Cheese cake pa pjekje sipas Rudinës

by - August 11, 2017

Blog-u im duhet të ishte mbushur me receta të Rudinës, kjo nëse unë do e kisha hapur blog-un 2 vjet më parë. Këtë vit Rudina ka qenë e zënë me rritjen e binjakëve që ka sjellë në jetë dhe që kanë sjellë shumë gëzim dhe në jetën time.
Rudina ose Rudi i Orges :) është nusja e djalit të tezes time, por që me kalimin e viteve mua më duket sikur Rudi është goca e tezes time :) ose motra që do doja të kisha. Për ata që na njohin unë me Rudin jemi gjithë kohës në diskutime që rrallë bien në dakordësime :), por që kjo është mënyra sesi ne funksionojmë dhe i dhurojmë dashuri njëra tjetrës :). Rudi e ka shumë pasion gatimin dhe kur e ndan mendjen mund të bëj dhe gatime shumë komplekse. Ndaj një recetë e sugjeruar nga Rudi për versionin e të famshmit kekë me djathë, por pa pjekje do kishte vëmendjen time.
Përbërësi pak i sikletshëm për tu gjetur në këtë recetë është kremi i qumështit ose pana jo e ëmbël, që mua ma ka sjellë Rudi nga Saranda. Kohët e fundit që vendosa të bëj këtë recetë kremin e qumështit e kam parë dhe në frigoriferët e Conad, në një shishe pak më të vogël se ato të dhallës. Unë do sugjeroja që ky cheesecake të mbahet në pjesën e akullit në frigorifer dhe të lihet disa minuta jashtë përpara se të serviret. Është sikur ha akullore me fruta pylli, perfekte për nxehtësinë e këtyre ditëve.

Përbërësit:
2 kuti krem qumështi nga 200 ml
1 kuti e vogël qumësht i kondesuar (4 lugë të mëdha)
200 gr krem djathi
100 gr gjalp
1 pako biskota dixhestive (ndoshta dhe ¼ e pakos së dytë)
Reçel me fruta pylli ose luleshtrydhe
1 kokërr limoni
Kanellë dhe 2 lugë krem uiski (opsionale)

Përgatitja:
Si gjithmonë në përgatitjen e cheesecake, hapi i parë është bluarja e biskotave. Bluajmë biskotat, shtojmë mbi to gjalpin e tretur, kanellë dhe 2 lugë krem uiski (opsionale). Trazojmë përbërjen dhe e shtrojmë atë në tavën e kekut. E fusim masën në frigorifer për 30 minuta. (për të fituar kohë e fusim në akull që biskotat me gjalpin të krijojnë shtresën krokante më shpejt)

Fillojmë të rrahim kremin e qumështit, me shpejtësi minimale. Kur masa fillon të fryhet dhe dyfishohet ndaloni. Tregoni shumë kujdes se një miksim i tepërt mund të prishë kremin e fresket e ta bëj gjalp :) (siç më ndodhi mua në tentativën e parë)

Lugë lugë shtojmë qumështin e kondesuar duke e trazuar lehtësisht me lugë. Mua nuk mu deshën më shumë se 3-4 lugë (gjelle) për të arritur ëmbëlsirën e dëshiruar. Por ju mund ta shtoni të gjithë kutizën e vogël të qumështit.
Me një rende grijmë lëkurën e një limoni. Hedhim kremin e djathit dhe me rrahësen elektrike rrahim për 2-3 minuta derisa djathi të lidhet me kremin e qumështit.


Në këtë moment sipas dëshirës mund të shtojmë lëngun e gjysëm limoni. Unë ja shtova se kështu më tha Rudina ime :).
Nxjerrim tavën ku kemi shtruar biskotat dhe hedhim kremin sipër. E fusim tavën përsëri në akull dhe e lëmë për 1-2 orë derisa masa të forcohet. Shtojmë reçelin sipër. Unë përdora reçelin e luleshtrydhes që kam bërë vet kur ishte sezoni i tyre.

Cheesecake është gati, më shpejt në kohë se cheesecake me pjekje. Më besoni kur ju them që shija ishte si akullore e vërtetë. Servireni gjithmonë disa minuta më vonë pasi e keni nxjerrë nga akulli, në mënyrë që ta prisni kollaj. Ju bëftë mirë.








You May Also Like

0 comments