Patate krokante festive

by - December 25, 2016

Patatet krokante janë një “detyrim” në tavolinën e Krishtlindjes. Në ditën e ndërrimit të viteve ne jemi shumë tradicionalë në gatimin e kaposhit dhe pulës se detit, me përshesh dhe vetëm përshesh. Ndaj nuk mund ta humb rastin dhe të gatuaj pulën time të detit për ditën e Krishtlindjeve vetëm me patate krokante dhe pak pilaf me lëngun e pulës. Nuk do zgjatem këtu tek pjekja e pulës dhe as tek pilafi, sot do tregoj se si gatuhen patatet krokante sipas Jamie (Oliver) :), një shef kuzhine anglez, mjaft i njohur për gatimet e tij të shpejta, të rrëmujshme, argëtuese dhe me stil. I LOVE JAMIE’s STYLE :) dhe jam e bindur që ju do e përvetësoni menjëherë këtë recetë, sapo ta lexoni dhe shikoni rezultatin. Patatet e Jamie janë me të vërtetë festive, krokante nga jashtë (më besoni që kërcasin kur i kafshon) dhe shumë të buta nga brenda.

Përbërësit
1 e ½ kg patate
2-3 degë rozmarinë
5-6 thelpinj hudhër
1 lugë gjelle gjalp
5-6 lugë vaj ulliri
1 lugë gjelle uthull
Kripë

Përgatitja
Qërojmë patatet. I lajmë dhe presim në copa të mëdha si në foto.
Vendosim për të zierë në ujë me kripë. Zierja nënkupton jo zierje të plot, por aq sa thika të futet jo me shumë lehtësi në zemër të patates (rreth 5 minuta nga pika e vlimit). Ndërkohë që patatet ziejnë, në furrën e nxehur në maksimum vendosim tavën ku do pjekim patatet, ku më pare kemi hedhur degët e rozmarinës, hudhrat e shtypura me gjithë lëkurë, gjalpin, vajin e ullirit, lugën e uthullës, pak kripë.

Kur patatet arrijnë zierjen e dëshiruar, i kullojmë dhe i tundim disa herë në kullesë, në mënyrë që patatet të gërvishën në brimat e kullesës (shih foto për ilustrim)
Nxjerrim tavën e nxehtë nga furra dhe mbi to hedhim menjëherë patatet duke i trazuar me lugë druri, në mënyrë që ato të lyhen nga të gjitha anët me yndyrën e tavës.

Futim për të pjekur patatet në 250 gradë, për rreth 50 minuta. Në mes të pjekjes e nxjerrim tavën dhe trazojmë patatet që të marrin pjekje të njëtrajtëshme. 
10 minuta para pjekjes përfundimtare, Jamie na thotë t'i nxjerrim patatet nga furra dhe t'i shtypim lehtësisht me shtypësen e puresë. Në këtë mënyrë, patatja krijon një plasaritje të lehtë, duke lejuar zbutjen akoma më shumë të zemrës së patates.

I fusim në furrë përsëri për 10 minutat e fundit…..dhe rezultati flet vet. Servirim menjëherë, ashtu të ngrohta. Ju bëftë mirë.





You May Also Like

0 comments