Saturday, May 20, 2017

Japrakë sipas teze Elit


Isha betuar që këtë vit nuk do i gatuaja japrakët, meqë njëherë i bëri mami Lika për mua dhe njëherë tjetër Denisa (komshija) më solli kur i gatoi vet. Më shumë se dy herë në vit nuk ha njeri japrakë kur është koha e gjetheve, sepse siç edhe e them gjithmonë, përgatitja e japrakëve më parë të ha, sesa i ha 😍. Nëse do të bësh japrak tamam duhet t’i bësh siç i bën teze Eli. Japrakët e Fierit, janë me jeshillëqe, por mbizotëron orizi. Japrakët e teze Elit janë siç i bëjnë tiransit, me shumë jeshillëqe dhe pak oriz. Nuk ka recetë strikte në përzgjedhjen e jeshillëqeve, nuk ka as masa strikte se sa tufa për secilin përbërës. Sa më shumë aq më mirë. Mjaft të shkoni tek perime shitësi ose nënat që shesin në lagjen tuaj, dhe të porosisni tek to harxhat për japrakë. Dhe nëse njohuritë e tua shkojnë deri tek njohja e spinaqit (si puna ime), mos u shqëtësoni, nëna do ju fusë ne qese gjithë listën e jeshillëqeve më poshtë. Mos harroni gjethet e rrushit :), se për pak i harrova unë.

Përbërësit:
Pazi
Spinaq
Labot
Lëpjetë
2 – 3 tufa qepë të njoma
Kopër
Majdanos
Nenexhik
1 kupë oriz
Vaj ulliri 1 filxhan kafeje
Kumbulla të vogla (opsionale)
Këtu janë vetëm gjysma e jeshillëqeve :)

Përgatitja:
Nuk dua të zgjatem me pastrimin e jeshillëqeve se ato i dini vet ☺. I grini në copa të vogla. Qepët e njoma i grini veçantë. Në një tenxhere hidhni pak vaj për gatim dhe shtoni qepët e grira. Kur qepët të ulin vëllimin, pjesë pjesë shtoni gjithë jeshillëqet duke trazuar herë pas here. Në fund shtoni orizin, kripën dhe lëreni mënjanë. Ky është versioni i parë i përgatitjes së harxhës, kur nuk keni kohë.


Versioni i dytë i përgatijes së harxhës është larja, grirja e jeshillëqeve. I vendosim ato në një enë, shtojmë kripë dhe i vrasim me dorë. Pasi jeshillëqet të kenë ulur vëllimin, shtoni mbi to sasinë e orizit dhe harxha është gati për të mbushur gjethet e rrushit.




Në një tenxhere tjetër që e keni mbushur me ujë të nxehtë vendosni gjethet e rrushit njëra mbi tjetrën dhe lëreni në zjarr për 2-3 minuta sa gjethet të ndryshojnë ngjyrë.  Nxirini nga uji i nxehtë dhe i vendosni mbi tavolinën e punës.

Filloni mbushjen dhe mbledhjen e japrakëve. Kini parasysh që në fund të tenxheres ku do rendisni japrakët të vini më parë një shtresë me disa gjethe rrushi, të cilat shërbejnë për të ruajtur shtresën e fundit të japrakëve gjatë zierjes. Kur mblidhni japrakët, sigurohuni që gjethes t’ja keni hequr bishtin.




Mos u shqetësoni nëse ju mbetet harxhë dhe ju mbarojnë gjethet. Pjesa e mbetur bëhet një pjata rizoto fantastike 🤗.
Pasi keni mbaruar me radhitjen e japrakëve, hidhni mbi të vajin e ullirit dhe vendosni një pjatë që do ti mbaj pa lëvizur gjatë kohës që do ziejnë. Shtoni dyfishin e masës së orizit me ujë të nxehtë (pasi e keni rregulluar me kripë) mbi pjatën e përmbysur.
Shënim: nëse ju gjenden kumbulla jeshile të vogla mund ti vendosni ato mes japrakëve për një shije më të athët. Unë nuk kisha, por japrakët e mi dolën me athësine e duhur.




Mbuloni me kapak dhe zjeni në zjarr të mesëm. Mos prisni që të përthithet gjithë uji. Hiqeni tenxheren nga zjarri, kur shikoni pak ujë në sipërfaqe të pjatës. Kur japrakët të ftohen do e kene përthithur dhe kur t’i hani japrakët do jenë me një mbushje të butë, plot jeshillëqe dhe me pak shije të athët. Ju bëftë mirë.




















SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig