Gliko Kumquat sipas mami Likës

by - February 26, 2018

Nuk e prisja që një postim i imi, i cili përmbante vetëm foto dhe jo një recetë të zhvilluar, të kishte kaq shumë shikime dhe klikime 🤗. Por ndoshta gatimet tona tipike siç është glikoja dhe sidomos kur janë me një frut të veçantë, tërheqin më shumë interesin tonë sesa një recetë ndërkombëtare që e gjen në 1,000 versione 😎.
Fruti kumquat është shumë i njohur për banorët e Fierit, prej nga jam dhe unë. Në shtëpinë tonë ka mbi 5 vjet një vazo “gjigande” për të cilën im atë përkujdeset shumë, ngaqë unë e preferoj si frut dhe nuk lë askënd t’i afrohet se mos i këpusin ndonjë kokërr 🤗.
Mami Lika nuk është se e bëri glikon me “mandarinën kineze” (siç ma ka quajtur im atë ditën që më prezantoi këtë pemë) me pemën e vogël që ajo mban në ballkon, ajo e siguroi frutin nga një mik i familjes që ka mbjellë disa të tilla në bahçe. Për ju që jetoni në Tiranë unë kam parë që shiten të paketuara tek Conad, pranë frigoriferit të fruta – perimeve.

Meqë shumë nga ju e kërkuan recetën, dje unë e postova jo siç bëj zakonisht me anë të postimeve të mia në blog, që e ritheksoj është ditari më i shtrenjtë online që kemi si familje, por me anë të një teksti të detajuar poshtë fotos së glikosë. Që mos të dal nga tradita ime e ruajtjes së recetave të familjes, po i dedikoj dhe shkrimin e merituar në blog. Unë nuk kam foto hap pas hapi sesi e ka përgatitur mami Lika glikonë në kuzhinën e saj, por kam hapa shumë të qartë që të gjithë ju ta kuptoni e ta realizoni në shtëpitë tuaja, si dhe foto sesi e shijuam ne në shtëpinë tonë 🤗. Faleminderit që më lexoni ❤.
Brenda 24 orëve, postimi është parë nga 3,510 persona.
Ndërsa video është klikuar 1766 derimë tani :).
Përbërësit:
Kumquat 
Sheqer
Dëshira për të shijuar 😍🌻
Përgatitja:
Meqë nuk kam foto illustrative për proçesin e përgatitjes, po i shënoj hapat me numra për të qenë sa më e qartë 🌻😍.


1.  I marrim kumquat, i lajmë dhe me nje krruajtëse dhëmbësh i çpojmë në 3-4 vende.

2.  Më pas i vendosim në ujë me gëlqere për 2-3 orë. 1 apo dy grushta gëlqere i  tresim ne aq ujë sa të mbulohen frutat.

3.   Pasi i nxjerrim nga gëlqerja i shplajmē disa herë derisa të dalë ujē i pastër.

4.  I vendosim frutat të ziejnë, i lëmë nê zjarr 5 minuta nga momenti i vlimit dhe i provojmë për hidhërim. Nëse fruti rezulton i hidhur, derdhim ujin, dhe e rivendosim përsëri kumquatët të ziejnë. Këtë proçedurë mami Lika e bëri 3 herë.

5.  Pasi frutit ti ketë dalë hidhërima e vendosim në një kullesë për 30 minuta sa  tē kullojë uji i tepërt.

6. Peshojmë masën e kumquatëve pasi kanë kulluar që të llogarisim sasinë e shërbetit.

7.  Nëse kemi 1 kg kumquat, shtoni 1kg e 200 gr sheqer dhe JO 950 ml ujë sipas formulës, por 650-700 ml ujë sepse fruti vet mban ujë nga vrimat që i bëmë në fillim të proçesit. 

8.  E lëmë në zjarr tê ziejë derisa fruti të jetë mbushur me shërbet dhe të jetë ëmbëlsuar dhe shêrbeti kur e vendosni mes gishtit tregues dhe të madh zgjatohet pak si fije peri tha mami Lika 😍. 

9.   Shijojeni glikonë pasi të jetë ftohur e tëra 😊. Ju bêftë mirë 🌹






You May Also Like

0 comments