Sallatë me panxhar

by - December 16, 2016

Nuk dua t’ju listoj këtu vlerat e panxharit të kuq, se ato i dini të gjithë, por dua t’ju tregoj sesi unë përgatis sallatën me panxharë të kuq në shtëpinë time. Kjo është mënyra më tradicionale që ne përgatisim sallatën me panxhar, duke e zjerë atë dhe servirur me açeto, hudhra, vaj ulliri. Kjo sallatë është mirë të përgatitet që në mëngjes, për tu ngrënë në drekë ose një natë më parë. Përbërësit kanë nëvojë të rrinë pak me njëri tjetrin për një marinim më të mirë.

Përbërësit
5-6 kokrra panxhar
Krem uthulle balsamike
4-5 thelpinj hudhër
Vaj ulliri
Kripë

Përgatitja
Pastrojmë panxharët nga bishtat dhe i lajmë, pa i qëruar. I vendosim në një tenxhere, i mbulojme me ujë dhe i lëmë të ziejnë, derisa maja e thikës të futet lehtësisht në zemër të panxharit.

I kullojmë dhë lëmë panxharin të ftohet përpara se ta qërojmë. Që të ruani duart tuaja nga ngjyra e panxharit, kur ti qëroni vendoseni panxharin në mes të një qeseje dhe fërkojeni atë me duar, lëkura i hiqet menjëherë pa nevojë për thikën. I prisni në kubik, shtoni hudhrën e grirë. Hidhni kremin e uthullës balsamike. Meqë ajo është pak e ëmbël, unë i shtova edhe pak krem shege meqë nuk kisha uthull tjetër në shtëpi :). Hedhim vaj ulliri, rregullojmë me kripë dhe e servirim të paktën 2-3 orë më vonë. Ju bëftë mirë.



You May Also Like

0 comments