Musaka me presh

by - February 21, 2018

Kur je një shijuese e ushqimit si unë e përdor shumë herë tingullin “mmmmmm” ose “Wowww, that tastes delish” sa herë shijon diçka qoftë kjo dhe gatim me presh 😍. Këtë muaj e kam përdorur aq shumë herë preshin në gatime sa më “bërtitën” dhe fëmijët; çfarë të ka gjet që gatuan kaq shumë presh. Do më kuptoni kur të rriteni dhe pak ju thashë 🤗. Këtë herë për preshin u bë shkak Adeola, që e kam njohur në instagram dhe që menaxhon faqen e saj me gatime plot ngjyrë e pasion “Kuzhina Shtëpisë Sime”. Adeola kishte postuar një foto të drekës së ditës duke cilësuar “musaka me presh” dhe përbërësit, pa hyrë në detaje të përgatitjes. Por ne mamave aq na duhet, se e ngrejmë vet në këmbë një gatim 😊. Provojeni sa jeni ende në stinën e preshit sepse shija është pak dimërore. Çunat e mi e përlanë, sidomos i vogli që i bën naze qepës, preshit si çdo fëmijë. Unë e gatova për herë të parë dhe nuk do i ndryshoja asgjë kësaj recete dhe kur ta rigatuaj prap.

Përbërësit për bazën:
1,2 kg presh
2 kokrra qepë
300 gr mish të grirë
1 filxhan kafe pure domate
piper, ginger pluhur, dafinë, arrë moskat
3-4 lugë vaj, kripë
2-3 lugë gjellë bukë e grirë (galetë)

Përbërësit për beshamel:
2 lugë gjelle gjalp
2 lugë gjelle miell
1 litër qumësht
Kripë, arrë moskat
1 kokërr vezë (opsionale)
20 gr djath grana i grirë

Përgatitja:
Bëhuni gati të vini në zjarr 3 tenxhere. Në njërën do gatuajmë preshin, pasi e kemi pastruar, larë dhe grirë në copa të vogla. Shtojmë 3-4 lugë vaj në tenxhere dhe e lëmë preshin të gatuhet me kapak në zjarr të ulët.
Në tenxheren e dytë grijmë qepën, shtojmë mishin dhe KUJDES: Siç ja u kam theksuar tek receta e lazanjës, po ja u vë përsëri në dukje, kur përgatisni kimë me mish të grirë, mos i shtoni asnjëherë vaj, por gjysëm gote ujë apo më shumë (në varësi të sasisë) sepse vaji i nxehtë e forcon mishin e grirë duke e bërë si “llastik”. Skuqja direkt me ujë e mban mishin e grirë të shkrifët dhe të butë. Nëse doni ja shtoni 2 lugë vaj në fund kur kima të jetë gati.
Kur qepa dhe mishi të jenë zbutur dhe uji të jetë shteruar shtoni kripë, piper, ginger pluhur sipas dëshirës, 2-3 gjethe dafine, pak spec të kuq pluhur, puren e domates dhe e mbajmë në zjarr 5 minuta sa të lidhen shijet. Kima është gati.


Në tenxheren e tretë përgatisim beshamelin. Shtojmë gjalpin dhe pasi gjalpi të jetë tretur, shtojmë miellin. KUJDES: Përsëri siç ja u kam shpjeguar tek receta e lazanjës në mënjyrë që të kemi gjithmonë një beshamel kremoz dhe pa kokriza, duhet të ndiqni këshillat e mija 🙃. Pasi mielli merr pak skuqje me gjalpin, largojeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni 2 minuta të qetë sa të bjerë nxehtësia e mos të kemi më bulëza. Me një rrahëse dore filloni shtoni qumështin e ftohtë pak nga pak. Masa do bëhet menjëherë kremoze. Vazhdoni kështu derisa të keni mbaruar gjithë sasinë e qumështit. Vendoseni përsëri tenxheren në zjarr, duke e trazuar herë pas here derisa masa të trashet. Rregullojeni me kripë dhe arrë moskat. Beshameli është gati.





Fillojmë shtrimin e tavës. Si fillim lyejmë fundin e tavës me pak vaj ulliri dhe spërkasim me thërrime buke si në foto. Shtrojmë shtresën e parë me preshin e zbutur tashmë, të cilin e kemi rregulluar me kripë dhe piper. Më pas shtojmë shtresën e dytë me kimën. E vazhdojmë kështu dhe me dy shtresa të tjera preshi dhe kime. Në fund shtojmë beshamelin (unë nuk kisha kohë të prisja beshamelin të ftohej se do i hidhja dhe një kokërr vezë të rrahur. Ju bëjeni nëse prisni që beshameli të arrijë temperaturë të vakët). Mbi beshamel grijmë pak djathë dhe e vendosim tavën të piqet.







Pjekim në 220 gradë për 35 – 40 minuta derisa beshameli të krijojë një cipë të artë. Kjo tavë duhet të rrijë të paktën 20 minuta në qetësi përpara sesa ta servirim. Dhe sa më shumë rri, përshembull nëse ju mbetet një racion për të nesërmen, aq më e mirë bëhet. Ju bëftë mirë ❤.





You May Also Like

0 comments