Tuesday, March 14, 2017

Strudel sipas mami Inës

Mami Ina është mami i kolegut tim Albit. Nga duart e saj kam provuar shumë gjera të kripura kur qëllon të ha drekë me Albin.  Para disa ditësh Albi kishte një përvjetor dhe na solli në punë këtë ëmbëlsirë të përgatitur nga mami Ina. Strudelët e vegjël u përpinë nga shporta ku i kishte vendosur me aq kujdes mami Ina. Meqë çunat nuk ja thonë aq shumë nga gatimi e sidomos nga ëmbëlsirat, më duhej të pyesja medoemos mami Inën të paktën për petët që kishte përdorur nëse ishin të bëra vet apo të blera. Në fund të ditës pasi ju qepa Albit gjithë ditën për recetën, marr vesh që petët ishin të blera dhe se përbërësit kryesorë ishin molla, arra, mjalti. Kaq informacion është mëse i mjaftueshëm për një “food blogger” të krijoj recetën në mendjen e saj, detajet janë thjesht përvojë përsonale 😍.
Ajo që mund t’ju them është që strudelët sipas mami Inës, duhet t’i provoni patjetër. Përveçse të lehtë në përbërës, ato kanë një pamje dhe shije fantastike për çdo rast.

Përbërësit:
1 pako petë Dhimitra
5 mollë
100 gr arra të grira
2-3 lugë mjaltë
2 lugë gjalp
Kanellë
Sheqer pluhur
Përgatitja:
Qërojmë dhe grijmë mollët në copa të vogla, po ashtu dhe arrat. Unë përdora 4 mollë, por në fakt duheshin 5. Ky është momenti t’i bëni vetes tuaj një kafe turke se do ju hajë ca minuta si proçes 😍.
I bashkoni të githë përbërësit në një tas ku do shtoni mjaltin dhe kanellën. Mbushja e strudelëve është gati.
Hapim petët si në foto. Marrim dy petë të plota. I ndajmë ato në katërsh. Vendosim 1 apo 2 lugë nga masa e mollëve. Palosini anët anash dhe në krye dhe rrotulloni strudelin në vetvete. Forma është gati. Dalin diku tek 28 strudel të tillë. 4 të fundit i bëra me banana dhe çokollatë, se më mbaruan mollët ☺.





Përpara se ta vendosim tavën për pjekje shkrijmë pak gjalp të shkirë ☺ dhe me nje furçë lyejmë sipër petët. I vendosim të piqen në 180-200 gradë në mes të sobës derisa të marrin  ngjyrë të artë. 

I shërbejmë në pjatanca, pasi i hedhim sipër sheqer pluhur.





Peta që mami Ina ka përdorur për këto strudel e bënte një ëmbëlsirë shumë elegante sa më duhej ta rigatuaja përsëri një ditë më vonë kur Ilir B. me familjen na u bashkua në darkat tona të zakonshme.
Tavolina këtë herë përveç strudel, kishte dhe #bonapita një ushqim mëse i garantuar që do bashkoj në tavolinë prindër e fëmijë ☺.

Se mos harroj lojën me letra këtë herë e fitoi Bledi, me një rezultat shumë të ngushtë e ndiqja unë ☺. Ilir B. ja vuri fajin lodhjes time nga gatimi, për peformancën time jo dhe aq të mirë në lojën me letra, por Ilir unë jam ajo që gatuaj gjithmonë dhe kam qenë fituesja për një  kohë të gjatë në lojën me letra 😍😄☺. Nejse prap fituesi ishte brenda familjes. Ju bëftë mirë dhe Gëzuar Diten e Verës ☺😚.
SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig