Friday, May 5, 2017

Pulë Teriyaki


Teriyaki është një teknikë gatimi në kuzhinën Japoneze ku ushqimi gatuhet me salcë soya dhe sheqer duke i dhënë një shije “sweet and sour” “të ëmbël dhe të thartë”. Kjo shije nuk është tipike e gatimeve tona, por bërë me përbërësit e duhur të shijon dhe në shtëpinë time e shijuam të dy me Bledin. Është një pjatë që gatuhet shpejtë, ka aroma dhe një shije ndryshe. Ky ushqim serviret gjithmonë i ngrohtë, për të ndier shijen e vërtetë dhe për ta shijuar siç duhet. Mund të përdorni ose kofshët e pulës, të pastruara nga kockat ose gjoks pule për këtë pjatë. Pula Teriyaki shoqërohet vetëm me orizë të bardhë të aromatizuar me gjalpë. Unë përgatita oriz basmati për të qënë në linjë të një gatimi të plotë aziatik.

Përbërësit:
¼ e kupës salcë soya
1/3 e kupës lëng portokalli ose 1 e ½ kokërr e shtrydhur
2 lugë mjaltë
1 lugë çaji ginger e grirë
1 lugë vaji farash susami (tahini)
1 lugë gjelle vaj ulliri
6-7 kofsha pule pa kockë ose 3 gjokse pule pa lëkurë
1 e ½ lugë gjalpë
Qepë e njomë dhe fara susami për t’ja hedhur sipër
Përgatitja:
Në një tas të madh hedhim salcën e soyës, lengun e portokallit, mjaltin, xhinxherin e grirë dhe tahinin. Trazojmë përbërësit dhe shtojmë copat e mishit të pulës duke i lyer mirë nga të gjitha anët me marinadën e krijuar. I lëmë kështu për të paktën 20 minuta.

Në një tigan shtojmë 1 lugë vaji ulliri dhe vendosim për të skuqur copat e mishit të cilat i  kullojmë nga marinada. Lëngun e ruajmë se do na duhet më vonë. Pasi mishi merr ngjyrë dhe gatuhet e heqim mënjanë. Shtojmë në tigan marinadën e mbetur, gjalpin dhe i lëmë të ziejnë derisa salca fillon e trashet 1 apo 2 minuta. Në këtë moment shtojmë mishin e pulës duke e trazuar mbi zjarr derisa mishi të lidhet me salcën.
  
Në anën tjetër siç e shihni po bëhet orizi basmati. Servirim menjëherë duke e spërkatur sipër me qepë të njomë të grirë imët dhe fara susami. Ju bëftë mirë.

 






SHARE:

2 comments

  1. Nje nder kuzhinat e preferuara te familjes time. Duket shume e shijshme nga fotot :-)

    ReplyDelete
    Replies
    1. Bakemydayhappy falemindert per komentin. Femijet e mi nuk ishin dhe aq entuziaste, por ne te rriturit e përlamë 🤗☺

      Delete

Blogger Template Created by pipdig