CinnaBonbon sipas Bonbon

by - March 29, 2018

Më duhet ta postoj sa më parë këtë recetë, pasi është krijuar një trafik i paparë kërkesash për recetën, që kur “kolegia ime”, My Sweet Tooth – Albina e bëri share ne instastory të llogarisë së saj. Albina që e njohët një postim më parë, paska neps më keq se i vëllai. Dhe mu lut për recetën që kur e pa në instastory-n tim 😍. Ja dhashë, ajo e bëri dhe ndau fotot me ndjekësit e saj, të cilët po i kërkojnë llogari që mirë ti që nuk e ke postuar recetën, por as BonBon Taste prej nga e ke marrë nuk paska gjë në blog-un e saj. Kujt t’i përgjigjesha më parë mbrëmë, komenteve plot dashuri mbi prezantimin e Henrit në Masterchef Junior Albania, apo “presionit” për recetën të ndjekësve të Albinës. Dhe ja u ula ta shkruaj, më në fund.
Që thoni ju, Albinës ja kishte ngacmuar nepsin përshkrimi im mbi CinnaBonbon si “Ooooooo Dio” 😛. “Oooooo Dio” është vërtet batutë e imja, por nuk mbaja mend t’ja kisha thënë asaj 🤔. 
Nejse “O Dioooo” im bëri punën e vet, ndezi Albinën dhe ata që e ndjekin 😜.
Tani t’i kthehemi emrit. Përse CinnaBonbon dhe jo Cinnamon siç i njohim të gjithë?
Së pari nga gjithë cinnamon rolls që kam gatuar, kjo është pa frikë ndër më të mirat. Kush ka provuar Cinnabon në Tiranë, receta ime i afrohet pa frikë të themi 100% 🤗. Së dyti shoqet e mija që janë dhe ndjekëset e mija fanatike sapo panë fotot në instastory, thanë këto e meritojnë të quhen CinnaBonbon ❤.
Me aprovim të Silvës dhe Ejonës❤, u vendos CinnaBonbon rolls dhe thjeshtësisht ju parashtroj më poshtë recetën, në fund të së cilës do keni dhe fotot e marra nga InstaStory i Albinës 😍.

Përbërësit për brumin:
2 kupa qumësht
½ kupë gjalp i tretur
½ kupë sheqer
10 gr ose 1 lugë gjelle maja pluhur
500 gr miell

Përbërësit për fazën e dytë të përgatitjes së brumit:
1 lugë gjelle baking powder
½ lugë çaji kripë
1 kupë miell për të punuar brumin

Përbërësit për mbushjen:
50 gr gjalp në temperaturë ambjenti
3-4 lugë gjelle sheqer kaf
2 lugë gjelle kanellë

Përbërësit për kremin e djathit:
100 gr krem djathi
2-3 lugë gjelle qumësht
2 lugë gjelle gjalp
2 lugë gjelle sheqer pluhur
Vanilje
Përgatitja:
Në një tas hedhim gjalpin dhe qumështin dhe i vendosim për 2-3 minuta në mikrovalë që të ngrohen. Shtojmë sheqerin, majanë dhe miellin dhe trazojmë brumin ose me lugë druri ose me duar si në rastin tim 🤗.
Brumi duhet të rezultojë pak ngjitës, shikoni dorën time. Mbulojeni tasin me një pecetë dhe lëreni mënjanë për 1 orë.






Pas 1 ore, kalojmë në fazën e dytë të punimit të brumit. Mbi tas hedhim kripën, pluhurin pjekës, miellin dhe punojmë brumin, fillimisht duke e trazuar në tas, pastaj e hedhim në tavolinën e punës dhe e mbledhim si topth.
Marrim pecin e trashë dhe fillojmë e hapim në formë drejtkëndëshe si në foto. Mbi masën e hapur të brumit hapim përbërësit që ndodhen në kategorinë “Përbërësit për mbushjen”. Hapim fillimisht gjalpin siç e hapim mbi një fetë bukë, më pas pluhurosim me sheqer e në fund me kanellë.





E mbledhim masën e brumit si rulon. Nëse duam që CinnaBonbon të dalin copa të vogla, gjatë kohës që rrotullojmë brumin mund ta zgjasim nga të dyja anët brumin me duar, duke i dhënë gjatësi rulonit. Nëse duam që copat e CinnaBonbon te jënë porcione më të mëdha, mos kini tendencë ta zgjasni brumin tek e mblidhni.

Presim rulonin e brumit në copa si në foto. I vendosim këto copa me largësi 1 centimetër nga njëra tjetra në tepsi. I mbulojmë përsëri me pecetë dhe e lëmë kështu për 30 minuta.








Cinnabonbon janë gati për t’u pjekur në 180 gradë për rreth 30 minuta.
Kremin për t’u shtuar mbi CinnaBonbon e përgatisni menjëherë ose pak minuta më parë se t’i nxirrni ato nga furra. Hidhjeni kremin menjëherë sipër që CinnaBonbon rolls ta përthithin një pjesë të mirë. Në një tas shtojmë gjalpin dhe qumështin. I vendosim ato në mikrovalë në mënyrë që gjalpi të tretet. Shtojmë kremin e djathit, vanilje dhe sheqerin pluhur. Trazojmë sa të bëjmë masën kremoze. Kremi është gati. 🤗





Aromën e dini vet ju çfarë aromë mban shtëpia pasi keni pjekur diçka me gjalp, sheqer dhe kanellë 😍. Shijoni fotot më poshtë të mijat dhe historitë në Instagram të Albinës. Ju bëftë mirë.










Fotot nga InstaStory i Albinës :)





Fotot e Mandarina (Ejonës) e cila pati fatin t'i shijonte CinnaBonbon të Bonbon.



You May Also Like

0 comments