Fusilli në furrë sipas Ogerta B.

by - August 17, 2017

Pasi mbaruam darkën të ftuar tek Ogerta B. të dy burrat tanë thanë njëzëri “nëse do të bësh një burrë të lumtur, serviri një pjatë me fusilli sipas Ogerta B.
Ogerta na ftoi për ditë të marte dhe unë prisja të kishim të servirura antipasta, sallata të ndryshme siç i dekoron aq bukur ajo. Por Ogerta kishte menduar të na servirte një pjatë që nuk e prisnim, një gatim që ajo e ka krijuar vetë dhe e gatuan sa herë që kërkon një shije të vërtetë tradite.
Fusillit në furrë mund të duken në pamje të parë si makarona me mish, ashtu janë vërtet, por kur e provon ndjen dashurinë dhe përkushtimin e Ogertës në këtë pjatë. Ogi ka dhe një stil të vetin në përgatitjen e bazës së gjellës, e cila sillte një tretje perfekte të qepës dhe domates. Ky gatim ka 3 faza përgatitje (faza të lehta mos u trembni) :)
Në këtë postim do përfshij çdo detaj të darkës, e cila filloi në 8 dhe mbaroi rreth orës 1 pas mesnate :), ndaj mos humbisni detajet për të zbuluar dhe një sallatë brenda postimit.

Përbërësit:
500 gr fusilli
2 kokrra qepë mesatare
2 kokrra të mëdha domate
150 gr domate qershi (opsionale)
600 gr mish tul viçi
4 thelpinj hudhër
5-6 gjethe dafine
Piper kokërr
Kripë, vaj për gatim
3-4 lugë vaj ulliri

Përgatitja
Fillojmë me fazën e parë të gatimit që është dhe faza e përgatitjes së gjellës. Grijmë qepët dhe hudhrat. I shtojmë në një tenxhere me presion, bashkë me mishin, vajin dhe gjethet e dafinës. E vendosim tenxheren në flakë mesatare dhe e trazojmë herë pas here, derisa qepa dhe mishi të thajnë ujin e vet. Në këtë moment shtojmë piperin kokërr, një gotë të vogël me ujë që mbulon mishin deri në gjysëm dhe e lëmë mishin të ziejë në tenxheren me presion 15 minuta nga ngritja e çufit (siguresës së tenxheres) :).



Përdorni kripën rozë ose “kripën e Himalajes” si unë. E gjeni të bluar ose në kokërr të madhe, për 320 lek/kg tek Neranxi. Ka dhe në dyqane të tjera ku shiten produkte bio, por unë këtë dyqan kam pranë shtëpisë.
Faza e dytë është thjesht zierja e fusilit në një tenxhere në ujë me kripë, gjysmën e kohës të shënuar në pakon e makaronave. I kullojmë ato më pas dhe i hedhim direkt në tavën ku do përfundojmë gatimin tonë.
Ndërkohë që ju keni përfunduar me fazën e dytë, faza e parë zierja e mishit ka përfunduar ndërkohë. Kështu që kalojmë në fazën e tretë ku fillojmë me qërimin dhe grirjen e domateve në mikserin elektrik. Masën e përftuar e shtojmë menjëherë në tenxhere, e trazojmë dhe rregullojmë me kripë.

Gjellën e hedhim mbi makarona dhe e trazojmë mirë në mënyrë që të bëjmë një shpërndarje të njëtrajtshme të masës. Presim domatet e vogla në copa dhe i shtojmë ato sipër.

E vendosim në furrë tavën për 30 minuta, në 230 gradë, duke e trazuar në mes të pjekjes vetëm një herë në mënyrë që makaronat të mos thahen. Tava është gati. Serviremi të paktën 10 minuta pasi ta keni nxjerrë tavën. Ju bëftë mirë!






Ja dhe pjata dhe tava e Ogertës.


Ja dhe fëmijët tanë duke luajtur me lojrat e duhura, pasi u ushqyen me ushqim të mirë :)
Mikpritja e të zonjës së shtëpisë nuk ishte vetëm me këtë tavë të gatuar me dashuri për ne, por dhe me sallatën me kunguj, fotot më poshtë. Kungujt e marinuar në limon dhe vaj ulliri shkonin perfekt me pjatën kryesore. Ogerta i kishte prerë kungujt shumë hollë me anë të një thike të veçantë, i kishte vendosur ato në një tas dhe u kishte hedhur përsipër lëng limoni të paktën 1 orë para servirjes. Më pas me durimin dhe delikatesën që e karakterizon i shtroi kungujt fletë fletë dhe i shtoi sipër vaj ulliri. Delikatesë e vërtetë në shijë.

Ndërsa i zoti i shtëpisë Ilir B. u morr me servirjen e disa pijeve shumë të veçanta, të blerë ne vende të vizituara nga ai vetë. Fotot e pijeve janë më poshtë, por unë që nuk jam shumë alkoldashëse nuk mund të rri pa përmendur shijen aq të veçantë të “Rakisë së Ftoit”, produkt i Kosovës. 
  

  


Gjatë lojës tonë me letra, unë si kafedashëse :) e piva dhe një të tillë dhe ndërkohë që thoshim natën e mirë, tek dera shoh një çantë të varur në murë e punuar e tëra  nga Ogerta. E pafjalë!!!

Ogi meqë ra fjala mos më harro çentron që më ke premtuar për tavolinën time të bukës :).
Pas një natë të gjatë që kaloi aq mirë sa nuk i ndjemë orët, e nesërmja në mëngjes gati për të shkuar në punë, na gjeti kështu. Jo keq :). Faleminderit që më lexoni. Ju dua!


You May Also Like

0 comments