Byrek në formë keku sipas Bonbon

by - August 02, 2017

Kjo është një recetë që lindi gjatë ditëve të plazhit. Kur e bën plazhin në kushte shtëpie dhe jo hoteli si unë, më shumë sesa të vras mendjen për drekën e vras për mëngjeset dhe vaktin e zemrës 😍.
Kështu u krijua dhe kjo recetë, pasi më mbetën disa fije petë nga pako që bleva. Një pjesë e përdora për strudel me mollë dhe 6-7 petët e mbetura mendova ti sajoj byrek me kos dhe vezë, të cilin e shtrova në formën e tavës së kekut me "brimë", "bundt" ose "ciambella" që i thonë në gjuhët që ne njohim më mirë anglisht dhe italisht ☺.
Fëmijët u surprizuan kur panë byrek në formë keku dhe e përlanë. Sigurisht që ja gatova dhe pas disa ditësh që të bëja fotot për blog 🤗. Ky postim po bëhet direkt nga celulari, në mungesë të kompjuterit në plazh, ndaj uroj t'ja dal mbanë me sukses e pa gabime 😉.


Përbërësit:

6-7 petë byreku të gatshme
2 vezë
1 gotë kos
1 lugë miell
2 lugë vaj
40 gr gjalp të shkrirë


Përgatitja:

Me një furçë lyejmë tepsinë ku do pjekim byrekun. Mbledhim petët si fizarmonikë dhe i rrethojmë si në foto.


Pasi kemi mbaruar me petët, rrahim vezët në një tas, shtojmë kosin, një lugë miell dhe rregullojmë me kripë.
Përpara se ta hedhim këtë masë mbi petët, i spërkatim ato me vaj. Lugë-lugë njomim gjithë sipërfaqen me masën e kosit. Shtojmë gjalpin e shkrirë dhe tava është gati për tu futur në furrë.
Pjekim tavën në 200 gradë, në mes të furrës për 40 minuta ose derisa byreku të marrë ngjyrë të artë.
Nxirreni tavën, shkëpusni anët me thikë nëse janë ngjitur dhe kthejeni byrekun mbi një pjatancë. Shërbejeni kështu. Ju bëftë mirë.













You May Also Like

1 comments

  1. Bona edhe une kam dashur ta bej kete ne fakt... E pashe ne tv nje dite , po ja e ke nxjerre dhe ti.

    ReplyDelete