Mirëseerdhët në BonBon Taste

by - October 13, 2016

Meqë lumturia përgatitet vetëm në shtëpi, të gjithë mundohemi ta bëjmë sa më të lumtur bashkëjetesën nën të njëjtën çati.
Një nga gjërat më të bukura në jetë është se si të gjithë ne ndalojmë rregullisht çdo gjë që jemi duke bërë, për t’iu përkushtuar vakteve tona të ushqimit.
Në shtëpi këto janë momentet ku të gjithë mblidhemi jo vetëm për të konsumuar vaktet, por për t’i ofruar ushqim shpirtit me një vakt të gatuar me dashuri.

BonBon Taste do të vijë vetëm me receta të përgatitura në shtëpinë time dhe i kushtohet gjithë mikeshave të mia, amvisa shumë të mira që po e kërkojnë me ngut që unë të hap blog-un tim.
Këtu do gjeni vetëm receta që gatuhen në shtëpi, me përbërës që të gjitha ne i kemi në raftet apo frigoriferin e kuzhinës sonë. Shumë rrallë do ndiheni në mëdyshje se ku t’i gjeni përbërësit e recetave të mia, sepse une dua që ky blog t’ju bëjë të ndiheni si në shtëpinë tuaj pa ju lodhur shumë :).

E vetmja gjë që nuk do jetë më surprizë për ju pas disa recetash do jenë ngjyra e banakut tim dhe enët e mia të kuzhinës, të cilat do t’i mësoni përmendësh :). Nuk kam ndërmend të kërkoj pjata “borxh” për të bërë servirjet e gatimeve të mia, kështu që ma bëni hallall :).

Do të sjell këtu dhe gatime të mamasë time, amvisa më e mirë që kam njohur ndonjëherë. Ende sot në shtepinë e prindërve të mi, majë pallatit, përgatitet trahanaja, turshitë, reçelrat, salcat e domateve për gjithë sezonin dhe ullinj në disa mënyra rezervimi, për gjithë dimrin. Këto janë receta tradicionale, që une i quaj vlerë e ruajtur në kohë dhe jam me fat që i provoj nga duart e arta të mamasë sime.

Për ta mbyllur, blog-u im përfaqëson një nga të gjithe juve që më lexoni. Këtu nuk do gjeni kuzhinën “fancy”, por gatime që i bëjmë gjithë dashuri për të dashurit tanë, në aq kohë sa na mbetet ne mamave mes punës, shtëpisë, pastrimit dhe detyrimit për të gatuar.

Faleminderit që më lexoni.

Valbona

You May Also Like

13 comments