Supa Ambasador

by - October 19, 2016

Supa ambasador është një nga postimet në ditët e para që kam hapur blogun, kur ende nuk kisha krijuar një stil timin të rrëfimit. Ndaj kjo supë që kush e ka provuar e ka bërë të vetën, meriton historinë e saj. Emri i kësaj supe nuk është i rastësishëm, është vërtetë supa e preferuar e një ambasadori, nga ata të rëndësishmit.
Ishte koha kur punoja në BBC dhe "detaje" të tilla pa zarar na qarkullonin në zyrë 😍. Fëmijët ishin të vegjël ato vite dhe të dëgjoje për një supë, preferencë e një ambasadori me përbërës kaq të thjeshtë e të shëndetshëm, menjëherë më zgjoi interesin për ta provuar. Që nga ajo ditë supa ambasador është pjesë e pandarë e menusë tonë. 
Me kalimin e kohës siç thotë dhe shoqja ime Nikoleta, unë i bëj "customize" çdo recete 😍, siç bëjnë amvisat që gatuajnë përditë. Makaronat fidhe ja kam shtuar vetë, në mënyrë që çunat të merrnin shtesën e duhur të karbohidrateve dhe i rri mjaft mirë supës.
Fëmijët sidomos i vogli, gëzon kur ka këtë supë, i madhi ankohet ndonjëherë për fijet e selinosë 😍, ndaj pastrojeni mirë selinon me qëruesen e patates dhe zgjateni pak më shumë proçesin e bërjes krem të supës me mikserin. Shijoni recetën më poshtë.

Përbërësit
2 trupa preshi
2 degë selino
2 patate mesatare
2 thelpinj hudhër
Mente e freskët
1 lugë gjelle gjalp
Vajë ulliri
1 filxhan kafe makarona të vogla fidhe (opsionale)
1 paketë e vogel Star për supë

Përgatitja
Pastrojmë përimet një nga një dhe i presim në copa të mëdha si në foto (selinon e pastrojmë më qëruesen e patates nga sipër për të eleminuar fijet gjatë zierjes). Në një tenxhere hedhim gjalpin, vajin e ullirit dhe perimet.


I lëmë të kaurdisen për disa minuta, pastaj i shtojmë ujin dhe paketën star për supë. Pasi supa të marrë valë, shtojmë fidhet dhe i lëmë të ziejnë derisa fidhet dhe patatje te jenë zbutur. Në këtë moment shtojmë menten e freskët.


Bëjmë supën krem, e rregullojmë me kripë dhe e lëmë dhe 2 minuta në zjarr.
Në një tigan, shtojmë bukë të ndejtur, të grirë në kubik me vaj ulliri, kripë dhe rigon (opsionale). I kaurdisim derisa buka të bëhet krokante. Servirim mbi supë sipas dëshirës. Ju bëftë mirë :)





You May Also Like

0 comments