Gliko Fiku

by - May 27, 2017

Dy herë e kam bërë gjithsej këtë gliko. Herën e parë para 3 vjetësh, herën e dytë tani. Nuk mbaj mend sesi e bëra herën e parë, ashtu sikundër nuk mbaj mend të më jenë dashur 4-5 ditë derisa glikoja të konsiderohej e përfunduar 😊. Kjo gliko përgatitet me fikun e pabërë ende. Mos më pyesni se cili fik, i bardhë apo i zi se nuk ju ndihmoj dot. Shkoni tek nënat që ju sjellin gjethet për japrakë, bëni kërkesën dhe e dinë ato vet çfarë duhet t’ju sjellin.
Meqënëse e kisha ndarë mendjen ta bëja përsëri këtë vit, pak për neps e pak për blog, fillova të pyesja vërdallë për mënyrën e përgatitjes. E fillova me Anën shoqen time e cila as nuk mbante mend të ishte vet ajo që mi kishte blerë fiqtë 3 vjet më parë apo të më kishte mësuar recetën 🤔. Pyeta në punë, shoqe jashtë pune, shumë versione dëgjova dhe shumë mu komplikua mënyra që duhet të zgjidhja për të bërë glikon. E përbashkëta e të gjitha recetave ishte e çpuara kokërr më kokërr e fikut dhe futja në gëlqere. Pjesa tjetër është dëgjo shumë dhe bëj siç di vet 🙃. Stili Bonbon mori komplimente nga mami Lika dhe nga mami Afro në Sarandë (një vazo udhëtoi drejt Sarandës), kjo e fundit specifikisht tha “Gliko fiku siç bënte vjehrra ime, nuk kam provuar ndonjëherë deri më sot, ama glikoja e Bonbon është e dyta pas asaj të vjehrrës time nga gjithë c’kam provuar 🤗. Mami Lika më kërkoi një vazo për vete dhe një vazo tjetër do udhëtoj muajin tjetër për në Kanada, meqë Juli nuk e kishte idenë e kësaj glikoje ☺. Pjesa tjetër do mbetet në familje 🙃. Në njohurinë time kjo gliko mund të bëhet vetëm me frutin e fikut në muajin maj, ndaj keni dhe ca ditë kohë për ta provuar, përndryshe prisni majin e vitit tjetër.

Përbërësit:
1 e ½ kg fiq
3 kg sheqer
Gëlqere
1 kokërr limoni

Përgatitja:
Meqë përgatitja e glikosë kërkoi disa ditë ndonjë foto mund dhe të më ketë shpëtuar pa bërë, por do të mundohem t’ja u shpjegoj.
Fillimisht filloni proçesin e çpimit të çdo kokrre fiku. Më pas, i vendosim në një tas të thellë ku kemi hedhur një apo dy grushta gëlqere. Lëmë kështu për të paktën 4 orë.

I nxjerrim nga qëlqerja dhe shpëlajmë mirë. Në një tenxhere të thellë hedhim fiqtë, i mbulojmë me ujë dhe i lëmë të ziejnë për të paktën 40 minuta. I kullojmë dhe lëmë mënjanë.
Deri këtu çdo gjë shkoi “smoothly”, pa probleme dhe surpriza :).
Surpriza ishte sasia e nevojshme e shërbetit që duhet të përgatisja për të zierë fiqtë. Kisha dëgjuar versione me sasi normale sheqeri, kisha dëgjuar dhe versionin 1 kg sheqer për 25 kokrra fiku (e frikshme) 🤔, kisha dëgjuar dhe që zierja e fikut me sheqerin mund të bëhet me 3 seanca (nga një çdo ditë) derisa fiku të thith mirë sheqerin dhe të krijohet ajo pamja e bukur si xhelatinë e frutit. Ky ishte rasti im, ndaj nuk u tremba kur më duhej ta vija ne jetë si proçes ☺.
Ata që nuk e kanë provuar ndonjëherë glikon e fikut, nuk mund ta dinë aromën që lëshon gjatë përgatitjes që të shoqëron dhe kur e ha glikon, fantastike.
Si fillim hodha 2 kg sheqer & 1,2 l ujë, një kokër limoni të ndarë në mes, fiqtë dhe e vura për të zjerë bashkë, që pa u tretur mirë sheqeri.

Shënim: Masa e saktë e shërbetit është 800ml ujë për 1 kg sheqer, por kokrrat e fikut nga që janë të çpuara janë të  mbushura plot me ujë dhe në këtë mënyrë plotësojnë diferencën në ujë të formulës së saktë.
E ziejmë glikon për ndonjë orë. Dhe e provojmë glikon ditën tjetër për të kuptuar rezultatin. Të nesërmen vura re që kokrra e fikut nuk kishte kthyer ende si një topth “xhelatine” dhe e vendosa përsëri për 30 apo 40 minuta për të zierë.
Përsëri, prisni derisa të ftohet tërësisht përpara sesa ta provoni glikonë. Më në fund kokra e fikut kishte marrë pamjen dhe shijen që duhej, këtë e ndien kur e kafshon kokrrën, por sherbeti kishte shteruar ose thithur i tëri 😊.
Në këtë pikë të nesërmen që isha përsëri me frymëzim vura sherbetin e ri, një kg sheqer me 800 ml ujë, të cilin e lash të ziejë 15 minuta nga pika e vlimit. Ndërkohë bëra gati vazot ku hodha kokrrat e fikut, i mbusha vazot me shërbetin dhe i vura në proçes sterilizimi për t’i ruajtur për një kohë të gjatë. Këtë proçes e bëri mami Lika meqë ishte “in town” ☺.
Proçesi i sterilizimit:
Vazot e mbyllura mirë i vendosim në një enë (tepsi në këtë rast që mua mi zuri të gjitha) të cilën e mbushim me ujë. E vendosim enën në zjarr dhe e lëmë 15-20 minuta nga pika e vlimit. Më pas e fikim zjarrin dhe nuk i nxjerrim vazot nga ena, derisa uji të vaket. 

Këtu mbaron dhe proçesi i sterilizmit që do ta ruajë glikon të freskët për disa vite. Ju bëftë mirë. 










You May Also Like

0 comments