Verë e ngrohtë aromatike – Mulled Wine

by - December 07, 2016

Pa hyrë mirë muaji dhjetor në shtëpinë tonë ka vetëm aromë Krishtlindjesh. Megjithëse kjo periudhë e vitit është si një periudhë “çoroditje” mes planesh për festën e fundvitit, me bërje bilancesh sesi na iku një vit i tërë, me ide të reja për t’i realizuar pas 1 janarit :), me blerje dhuratash, elektroshtëpiakesh, perde të reja apo divanë të rinj :), kur vjen puna tek gatimet dhe atmosfera në shtëpi të gjithë jemi dakort, që nuk ka si muaji dhjetor dhe festat e fundvitit. Ajo që unë betohem që nuk do bëj më çdo fund viti, janë blerjet e tepruara, sikur në datën 1 Janar nuk do ekzistojnë më dyqane. Sot në 8 dhjetor ende nuk kam bërë asnjë blerje për shtëpinë, madje ende nuk kam ide për dhurata. Ca kartolina me shkrim dore nuk do ishin keq, si fenomen në zhdukje :). Këshilla ime këtu, për veten dhe për ju është bëni blerje të zgjuara, mos shpenzoni kot vetëm se ka “ulje çmimesh” :). Dhurata më e bukur që më ka ardhur vjet, ka qenë një CD e përgatitur me shumë dashuri nga kushurira ime Odeta, me këngët më të njohura të Krishtlindjes, tingujt e të cilave mbushnin shtëpinë me atmosferë të vërtetë festash.
Le të flasim për ushqimin tani dhe më konkretisht për një pije :). Verën e ngrohtë ose sic njihet “mulled wine”. Kur e provoni për herë të parë këtë verë do kërkoni të dini patjetër recetën. Unë e kam provuar para 3 vjetësh në Francë dhe ka 3 vjet që e bëj çdo vit në shtëpinë time. Kur e kam provuar vjet në Tiranë, ishte shumë larg shijes së asaj që do ju tregoj sot :).
Ka shumë receta për mulled wine të cilat ndryshojnë vetëm nga kombinimi erëzave. Unë kam zgjedhur Jamie Oliver “Mulled Wine”, pasi është një video që  më argëton shumë.

Përbërësit
1e ½ litër verë ose 2 shishe
200 gr sheqer
6 copë yje Anise
10 copë karafila
2 shkopinjë kanelle
1 lugë fara kardamome
½ lugë çaji arrë moskat
Lëkura e një kokër portokallë bashkë me lëngun
Lëkura e një limoni
Përgatitja
Mos u trembni  nga erëzat dhe emrat e tyre. I mbani shënim siç ja u kam shkruar dhe i gjeni të gjitha tek Neranxi :). Hedhim erëzat, sheqerin, lëkurat, lëngun e një portokalli dhe 300 ml verë në tenxhere. Lëkurat e portokallit dhe limonit, siç thotë dhe Jamie “peel and twist”, i qëroni dhe përdridhni me dorë brenda në tenxherë që të nxjerrin esencën e tyre.
Vendosim tenxheren në zjarr dhe lëmë të ziejë për 7-8 minuta sa të krijohet një masë si shurup. Më pas shtojmë gjithë verën e mbetur 1litër e 200 ml ose 1 shishe e gjys dhe e vendosim në zjarr derisa të marrë valë.
Servirim, patjetër të ngrohtë :) me të gjithë përbërësit brenda, mund të hiqni vetëm lëkurat e agrumeve. Ju bëftë mirë dhe Gëzuar Festat :)

You May Also Like

0 comments