2 filxhan miell
1/2 lugë kafe sodë buke

Përbërësit për reçelin:
1 tas me luleshtrydhe
Lëngu i gjysëm limoni
2-3 lugë gjelle me sheqer
4-5 biskota vendi të cilat do i thërmojmë.
Përgatitja:
Pastrojmë dhe presim në copa të vogla luleshtrydhet. Shtojmë limonin, sheqerin dhe e lëmë në zjarr për 5 minuta sa reçeli të lidhet. Hedhim në një tas dhe pasi të ftohet, thërrmojmë disa biskota të cilat do ndihmojnë që reçeli mos të dalë jashtë gjatë pjekjes.


Ruani masën e të njëjtit filxhan si në foto për të gjithë përbërësit e brumit. I shtoni ato në një tas të madh dhe fillimisht me një lugë druri e më pas me duar zini brumin e biskotave. Nëse është e nevojshme mund të shtoni pak miell derisa duart tuaja të dalin të pastra.

Merrni copa të vogla nga brumi, e hapni me duar mbi këndin e punës. Me ndihmën e një thike krijoni trekëndësha. Në brinjën më të gjatë të trekëndëshit, vendosni një lugë nga mbushja, duke e rrotulluar më pas për ti dhënë formën e brioshit si në foto.








Veprojmë kështu derisa të mbarojë brumi. Pjekim biskotat në 180 gradë në mes të furrës derisa të marrin ngjyrë të artë. Ashtu të nxehta i “zhysim” në sheqer pluhur nga të gjitha anët. Ju bëftë mirë.
 










SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig