Wednesday, May 17, 2017

Djemtë në kuzhinë

Kisha kaq kohë që doja ta bëja një postim të tillë, por përtoja të gjeja gjithë fotot të shkrepura aty këtu, kur çunat e mi gatuajnë ose ndihmojnë në kuzhinë. Sot e frymëzuar nga një artikull në www.brightside.me “8 things his father should teach his son / 8 gjërat që nja baba duhet ti mësojë djalit të vet”, një nga 8 pikat ishe “Help him to master domestic duties / ndihmoje djalin të perfeksionohet në punët e shtëpisë” dhe jo vetëm si të lidhë një kollare apo të hekurosë një këmishë, por dhe si të gatuajë, në mos për të bërë figurë të mirë, të paktën të mos “vdes urie” 🤗.
Në shtëpinë tonë babi i mëson çunat me shembullin që një djalë duhet të gatuajë “jo që të ngordh urie”, por sepse gatimi është qejf, sidomos kur gatuan për njerëzit e dashur.
Ka disa gjellë tipike ose më saktë tava që i gatuan më së shumti Bledi si pastiço, gjellën me patate, puren me patate dhe një tavë pulë me patate që thënë kështu duket si një tavë e zakonshme, por është një recetë angleze me erëza që Bledi e ka provuar, e ka mësuar recetën dhe e gatuan vetëm ai. Tani që po e shkruaj këtë fakt, po pyes veten përse nuk e kam postuar “tavën me pulë angleze” ende ☺.
Nëse ka një gatim që unë nuk kam marrë ndonjëherë mundimin ta bëj vet në shtëpi janë krepat. Bledi ka recetën origjinale dhe është i përsosur në hapjen e tyre në tiganin përkatës. Krepat gatuhen vetëm për çunat ose kur vjen ndonjë shok i tyre për darkë, ndaj nuk ka më bukur sesa t’i shohësh të tre në kuzhinë, Bledin në veprim dhe çunat që presin në radhë për variantet e tyre të krepave të ëmbël ose të kripur.








Ndërsa dy ndihmësit e mi Henri dhe Luis janë gjithmonë aty sa herë gatuhen ëmbëlsira. Janë aty për të ndihmuar ose për të lëpirë ndonjë gjë të tepërt 😊.
Çdo ditë unë pyetem nga çunat se çfarë gjëje të mirë do u gatuaj dhe ata vihen në radhë për të dhënë përshtypjet e tyre dhe batutën e njohur në shtëpinë tonë kur një gatim është pëlqyer shumë “këtë e duam të na e gatuash gjithmonë” 🤗
Henri si ndihmësi im i parë, ka marrë në dorëzim përgatitjen e “krahë pule me thërrime buke”, deri dhe pjekjen e tyre në furrë. E bën me përkushtim shumë të madh dhe mezi pret që ne t’i provojmë 😍.





  





Djemtë në një aktivitet në shkollë organizuar nga "Food Revolution Albania"







Siç edhe e kam thënë në postimin tim të parë “happiness is homemade”, lumturia përgatitet vetëm në shtëpi, ndaj dhe gatimi si një aktivitet i përditshëm, për ne të katërt nuk është veçse shprehje e dashurisë.  Lumturia është një zgjedhje që unë zgjedh ta gatuaj në shtëpinë time :).




Fotot e fundit janë për qejf, Nuk kam qenë asnjëherë pjesëmarrëse në spektaklet përkatëse 😍.


SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig