Veggie rolls – Byreçka me perime

by - December 19, 2016

Për shkak të formës së veçantë të këtyre byrekëve, po ja lë dhe emërtimin në anglisht, pasi nuk di një fjalë të saktë për ta shqipëruar “byrek që rrotullohen, tingëllon çuditshëm :). Rrotullohen ose jo, kjo pjatë do ju sjellë shumë pranë kuzhinës aziatike. Shoqja ime Ana, mi solli ndërmend t’i provoja këto byreçka me perime, tek e dëgjoja sesa me qejf i kishin ngrënë çunat e saj, por kur Ana renditi perimet, e dija që çunat e mi do më shikonin shtrembër kur t’i gatuaja. Jo çdo pjatë që gatuhet në shtëpi, duhet detyrimisht t’i pëlqejë çunave :). Ndaj përveshim mëngët e fillojmë nga puna, fillimisht me zënien e brumit të byrekut, me qëllim që brumi të rri pak para se të hapim petët.

Përbërësit për 12 byreçka
250 gr miell
½ e një lakëre të bardhë mesatare
1 kokërr qepë
2 karrota
Vaj, kripë
1 filxhan kafe misër i zjerë - opsionale
½ luge çaji salcë soya ose Worcestershire – opsionale
½ lugë çaji krem açeto balsamik - opsionale

Përgatitja.
Pasi zëmë brumin për byrek, grijmë perimet. Më pasi i vendosim në një tenxhere ku kemi shtuar vaj dhe i kaurdisim në flakë mesatare. Ana i kishte hedhur më tepër se një kokërr qepë, por unë nuk doja të rrezikoja mos të mi hante as bashkëshorti :) dhe meqë devijuam nga receta e Anës, le t'i bëjme recetës “prekjet” Bonbon :). 
Paskam gjysëm kanoçe me misër të zjerë në frigorifer. Perse mos t’ja hedh, ushqimet aziatike e pranojnë këtë përbërës :). Shtojmë dy kombinime salcash që u hidhen gatimeve aziatike :), açeto balsamik të cilën unë e kam në formë kremi dhe salcën worcestershire, meqë më kishte mbaruar salca soya :). Të gjitha këto salca i gjeni në të gjitha supermarketet e mëdha në vend. Përfunduam dhe me rregullimet Bonbon :). Hedhim kripë dhe i heqim përimet nga zjarri, pasi janë kaurdisur në total jo më shumë se 10 minuta, pa kapak, duke i trazuar herë pas here.

Hapim petët si zakonisht për byrek. E ndajme petën më dysh. Në fakt, Ana më kishte thënë ta ndaja një petë në 3 pjesë, por nuk ja kisha vënë veshin siç duhet :))).
E shtrojmë gjysmën e petës mbi banakun e punës. Hedhim harxhën me lugë. Me një furçë lyejmë anësoret e petëve me vaj. Palosjen dhe rrotullimin e petës e keni të ilustruar me foto. Pasi mbarojmë me të gjithë brumin, vendosim byrekët në nje tepsi, i lyejmë sipër me vaj. I pjekim në mes të furrës në 220 gradë, derisa të marrin ngjyrë të artë.

  






Të sapo dala nga furra.

 I mbulojmë për 10 minita, përpara se t'i servirim. 

Përveç djalit të vogël, u bëmë 3 në familje që i shijuam shumë këto byreçka :). Ju bëftë mirë.



You May Also Like

0 comments