Wednesday, May 24, 2017

Zogjtë e nëna Likës


Kur ja tregova grupit tim në whatsapp fotot e zogjëve, dikujt ju dukën si breshka, dikujt si kërmill, dikujt si kafshë pylli, por në fakt ato janë zogjtë e nëna Likës 😍. Po të marrim parasysh që janë zogj brumi, duhet t’ja tolerojmë dhe mos ngjashmërinë 100% me zogjtë e vërtetë. Nëna Lika na i solli gati nga Fieri dhe meqë çunat i pëlqyen shumë i ribëri përsëri. Bona dhe Ana që provuan zogjtë që nëna Lika solli i pëlqyen shumë dhe sot po e hedh recetën me ngut për Bonën se do t’ja u bëjë vajzave të saj 😊. Si ç‘do përgatitje brumi me maja merrni kohën e duhur për t’i gatuar zogjtë, pasi duan të paktën 1 orë të vijnë në proçesin e parë dhe të paktën një tjetër 30 minutë përpara sesa të piqen. Sigurohuni që të keni në shtëpi kokrra piperi (të kuq i përdora unë), për të krijuar sytë e zogjëve.
Zogjtë që solli nëna Lika.
Përbërësit:
1 kg miell
200 ml qumësht
2 vezë
100 gr sheqer + 1 lugë çaji
1 lugë çaji kripë
1 bustinë maja
200 ml ujë i vakët

Përgatitja:
Në një tas ku kemi ujë të vakët, shtojmë 1 lugë çaji sheqer dhe tresim majanë. E ngrohim qumështin (të vakët) dhe hedhim 100 gr sheqer, të cilin e trazojmë që të tretet.


Tek mielli hedhim kripën, krijojmë një gropë në mes ku shtojmë 1 vezë të plotë dhe të bardhën e vezës tjetër (të verdhën e ruajmë mënjanë sepse do lyejmë zogjtë përpara se ti futim për të pjekur).
Shtojmë ujin e vakët ku kemi tretur majanë, qumështin dhe fillojmë të zëmë brumin. Rregulloni sipas nevojës me miell apo me ujë të vakët derisa brumi t’ja u lërë duart e pastra. E punoni për disa minuta mbi tavolinën e punës dhe e lini mënjanë në temperaturë ambjenti, mbuluar me nje pecetë pak të njomur për 1 orë derisa brumi të vijë.

E ndajmë brumin në 4 copa dhe secilën copë e hapim si në foto. Tubin e brumit e ndajmë në disa copa dhe me secilën copë do krijojmë një zog.

Fillimisht secilën copë të brumit e hapim si tub, më pas me një lidhje si në foto krijojmë zogun, duke ja shtypur pak pjesën e kokës. Me majën e një thike krijojmë këmbët e pasme dhe krahët e zogut. Dy kokra piperi do krijojmë sytë dhe zogu është gati për pjekje 😊. 




  






Rrahim të verdhën e vezës ku kemi shtuar 1 lugë gjelle ujë dhe gjysëm luge sheqer dhe me anën e një furçe lyejmë të gjithë zogjtë. Me këtë sasi mielli do ju dalin mbi 20 zogjë, ndaj do vini dy tepsi në furrë.

Ndërkohë që tepsia e dytë ka kohë sa të piqet e para, në mënyrë që brumi të vijë dhe për gjysëm ore, tepsinë e parë e fusim në furrë me 50-60 gradë për 10-15 minuta për të përshpejtuar proçesin e ardhjes dhe më pas e çojmë furrën në 180 gradë, derisa zogjtë të kenë marrë ngjyrë të artë. Ju bëftë mire.








SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig