Kërpudha të mbushura sipas Ledinës

by - January 05, 2018

Këtë recetë e kam gatuar 1 muaj më parë dhe më kishte humbur receta që më kishte nisur Ledina, kisha vetëm fotot e mia. Për tu siguruar që elementët përbërës ishin në rregull i nis Ledinës disa nga fotot që të rifreskoja recetën që do ju tregoj sot.
Ledina kur pa në foto açeto, limon dhe hudhër “më mbyti” hahaha. Po këto elemente nga i gjete, pyeti? Unë këmbëngulja që mi kishte nisur ajo. Por pasi vërtetuam bisedat në whatsapp, doli që 3 përbërësit më sipër unë i kisha futur nga truri im 😛. Ndoshta forca e zakonit që nuk të lë pa futur dhe gjurmën BonBon në çdo gatim.
Gjithsesi, me ato 3 përbërës apo jo kjo recetë është “nona” siç thotë Ledina. Mami Lika që ishte tek unë për drekë ditën që i gatova tha janë të shkëlqyera. Ndaj sipas gustos tuaj vendosni t’i mbani apo ti hiqni kremin e açetos, limonin dhe një thelp hudhër 🤗. Pjesa tjetër e përbërësve është autentike sipas Ledinës.

Përbërësit:
1 paketim me kërpudha të mëdha
1 lugë gjelle vaj ulliri
200 gr mocarela
1 lugë gjelle djath i mykur
2 lugë gjelle pana për gatim
2 lugë gjelle arra të copëtuara
1 thelp hudhër
1 lugë gjelle limon
1 lugë çaji krem uthull balsamike
Piper 
Përgatija:
Fillojmë me pastrimin e kërpudhave si në foto. Fillimisht heqim bishtin, më pas vijojmë me heqjen e cipës së kërpudhës  dhe pastrimin e ndonjë papastërtie nëse ka. Vendosim kërpudhat në një tavë dhe fillojmë me përgatijen e mbushjes.



Presim bishtat e kërpudhës në kubikë. Në një tigan shtojmë lugën e vajit dhe hedhim copat e prera në të. Ndërsa copat e kërpudhës kaurdisen dhe ulin volumin shtoni, hudhrën, kremin e uthullës balsamike, limonin dhe trazoni sa përbërësit të lidhen.



 Nxirreni hudhrën pasi të lëshojë aromën e saj.

Kujdes: Kjo mbushje nuk do kripë pasi dhe djathi i mykur, dhe limoni dhe uthullën do e forcojnë shijen e mbushjes. Gjithsesi në fund kur mbushja të ketë përfunduar provoni dhe sipas shijes tuaj mund ti shtoni pakëz kripë.
Shtojmë mozarelën e prerë në kubikë, panën dhe largojmë tiganin nga zjarri. Masa është gati.




Unë arrat i harrova t’i hidhja brenda masës dhe ja shtova kërpudhave të mbushura sipër, përpara pjekjes.


Piqni në 200 gradë në mes të furrës për 25-30 minuta derisa do ta kuptoni që kërpudhat janë gatuar se mblidhen dhe zbuten. Nxirreni tavën nga furra. Lëreni në qetësi për të paktën 5 minuta përpara sesa ta servirni.


 Ju bëftë mirë dhe qoftë një vit i mbarë për të gjithë. 





You May Also Like

0 comments