Nata e Vitit të Ri 2017.

by - January 02, 2017

Nuk ndodh shpesh, për mos të thënë nuk mbaj mend të këtë ndodhur ndonjëherë që pulën e detit ta kemi pjekur me erëza të tjera veç rigonit dhe lëngun e saj të mos e kemi bërë përshesh me bukë misri, në natën e ndërrimit të viteve.
Ajo që ka ndryshuar është që kur mami Likës i hyri në derë dhëndri nga Tirana, bën dy përshesh atë më bukë misri për babin tim dhe atë me kulaç për burrin tim :))). Ne të tjerët mund të zgjedhim nga të dy llojet :).
Në familjen Furrari, një tavolinë festash që nuk ka mish me bollëk, është tavolinë jo mikpritëse. Në këto kushte, kur unë ftoj tim atë për festa, duhet që tavolina të ketë të gjithë llojet e mishit dhe mundësisht në sasira të konsiderueshme (që të ngopemi mire :)). Vetëm kështu tavolina mund të jetë e denjë për tim atë dhe për gjithë të ftuarit e tjerë. Ndaj në një Vit të Ri, ku numri i të ftuarve është 11, 2 pula deti, një qingj qumështi, bërxolla gici dhe romstek sipas mami Likës ishin në lartësinë e duhur :). Ju zuri mishi e di, ju kërkoj ndjesë, por një ditë në vit është….ja bëjmë hallall hahahah
Bashkë me mami Likën filluam pjekjet që të premten dhe sa mirë bëmë sepse të nesërmen, ndërprerja e dritave pasdite ishte e disahershme.
Përveç pjekjeve të mishit, përgatitëm perimet për sallatën ruse (nuk jam ndonjë fanse shumë e madhe e kësaj sallate), poqëm kulaçin e përsheshit (mami Lika dontë të bënte dhe bukën e  misrit vet, si gjithmonë, por e ndalova :), unë bëra biskotat e Krishtlindjes, ndërkohë që mami Lika përgatiti një ëmbëlsirë (që nuk ja di emrin tamam, por do i vë një emër kur ta postoj :), përgatita disa sallatra dekorative me bazë djathi, do ju postoj disa foto këtu, por do i bëj një postim të veçantë, salcën e kosit, marinimin e mishit të grirë për romstek, marinimin e bërxollave, bashkim tavolinash dhe karrigesh, ku i ke dhe ku s’i ke, 5 lavastovilie dhe 3 lavatriçe në 2 ditë. Ndërkohë që bënim gjithë këtë aktivitet duhet të përgatisnim dhe drekën për të premten dhe të shtunën (do hamë apo jo gjatë çdo vakti). Im shoq më ndihmonte me psonisjet, ndërkohë që çunat na ndihmonin me dyluftimin e zakonshëm, pas 2 orëve futboll (nuk pushojnë gjithë ditën).
Ky është skenari në të gjitha familjet dhe megjithëse betohem çdo vit, këtë vit do shkoj në lokal, kur ke prindër që mezi presin këto lloj festash për t’u bashkuar me fëmijët, nuk të bën zemra të bësh ndryshe. Kështu janë lodhur mamatë tona, kështu do vazhdojmë të lodhemi dhe ne bijat e tyre, sa herë mikëpresim të dashurit tanë.
Në orën 6 pasdite menduam se mbaruam (2 orë më vonë, do fillonte proçesi ngrohjes të çdo tave përpara servirjes), u bëmë gati vet për të pritur miqtë.
Darka u shtrua pak vonë rreth orës 9:30, por ja vlejti gjithë mundimi, kur sheh sesi të dashurit e tu shijojnë çdo gjë. Dhe ndërsa pyesnin kush e ka gatuar këtë, po atë, doli që 80% të pjatave e kishte gatuar drejtpërsëdrejti mami Lika, unë kisha qënë thjesht ndihmës kuzhinjerja hahaha.
Sot do ju tregoj për kulaçin dhe përsheshin e mami Likës. Ju kërkoj ndjesë që fotot nuk janë dhe aq të mira dhe jo shumë sqaruese (hap pas hapi), pasi siç lexuat më lart, shyqyr që bëra dhe ca shkrepje :))
Foto e njërës prej pulave bashkë më përsheshin, ka ndonjë krah mangut, ose ndonjë fitil mishi të hequr :))), pasi aroma e shpërndarë në shtëpi na tundonte, dhe fshehur nëna Likës  pickonim ndonjë gjë :). 
Tavolina më poshtë, është në proçes e sipër :))
Përbërësit për kulaçin
1 kg miell
½ lugë kafe me sod buke
Kripë
Ujë i ngrohtë, jo i vakët për të zënë brumin

Përgatitja
Ngjeshim brumin për kulaç, e lëmë 1 orë të vijë, mbuluar me një qese gatimi në ambjent të ngrohtë. E hapim brumin mbi tavën e lyer me vaj dhe e lëmë të piqet në 200 gradë, në fund të furrës, për rreth 45 minuta. Pasi piqet e lëmë pakëz të ftohet dhe e shkërmoqim menjëherë në copa të vogla. Ky është momenti, kur të gjithë shkëpusim nga një copë kulaç, ta hamë me pak gjalpë të shkrirë :).

Marinojmë pulën me kripë dhe rigon duke e çarë në disa vende si në foto. Në këto zgavra të vogla hedhim kripë dhe rigon. Mirë është që këtë marinim ta bëjmë një natë më parë, por dhe 2-3 orë janë mjaftueshëm (nëse pula është e dobët, lyeni sipër me gjalp). E vendosim pulën në temperaturën maksimale të furrës, derisa pula të fillojë të marrë ngjyrë. E ulim temperaturën në 200 gradë dhe që mos të thahet, në këtë moment, i vendosim letër alumini, për rreth 2 orë, duke e kontrolluar herë pas herë, me majën e thikës tek gjoksi, nëse ka kulluar tërësisht. Gjysëm ore, përpara sesa ta heqim nga pjekja, ja heqim letrën e aluminit, për një ngjyrë më të bukur pjekje.



Pasi pula e detit është pjekur, merret lëngu që ka nxjerr gjatë pjekjes dhe hedhim në tenxheren ku do përgatisim përsheshin. Grijmë dy trupa preshi dhe i shtojmë tek lëngu, bashkë me të brendshmet e pulës, të cilat i kemi zjerë më parë. Preshi thuajse skuqet dhe zjehet në lëngun e pulës. Kur preshi të jetë zbutur, hedhim rreth 2 litra ujë, rregullojmë me kripë dhe e lëmë të ziejë për disa minuta.
Kulaçin e copëtuar, e kemi thekëruar më parë në furrë, ashtu të copëtuar. E hedhim drejt e në lëngun që po zjen, duke e fikur flakën. Shtojmë rigonin, trazojmë derisa copat të kënë pirë gjithë lëngun.dhe e lëmë të mbuluar me kapak.
Nëlloj veprohet dhe me përsheshin me bukë misri, veçse në këtë rast kur shtojmë copat e bukës së misrit, e lëmë të ziejë rreth 5 minuta, pasi buka e misrit është pak e ashpër. Paralelisht gatuhen të dy përsheshet :)




Shijoni fotot më poshtë, bashkë me disa sallata dekorative.
GEZUAR DHE NJË VIT I BEGATË PËR TË GJITHË JU. Bonbon Taste



You May Also Like

0 comments