Monday, December 19, 2016

Pitet e nona Afros - BonaPita

Në fakt 10 vjet më parë kur nona Afro ma ka dhënë këtë recetë, nuk ishte ende nona. Por sot, prej 3 muajsh është nona e dy binjakëve si drita, që unë nuk rri dot pa i parë përditë në foto. Ndaj dhe këtë recetë do e quaj kështu “Pitet e nona Afros”. Nona Afro jeton në Sarandë dhe ne i kemi marrë gocën për nuse, dmth kur them ne, tezja ime :). Nuk më ka qëlluar të provoj shumë gjëra nga dora e nona Afros, po ato pak gjëra që i kam provuar janë për të të mbetur mendja. Ndaj dhe 10 vjet më parë kur shkuam si krushka, e ndër të tjera nona Afro na kishte bërë dhe pite, unë 10 vjet më e re, e kisha mendjen t’i kërkoja recetën dhe do më kuptoni përse, kur të shikoni sesa oreksndjellëse janë pitet e nona Afros. Dhe po t’i bëni sipas recetës origjinale, ju garantoj që gjithmonë do kenë këtë pamje dhe shije. Duke qenë se pitet janë një ushqim tradicional i mëngjeseve shqiptare, dua të bëj një autokritikë që unë i gatuaj pasdite ose në darkë, pasi nuk jam një “morning person”….nuk zgjohem dot herët që ti përgatis të ngrohta për familjen :). Presim kur vjen nëna Lika, për këto mëngjeset gjithë përkëdhelje :). Shijoni recetën më poshtë.

Përbërësit
500 gr miell
Kos
Kripë
1 lugë kafe e prerë sodë buke
Vaj për skuqje

Përgatitja

Hedhim miell në tepsi. Mbi të hedhim kripën, sodën e bukës në të gjithë masën dhe në mes shtojmë kos (jo dhallë), mjaftueshëm sa për të zënë  një brumë të butë, si brumi i byrekut. E punojmë brumin për disa minuta, e mbulojmë me një pecetë dhe e lëmë mënjanë për të paktën gjysëm ore.


Në një tigan hedhim vaj për skuqje dhe e lëmë të nxehet në një flakë mesatare për 4-5 minuta. Marrim një copë nga brumi, e shtrijmë mbi banak, duke e hapur me një pec si në foto. Trashësia e petës duhet të jetë të paktën 5 mm. Me një thikë e presim piten në copa të vogla “bites”. I shtojmë copat e prera në tigan dhe ndërkohë vazhdojmë të njëjtin proçes me brumin e mbetur. Më lejoni t’ju them këtu se këto pite skuqen shumë shpejt, ndaj mos u largoni nga këndi punës sepse për një minutë duhet t’i ktheni pitet nga ana tjetër, ndërkohë që mbi banak jeni duke prerë copat e vogla të piteve gati për skuqje. Skuqja bëhet gjithmonë në flakë mesatare. Këto pite nuk thithin fare vaj, do e shikoni vet. E shikoni si fryhen, sapo i hedh në vaj. Këto pite dalin si pufka, të fryra dhe krokante nga jashtë, bosh nga brenda.


Ndërkohë që po shkruaj këtë recetë në blog, Juli shoqja ime në Kanada, sapo më kujtoi që çunat e saj, binjakë dhe ata :), këto i quajnë BonaPita :). Ndaj, për dashurinë ndaj Danny dhe Chrissy, këto pite po i emërtoj me dy emra :). Chrissy i adhuron BonaPita dhe ja kërkon shumë shpesh mami Julit t’i gatuaj. Dhe nën moton “pite për të tëre” shijoni fotot :))). 
Vështirësia më e madhe pasi të shikoni këto foto është me çfarë t’i hani këto pite, mjaltë, reçel, djath apo të gjitha bashkë :))). Ju bëftë mirë.

 


SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig