Wednesday, June 28, 2017

Patëllxhanë të mbushur….me gjizë.

Nuk është receta tradicionale. Është një recetë që nuk e mbaj mend se ku e kam huazuar, por di që prej 1 viti e bëj më shpesh sesa bëj tavën tradicionale. Përbërësit bazë janë thuajse të njëjtë, ajo që ndryshon në këtë gatim është gjiza dhe mënyra sesi e shtrojmë apo mbledhim patëllxhanin. Kërkon pak më shumë “mund” pasi patëllxhani këtu serviret si “finger food”, një ushqim në porcione të vogla.  Por më besoni që mundi ja vlen. Janë të gjithë përbërës të stinës, me aroma tipike të gatimeve tona dhe nga ato gjellë që sa më gjatë rinë në frigorifer, aq më të shijshme bëhen sepse shijet ndërthuren me mirë me njëra tjetrën.
Arta, shoqja ime që e provoi të nesërmen e komplimentoi shumë aq sa më kërkoi recetën për t’ja u gatuar vajzave që do ktheheshin për pushime nga studimet jashtë.

Përbërësit:
1 kg patëllxhanë
2-3 speca të kuqe
750 gr gjizë pa kripë
Disa thelpinj hudhër
1 kg domatë për gjellë
2 qepë të thata
Vaj ulliri
Kripë
Pipër
Rigon

Përgatitja:

Pastrojmë patëllxhanet nga bishti, pa i qëruar fillojmë i presim hollë përsë gjati. I shtrojmë në një tavë dhe i heshim sipër kripë dhe pak vaj ulliri (2-3 lugë gjelle). E fusim tavën në furrë të nxehur më parë, me ventilim, në 200 gradë, në nivelin më të lartë të furrës për 20-30 minuta, duke i trazuar të paktën dy herë gjatë kësaj kohe në mënyrë që patëllxhanet të “vriten” të gjitha. Ajo që duam të sigurojmë është jo pjekje të fletës së patëllxhanit, por zbutje mjaftueshëm sa të na lejojë mbledhjen si më poshtë.

Në një tas hedhim gjizën, 3-4 thelpinj hudhër të grirë, speca të kuq të prerë në kubik, kripë dhe 2-3 lugë vaj ulliri. Trazojmë dhe masa është gati.

Në një tenxherë grijmë qepën dhe e lëmë të kaurdiset derisa qepa të thajë lëngun e vet. Shtojmë domaten e grirë në rende (të qëruar më parë), 3-4 thelpinj hudhër, kripë, piper, rigon dhe e lëmë të ziejnë derisa masa të lidhet.

Në këndin e punës fillojmë mbushim fletët e patëllxhanit si në foto. Mos u shqëtësoni që të gjitha fletët të jenë të rregullta. Dhe ato që janë më të vogla mund ti vendosni sipër njera tjetrës ose krah njera tjetrës dhe t'i mbushni.





Pasi mbaroni gjithë harxhën, shtoni sipër gjellën me domate që tashmë është bërë gati. E vendosni në mes të furrës në 200 gradë për rreth 30 minuta derisa tava të krijojë një faqe si në foto.


 Nxirreni tavën dhe lëreni pak në qetësi përpara se ta servirni. Ju bëftë mirë.











SHARE:

1 comment

  1. Bona kjo recete me pelqen me shume se tradicionalja. Te lumshin duart

    ReplyDelete

Blogger Template Created by pipdig