Keku i Lolës

by - November 29, 2016

Keku i Lolës të merr në qafë nga pamja dhe ka përbërës që na gjenden të gjithëve në shtëpi. Në përgatitjen dhe pjekjen e këtij keku nuk gabon kurrë. Këtë recetë ma ka dhënë një prind fëmije në kopësht me emrin Lola. Nuk e di nga bëhet Lola tani, por një gjë të mirë na e la, recetën e këtij keku :).
Receta origjinale e kekut është pak më ndryshe nga ajo që unë bëj, pasi kam ulur gati 1/3 e sasisë së sheqerit dhe një kokër vezë më pak. Gjithmonë kështu e kam gatuar këtë recetë sipas modifikimeve Bonbon :) dhe rezultatet janë siç do t’i shihni në foto. Për shijen duhet ta provoni vetë në shtëpitë tuaja dhe do më jepni të drejtë.
Ajo që duhet të mbani parasysh kur përgatisni kekun e Lolës është cilësia e kakaos. Mos e blini atë në supërmarket apo dyqanet e vogla të lagjeve. Blijeni tek Neranxi sepse ka një shije më pranë kakaos së vërtetë. Cilësia e kakaos bën ndryshimin në këtë recetë. Ka disa dyqane me produkte natyrale dhe organike në Tiranë, por që unë nuk i kam vizituar ende, që t’ju drejtoj në këto dyqane për cilësinë më të mirë të kakaos.

Përbërësit
120 gr kakao
12 lugë gjelle sheqer
12 lugë gjelle miell
4 vezë
1 kupë qumësht (150 ml)
1 kupë vaj (150ml)
1 bustinë pluhur pjekës
100 gr copa çokollate
Përgatitja
Pasi i matim të gjithë përbërësit, fillojmë ti rrahim një nga një vezët, sheqerin, vajin, qumështin, miellin, kakaon, pluhurin pjekës me një mikser normal. Rrahim për 2-3 minuta.
Heqim një kupë nga masa e kekut që kemi përgatitur, pasi do ja shtojmë kekut në fund.
 Hedhim gjysmën e copavë të çokollatës në përzierjen tonë.
Shtrojmë letër gatimi Fino në tepsinë ku do pjekim kekun. Këtë herë provova letrën e gatimit Fino, e cila siguroi një pjekje perfekte të kekut.

Pjekim në 180 gradë për 25-30 minuta. Kthejmë kekun përmbys në një pjatancë. Pjekja siç e shihni në foto super :).
Shtrojmë mbi kekun e pjekur masën që hoqëm më parë dhe zbukurojmë me copat e çokollatës sipas dëshirës. Kekun e Lolës e përgatitëm sot për festën e Çlirimit, ndaj po postoj dhe foto të tavolinës tonë. Ju bëftë mirë dhe GËZUAR









You May Also Like

0 comments